Reagimi që e konfirmoi raportimin tonë
Duke nxitur urrejtjen në vend të debatit, OVL-ja e vërtetoi raportimin tonë. Reagimi i saj aktivizoi një proces presioni dhe delegjitimimi që përputhet me modelin e vrasjeve politike të Hashim Thaçit.
Pas deklaratës1 së Organizatës së Veteranëve të Luftës - (OVL), gjithçka mori formën e një nate që e njeh mirë Ballkani. Nuk ishte nata e errët e frontit, por nata e ekranit, ajo errësirë e bardhë ku fjalët bëhen gurë dhe gurët më pas kërkojnë një dritare.
E pashë postimin të shfaqej dhe, siç ndodh kur dikush shtyp një buton në një dhomë të mbushur me gaz, reagimi nuk vonoi. Deklarata nuk merrej me dokumentet tona. Nuk thoshte, këtu gaboni, këtu keni ngatërruar datat, këtu mungon ky burim. Ajo e zhvendoste fushën. E kthente hetimin në fyerje. E kthente pyetjen në mëkat. E kthente kërkesën për prova në sulm ndaj luftës. Në Kosovë, ky është një mekanizëm më i vjetër se shumë institucione, kur e shenjtëruara përdoret si mburojë për të paprekshmen.
Në minutat e para nën postim2 u shfaq ajo që unë e quaj shenja e parë e një fushate, jo diskutimi. Etiketa. Njerëz që nuk pyetën asgjë, por vendosën vula. U përsëritën fjalë që synonin të më nxirrnin jashtë trungut, jashtë gjuhës, jashtë kombit, jashtë të drejtës për të folur. Të tjerë kërkuan që shteti të vepronte, jo ndaj dyshimeve të ngritura nga gjetjet tona hulumtuese3, por ndaj meje. Kërkesa për prokurorinë u bë refren. Jo hetim i krimeve të pasluftës, por ndëshkimi i gazetarit.
Pastaj u shfaq faza e dytë, ajo që e njeh çdo vend ku frika ka qenë administratë. Përçmimi që nuk synon të bindë, por të poshtërojë. Komente që e ndërtonin figurën time si një trup të papastër, si një zë që duhet të shpërlahet, si një gojë që duhet mbyllur. Këtu gjuhës i hiqet logjika dhe i vihet funksioni, ta bëjë të mundur atë që do të vinte më pas.
E më pas, si gjithmonë, vjen faza e tretë. Pasoja. Disa komente kërkonin burgimin tim të menjëhershëm. Disa kërkonin arrestimin. Disa kërkonin ndalim, mbyllje, deportim, ndërkombëtarizim të ndëshkimit. Një pjesë e tyre e shprehnin këtë me tone të thata, sikur të flisnin për një procedurë administrative. Një pjesë e tyre e shprehnin me nënkuptime të rënda, me fraza që nuk janë thjesht fjalë, por provë temperature. Kur një turmë digjitale fillon të flasë për dënim si për domosdoshmëri, ajo nuk është më opinion, është presion.
Në atë rrjedhë të komenteve, ajo që më goditi nuk ishte vetëm ashpërsia. Ishte përsëritja. Përsëritja e të njëjtave korniza, të njëjtave akuza, të njëjtës kërkesë, prokurori, burg, tradhti. Shumë llogari shfaqeshin si të shkëputura nga një jetë reale, pa histori të dukshme, pa bashkëbisedim, pa interes tjetër, vetëm ky moment, vetëm kjo shënjestër. Kjo nuk më lejon të them, si fakt, se ka një zinxhir komandimi, nuk kam mesazhe të brendshme, nuk kam udhëzime të autentikuara. Por më lejon të them me bindje se ajo që po shihja ishte e ngjashme me një skenar të mësuar, jo me një reagim organik.
Në mes të kësaj, u futën edhe figura që flisnin si qytetarë të rëndë, me ton më të gjatë, më institucional, por me të njëjtin synim, ta zhvendosin debatin nga dokumentet te nderi, nga provat te përkatësia, nga faktet te turpi. Këta nuk kërcënonin domosdoshmërisht me fjalë të drejtpërdrejta, por e bënin një gjë po aq të rëndë, e përkufizonin hetimin si rrezik publik. Dhe kur një zë publik e quan gazetarin rrezik, ai po përgatit terrenin që të tjerët ta trajtojnë si të tillë.
