Sali Rexhaj dhe Metoda Ruse e Mjegullimit
Kur u ballafaqua me të vërtetën, Sali Rexhaj nuk e korrigjoi gënjeshtrën. Ai e zgjeroi atë. Kjo nuk është politikë. Kjo është propagandë me theks kosovar dhe manual rus.
Sali Rexhaj nuk u zemërua pse u shpif ndaj tij. U zemërua pse u kap në akt. Dhe kur një njeri kapet në akt, zakonisht nuk e mbron të vërtetën. Ai e sulmon pasqyrën1.
Në T7, Rexhaj, kandidat për deputet2 nga AAK e Ramush Haradinajt, në orbitën politike ku sot Ardian Gjini është ngritur në krye të partisë, deklaroi3 se si qytetar i Zvicrës atij i “preferohet mos me ardhë në Kosovë pushim”. Pastaj e shtyu fjalinë edhe më tej. Tha se Kosova paraqitet si vend i rrezikshëm. Kur gazetari e pyeti nga kush, Rexhaj tha “Nga Ministria e Punëve të Jashtme”. Me një fjali, ai e mori autoritetin e një shteti serioz si Zvicra dhe e përdori si vulë për një narrativë politike kundër Kosovës.
Unë bëra atë që duhej ta bënte çdo redaksi serioze para se ta linte një politikan ta helmonte publikun me fjali të mëdha. Shkova te burimi. Te Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës, EDA4. Aty nuk gjendet ajo që e tha Rexhaj. Aty shkruan qartë se udhëtimet në Kosovë janë përgjithësisht të sigurta. Po, ka këshilla kujdesi për veriun. Po, përmenden tensionet etnike, demonstratat, rreziku i incidenteve të veçanta dhe nevoja për informim para udhëtimit. Por kjo nuk është ndalim udhëtimi. Nuk është shpallje e Kosovës si vend i rrezikshëm. Nuk është thirrje që qytetarët zviceranë të mos vijnë në Kosovë.
Pra problemi nuk ishte se Rexhaj lexoi gabim. Problemi është se ai e përdori gabimin si armë.
Kur ia publikova faktin5, ai nuk solli një dokument që ma rrëzonte argumentin. Nuk solli një faqe zyrtare të Zvicrës ku thuhej se Kosova duhet shmangur. Nuk solli një njoftim të EDA-s që e mbështeste fjalinë e tij. Ai e solli një kërcënim, një nerv, një shpërqendrim. Sali Rexhaj, solli baltë.
“Mos u merr me mua”, shkroi ai6, pastaj shtoi frazën e tij të rrugës, “ta rruaj mjekrren pa sapun”.
Kjo nuk është përgjigje politike. Kjo është dëshmi karakteri. Dhe më shumë se kaq, është konfirmim i metodës.
Sepse aty fillon operacioni psikologjik. Së pari thuhet një gënjeshtër e thjeshtë, Kosova është e rrezikshme dhe Zvicra nuk e preferon udhëtimin. Pastaj kur gënjeshtra zbulohet, nuk korrigjohet. Zgjerohet. Hidhet Ukraina, Palestina, Irani, Banjska, Kurti, Serbia, VV, Radoiçiqi, vizitat e mia në Kosovë, dhe krejt gjërat që nuk kanë lidhje me pyetjen fillestare. Kjo është teknikë e njohur.
RAND7 e ka quajtur modelin rus “firehose of falsehood”, zjarrfikëse e rrenës, shumë zhurmë, shumë kanale, shumë pretendime, pak kujdes për të vërtetën, asnjë detyrim për qëndrueshmëri.
Rexhaj e bëri pikërisht këtë. Në vend që të përgjigjej në një pyetje të vetme, a e thotë Zvicra atë që ai pretendoi, ai e hapi një front të tërë tymi. Ky nuk është debat. Është mjegullim.
Ai thotë se vetëm për Kosovë, Ukrainë, Palestinë dhe Iran nuk preferohet shkuarja e qytetarëve të Zvicrës. Edhe kjo është e pavërtetë në formën që ai e thotë. EDA nuk e trajton Kosovën si Ukrainën, ku ka luftë të hapur shtetërore pas agresionit rus. Nuk e trajton si Iranin, me rreziqe të tjera shtetërore dhe diplomatike. Për Kosovën, formulimi bazë mbetet se udhëtimet konsiderohen përgjithësisht të sigurta. Këtu qëndron mashtrimi. Ai e merr një paralajmërim të kufizuar, e shtrin mbi të gjithë vendin, pastaj e shet si verdikt të Zvicrës kundër Kosovës.
Kjo e dëmton Kosovën, por e dëmton edhe Zvicrën. Sepse e paraqet shtetin zviceran si instrument të panikut politik të një kandidati të AAK-së. E merr kredibilitetin e EDA-s dhe e shtrembëron për ta mbështetur një fjali që dokumenti zyrtar nuk e mban. Kjo është e rëndë. Jo pse Sali Rexhaj ka ndonjë peshë të madhe diplomatike, por sepse propaganda punon pikërisht kështu. Nuk kërkon gjithmonë gjeneralë. I mjaftojnë njerëz që flasin në studio me siguri të rreme.
Pastaj vjen Banjska. Rexhaj përpiqet ta përdorë sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 si mbulesë për gënjeshtrën e tij. Por Banjska nuk e provon se Kosova është e rrezikshme. Banjska e provon të kundërtën e narrativës së tij. Aty një grup i armatosur serb, i lidhur me Milan Radoiçiqin, hyri për ta goditur rendin kushtetues të Kosovës. Aty u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Aty Policia e Kosovës e mbrojti territorin e Republikës. Pra nëse ka një mësim nga Banjska, ai nuk është se Kosova është shtet i dështuar. Mësimi është se Kosova u sulmua dhe shteti që Rexhaj po përpiqet ta paraqesë si rrezik, e mbrojti veten.
Këtu del thelbi. Rexhaj nuk po e kritikon një politikë të caktuar. Ai po e rrëzon perceptimin e sigurisë së Kosovës si tërësi. Kjo është pikërisht ajo që i shërben Beogradit dhe Moskës, ta paraqesin Kosovën si vatër jostabiliteti, si problem, si vend ku sovraniteti është vetë rrezik. Në atë hartë propagandistike, agresori zhduket, viktima kriminalizohet, dhe mbrojtja e territorit bëhet arsye për ta frikësuar mërgatën.
Nuk është rastësi që ky operacion vjen nga një njeri i lidhur politikisht me AAK-në e Ramush Haradinajt. Haradinaj është i njëjti politikan që u fotografua duke pritur Milan Radoiçiqin në zyrën e kryeministrit në vitin 2018. Është i njëjti pushtet nën të cilin u mbyll Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës8. Është e njëjta traditë politike që flet me patos për luftën, por shpesh nuk e duron dokumentimin e saj, nuk e duron llogaridhënien, nuk e duron shtetin kur shteti nuk i nënshtrohet mitit të tyre privat.

Rexhaj, me përgjigjen e tij, nuk më rrëzoi mua. Ai e vërtetoi tezën time. Sepse kur i thuhet një politikani se e ka shtrembëruar burimin zyrtar të Zvicrës, përgjigjja normale do të ishte, ja dokumenti. Përgjigjja e tij ishte kërcënim, shpifje, çorientim dhe akuzë. Ai më akuzoi mua për propagandë të Serbisë në favor të VV-së, ndërkohë që vetë po e përsëriste formulën që Serbia e dëshiron më shumë, Kosova është e rrezikshme, mos shkoni atje, pas Banjskës gjithçka është rrezik.
Kjo është përmbysja klasike. Ai që e përhap narrativën e dëmshme e quan propagandist atë që e verifikon. Ai që e keqpërdor Zvicrën e quan tjerin dëmtues. Ai që nuk sjell fakt, kërkon bindje. Ai që kapet në rrenë, kërkon respekt.
Është po aq interesante sa edhe shqetësuese që reagimi i Sali Rexhajt dhe komenti i profilit "Agon Berisha9" shfaqen të publikuara brenda të njëjtit interval kohor, të dyja të shënuara me "47m" në momentin kur janë marrë pamjet dokumentuese. Edhe më domethënëse është ngjashmëria e qartë në përmbajtje, ton dhe objektiv. Asnjëri nuk merret me faktin qendror të ngritur publikisht, se Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës nuk e paraqet Kosovën si vend ku qytetarëve zviceranë u sugjerohet të mos udhëtojnë. Në vend të kësaj, të dy komentet e ndjekin të njëjtën linjë sulmi, duke tentuar ta zhvendosin debatin nga faktet te diskreditimi personal i autorit, duke përdorur etiketime si "propagandë", "i paguar" dhe akuza për motive politike. Kjo nuk provon se kemi të bëjmë me të njëjtin person apo me ndonjë lidhje teknike mes llogarive, por ngre pyetje legjitime për koordinim të mundshëm të mesazhit.