Ka një detaj që nuk mund ta lë jashtë, sepse kronologjia pa të është gënjeshtër. Shtëpia e prindërve të mi u sulmua vitin e kaluar4. Dritaret u thyen. U përdhos edhe makina memoriale e familjes, simboli i babait tonë të ndjerë. Asgjë nuk u vodh. Asnjë send nuk u mor. Qëllimi ishte frika. Për këtë sulm, sindikata e gazetarëve në Britani reagoi5 publikisht dhe kërkoi hetim e përgjegjësi. Unë e kam thënë atëherë, dhe e përsëris tani, kur dikush sugjeron sulm kundër meje në komente, unë nuk e lexoj këtë si fantazi interneti. Unë e lexoj si vazhdimësi të një gjuhe që ka kaluar tashmë në gur.
Në këtë sfond, deklarata e Organizatës së Veteranëve veproi si shkrepëse. Ajo mund të mos ketë thënë, sulmoni, por ajo bëri diçka më të rrezikshme, e paraqiti punën tonë si shkelje ndaj luftës dhe e la turmën ta interpretojë vetë se çfarë kërkon një shkelje e tillë. Dhe pastaj, ajo nuk bëri asgjë për ta ndalur, asgjë. Nuk pati asnjë fjali që të thoshte, kërcënimet janë të papranueshme. Nuk pati asnjë ndërhyrje që të thoshte, mos kërkoni dhunë. Nuk pati asnjë moderim. Nuk pati asnjë sfidim ndaj komenteve më të urrejtjeshme. Heshtja e tyre nuk ishte boshllëk. Ishte tolerim.
Kur një organizatë me peshë simbolike publikon një deklaratë që e delegjitimon një hulumtim gazetaresk dhe pastaj lejon që poshtë saj të grumbullohen thirrje për ndëshkim, për burg, për trajtim si armik, ajo krijon një mjedis lehtësues për armiqësi. Në minimum, ajo e bën armiqësinë të duket e lejueshme. Në praktikë, kjo është nxitje me anë të kornizës, nxitje pa urdhër, nxitje duke e lënë turmën ta bëjë pjesën tjetër.
Dhe këtu hyn arsyeja pse kjo kronikë nuk është thjesht raportim mbi një debat online. Është provë sjelljeje që përputhet me atë që ne publikuam më 4 shkurt. Në hulumtimin tonë, ne argumentuam se pushteti i pasluftës në Kosovë nuk u ngurtësua vetëm me zgjedhje dhe institucione, por edhe me një sekuencë të përsëritshme, delegjitimim, izolim, pastaj krijim i një atmosfere ku dëmi bëhet i mendueshëm. Pikërisht këtë sekuencë e pashë të rindërtohej në komente, hap pas hapi, si një ritual i vjetër.
Së pari, unë u shpalla i huaj. Etiketat nuk synonin të më kundërshtonin, synonin të më përjashtonin.
Së dyti, unë u poshtërova. Jo për ta bindur lexuesin, por për ta mësuar turmën se poshtërimi është i pranueshëm.
Së treti, filluan kërkesat për pasoja. Prokurori, burg, ndalim, ndëshkim.
Kjo është pikërisht ajo që ne përshkruam si teknikë të manualit të vrasjeve, jo si metaforë.
Disa mund të thonë se kjo është thjesht zemërim publik. Por zemërimi publik, kur është organik, prodhon edhe pyetje. Prodhon edhe dyshime. Prodhon edhe kuriozitet. Këtu, shumica nuk kërkonin sqarim. Kërkonin mbyllje. Nuk kërkonin korrigjim. Kërkonin dënim. Nuk kërkonin debat. Kërkonin frikë. Kjo është diferenca midis reagimit organik dhe operacionit të orkestruar.