Si ka mundësi që dy llogari të ndryshme, në të njëjtën kohë, reagojnë me pothuajse të njëjtin qëllim, të njëjtën logjikë argumentimi dhe të njëjtën përpjekje për ta larguar vëmendjen nga fakti i verifikueshëm që e rrëzon pretendimin fillestar?
Kjo është pyetja që meriton përgjigje.



Jo.
Respekti në politikë nuk fitohet me kërcënime për mjekërr. Fitohet me fakte. Dhe faktet këtu janë të thjeshta. EDA10 nuk e ka shpallur Kosovën vend ku nuk preferohet udhëtimi. EDA thotë se udhëtimet në Kosovë janë përgjithësisht të sigurta. Paralajmërimet për veriun nuk janë çertifikatë për ta damkosur krejt Republikën. Banjska nuk ishte dëshmi kundër shtetit të Kosovës, por dëshmi e agresionit serb dhe e nevojës për shtet funksional. Sali Rexhaj, kandidat i AAK-së, e shtrembëroi këtë realitet publikisht. Kur u ballafaqua, ai nuk u korrigjua. Ai u zbulua.
Dhe po, duket se u rrënqeth. Jo sepse iu bë padrejtësi, por sepse iu prish skena. Propaganda e do publikun të lodhur, të hutuar, të frikësuar. Faktet ia prishin ritmin. Një burim zyrtar ia heq maskën. Një fjali e lexuar drejt nga EDA e rrëzon tërë teatrin.
Kosova nuk është e rrezikshme pse e thotë Sali Rexhaj. E rrezikshme është gënjeshtra kur vishet me flamur zviceran. E rrezikshme është politika që e përdor Banjsken jo për ta dënuar agresionin serb, por për ta dobësuar besimin te shteti që e ndali atë agresion. E rrezikshme është një klasë politike që nuk mund ta pranojë se sovraniteti i Kosovës nuk është aventurë, por detyrë.
Sali Rexhaj deshi ta paraqesë veten si qytetar të kujdesshëm të Zvicrës. Në fakt, u paraqit si zë lokal i një formule të vjetër destabilizimi. Frikësoje mërgatën. Nxite dyshimin në shtet. Barazoje mbrojtjen nga agresioni me agresionin. Shpërndaje rrenën, pastaj kur të kapesh, bërtit më fort edhe me profile të rrejshme nëse është nevoja, e ndonjëhere thirri edhe kojshitë.
Kjo nuk është politikë. Është metodë.
Dhe metoda u pa. Dhe ne në KRONIKAT E BARUTIT, e dokumentuam.
Federal Department of Foreign Affairs (FDFA/EDA), Travel Advice for Kosovo, Swiss Confederation, konsultuar më 8 qershor 2026,
https://www.eda.admin.ch/countries/kosovo/de/home/reisehinweise/vor-ort.html.
RAND Corporation është një institut kërkimor amerikan i themeluar në vitin 1948, me seli në Santa Monica, Kaliforni. Ai konsiderohet ndër qendrat më me ndikim në botë për studime mbi sigurinë kombëtare, mbrojtjen, politikën e jashtme, luftën informative dhe operacionet psikologjike. Analizat e RAND përdoren rregullisht nga institucionet qeveritare amerikane, NATO dhe vendimmarrës të tjerë perëndimorë. Në raportin e saj të njohur mbi propagandën ruse, RAND e përshkruan modelin modern të dezinformimit të Kremlinit si "Firehose of Falsehood", një metodë që mbështetet në përsëritje masive, volum të lartë mesazhesh, shpërndarje të shpejtë pa u shqetësuar për saktësinë faktike.
EDA (Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës) është autoriteti zyrtar shtetëror që i publikon vlerësimet e sigurisë dhe këshillat për udhëtimet e qytetarëve zviceranë jashtë vendit. Në udhëzimet e saj për Kosovën, EDA deklaron se “udhëtimet në Kosovë konsiderohen përgjithësisht të sigurta” (”Reisen in den Kosovo gelten grundsätzlich als sicher”), duke rekomanduar vetëm masat standarde të kujdesit për zona dhe rrethana të caktuara.