Paralelet ndërkombëtare janë të ftohta, por të dobishme. Në shoqëri post konfliktuale, studiues perëndimorë kanë vërejtur se legjitimiteti i luftës mund të përdoret si një lloj valute politike që blen heshtje. Kur pyetjet për pasluftën kthehen në fyerje ndaj luftës, hapet një rrugë e shkurtër drejt ndëshkimit të atyre që pyesin. Kjo është logjika e kontrollit të narrativës. Nuk është e veçantë për Kosovën, por këtu ka një forcë të veçantë sepse lufta është ende themeli moral i shtetit.
Dhe këtu, interesat janë të qarta. Nëse hetimet prokuroriale do të zgjerohen një ditë drejt vrasjeve politike të pazgjidhura, drejt dosjeve që ende rrinë si fantazma në korridoret e institucioneve, atëherë njerëzit e lidhur me rrjetet e vjetra të besnikërisë kanë arsye të fortë ta shuajnë çdo dritë që bie mbi to. Ata nuk kanë nevojë të rrëzojnë çdo detaj të hetimit tonë. Mjafton ta bëjnë të duket i rrezikshëm vetë aktin e hulumtimit gazetaresk. Mjafton ta bëjnë të kushtueshme pyetjen. Mjafton ta bëjnë të turpshëm kuriozitetin.
Kjo është arsyeja pse unë argumentoj fort, me bindje, se ajo që ndodhi pas deklaratës së Organizatës së Veteranëve është në përputhje të drejtpërdrejtë me metodologjinë sekmës së vrasjeve që ne e përshkruam më 4 shkurt. Ne thamë se presioni shpesh fillon jo me plumb, por me fjalë që krijojnë terren. Këtu terreni u krijua. Ne thamë se delegjitimimi është fazë e parë, jo aksident. Këtu delegjitimimi ishte boshti. Ne thamë se një atmosferë armiqësie i bën njerëzit të mendojnë se dhuna është e kuptueshme, e arsyetueshme, e nevojshme. Këtu në postimin e deklaratës së OVL-së, komente të tilla u lanë të qëndrojnë, pa asnjë pengesë morale nga organizata që e nisi gjithë këtë.
Një fakt i thjeshtë e mbyll argumentin tim. Organizata mund të kishte bërë një gjë minimale, ta ndalte temperaturën. Të thoshte, mos kërcënoni. Të thoshte, mos kërkoni dhunë. Të thoshte, debatojeni me prova. Ajo nuk e bëri. Dhe kur një autoritet simbolik nuk e ndal turmën, ai nuk është vetëm spektator. Ai është mjedis. Ai është nxitës.
E gjithë kjo nuk është vetëm histori e një dite në rrjete sociale. Është një provë e gjallë e asaj që ne e quajtëm atmosferë e prodhuar. Është një mënyrë për ta kthyer një hetim në rrezik, një gazetar në shënjestër, dhe një publik në instrument.
Për mua, si njeri dhe si reporter, ka edhe një dimension që nuk e lejon luksin e neutralitetit emocional. Kur shtëpia e prindërve të mi është sulmuar dhe dikush në ekran sugjeron sulm përsëri, unë nuk e lexon atë si debat. E lexon si mesazh. Dhe kur shumë mesazhe bashkohen në të njëjtën formë, me të njëjtën gjuhë, me të njëjtin synim, unë nuk po përballem me zemërim rastësor. Po përballem me një përpjekje të orkestruar të dhunës për disiplinim.
Kjo është arsyeja pse kjo vazhdimësi e raportimit tonë është e domosdoshme për lexuesin. Sepse gjetjet tona hulumtuese të 4 shkurtit nuk ishin thjesht rrëfim për të shkuarën. Ishte një model për të kuptuar të tashmen. Dhe e tashmja, në këtë rast, u përgjigj në mënyrën më të frikshme, jo duke sjellë dokumente, por duke sjellë presion. Duke përgatit terren.
Në një shoqëri të shëndetshme, kundërpërgjigjja ndaj një hulumtimi është kundërhetim. Është korrigjim. Është fakt. Në një shoqëri ku frika ka qenë monedhë politike, kundërpërgjigjja është gjuhë që të mëson të heshtësh. Unë e pashë atë gjuhë të ringjallej nën një postim. E pashë të përsëritej. E pashë të normalizohej. E pashë të lihej pa kundërshtim nga autoriteti që e ndezi atë.
Dhe tani, me të njëjtën disiplinë që përdorëm në hetimin e 4 shkurtit, unë e vendos këtë si provë kronologjike. Atë që ne e publikuam. U përhap. Pastaj, në vend të debatit, erdhi delegjitimimi. Pastaj erdhi poshtërimi. Pastaj erdhi thirrja për ndëshkim. Pastaj erdhi heshtja e organizatës përballë kërcënimeve. Ky nuk është një episod. Është mekanizëm.
Nëse kjo është vetëm fillimi, atëherë është sepse beteja reale nuk është mbi një artikull. Është mbi të drejtën e shoqërisë për ta ndarë luftën nga pandëshkueshmëria, dhe për ta mbrojtur pyetjen nga turpi. Në Kosovë, shumë njerëz do të donin që kjo ndarje të mos ndodhte kurrë. Kjo është arsyeja pse reagimi dukej i koordinuar. Jo sepse dikush domosdoshmërisht dha urdhër për çdo koment, por sepse shumë aktorë e dinë instinktivisht se cilat fjalë e mbyllin një bisedë, cilat etiketa e bëjnë një njeri shënjestër, cilat kërkesa e kthejnë shtetin në shkop.
Dhe unë, pasi kam parë dritare të thyera në shtëpinë e prindërve të mi, nuk e kam luksin ta quaj këtë vetëm retorikë.
Ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë, të dokumentojmë dhe të raportojmë çdo fazë të kësaj fushate. Ne nuk mund të pretendojmë, dhe as të parashikojmë, nëse ata që janë të përfshirë synojnë eliminim fizik ndaj meje. Ajo që mund të thuhet, thjesht dhe pa mjegull, është se sjellja e shfaqur është e rrezikshme, e paekuilibruar dhe thellësisht zbuluese. Manuali mbi të cilin duket se mbështeten ky rrjet i orkestruar është i ekspozuar, i zhveshur nga misteri dhe i bërë i dukshëm. Me sa duket, pikërisht ky zbulim i shqetësoi ata që vareshin prej tij. Çdo rigrupim nga arkitektët e kësaj metode nuk do të ishte shenjë force, por përshkallëzim, me pasoja jo vetëm për një gazetar të vetëm, por për shoqërinë e Kosovës dhe për vetë njerëzoren e saj. Raportimi ynë i radhës do të dokumentojë fazën mediatike të kësaj fushate, duke ndjekur dhe ekspozuar se si figura publike të lidhura me këtë metodë reaguan në momentin kur heshtja u zëvendësua nga vëzhgimi.














Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit
Strategjia e Thaçit e shndërroi Kosovën në një shtet vrasës, ku krijoheshin “atmosfera atentati” për ta arsyetuar neutralizimin e kundërshtarëve dhe për t’i futur besnikët në një cikël borxhi. — Kronika B Hulumtim.
Gazetari Vudi Xhymshiti dënon vandalizimin e shtëpisë familjare në Kosovë
Vudi Xhymshiti denoncon vandalizimin e shtëpisë familjare, duke e cilësuar si akt frikësimi nga rrjete kriminale që synojnë të heshtin gazetarinë e pavarur në Kosovë. — Kronika B Deklaratë Për Shtyp.
NUJ dënon vandalizmin në shtëpinë e gazetarit Vudi Xhymshiti në Kosovë
Unioni britanik i gazetarëve dënoi vandalizmin në shtëpinë familjare të Vudi Xhymshitit në Kosovë, duke bërë thirrje për një hetim mbi frikësimin që dyshohet se lidhet me raportimin e tij. — Kronika B Vëzhgimi Mbi Median.




Blersit e 60 mij veteraneve te rrejshem kerkojnë zhurme dhe llogari Vudi :). Kjo esht arsyeja.