Anatomia e një Çmendurie Politike
Nga financues të rezistencës për çlirim në objekt sulmesh politike, mërgata shqiptare po përballet me një fushatë që e pasqyron krizën morale të klasës sunduese, të cilët e plaçkitën Kosovën.
Kur mendon se degradimi i diskursit publik në Kosovë e ka prekur fundin, shpërthen një tjetër mjerim intelektual dhe moral që dëshmon se sa thellë ka depërtuar korrupsioni në palcën e një kaste politike. Në një paraqitje të fundit televizive në emisionin DPT te Fidani1 në Klan Kosova, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e AAK-së, Ardian Kastrati, ndërmori një sulm frontal, të paprecedentë dhe patologjik kundër mërgatës shqiptare. Përmes një fjalori që luhatet mes injorancës sociologjike dhe urrejtjes së pastër klasore, Kastrati tentoi ta ndërtojë një tregim ku qindra mijëra bashkatdhetarë tanë jashtë vendit përthekohen si një masë injorante, e frustruar dhe e dështuar.
Kjo nuk është thjesht një deklaratë e pamenduar e një politikani periferik. Ky është manifesti i radhës i një elite të vjetër politike, e cila, pasi e zhvati, e plaçkiti dhe e izoloi Kosovën për dy dekada rresht, tani po e përjeton panikun e humbjes definitive të kontrollit. Kur nuk u mbeten më argumente për t’i arsyetuar dështimet e tyre, ata zgjedhin ta sulmojnë shtyllën kurrizore të mbijetesës dhe lirisë sonë kombëtare.
Më poshtë, po i çmontojmë pikë për pikë tri gënjeshtrat kryesore dhe monstruoze të këtij monstrumi politik.
Gënjeshtra e Parë: Miti i “Proletariatit Jugosllav”
“Ajo pjesë që ka dalë ‘98, ‘99 i takon atij ish proletariatit jugosllav dhe te Albini e sheh njëfarë sigurie që del nga ai koncept... Ejani asaj kategorie të parë. Ta votojmë pushtetin tim, sepse i dënojmë ata që ju rrënuan Jugosllavinë.” - Ardian Kastrati
Kjo deklaratë është një fyerje me përmasa historike dhe një shpifje që i përshtatet vetëm propagandës zyrtare të Beogradit. Kastrati, me një patos të turpshëm, guxon t’i quajë “proletariat jugosllav” ata shqiptarë që u shpërngulën masivisht në fund të viteve ‘80 dhe gjatë viteve ‘90.
Le t’ia kujtojmë këtij analfabeti historik realitetin: ajo pjesë e mërgatës nuk iku për qejf dhe as nga nostalgjia për Jugosllavinë. Ata ishin njerëz të përndjekur politikisht, studentë e punëtorë që refuzuan të nënshtroheshin para çizmes dhe tankeve të Sllobodan Millosheviqit. Ata u dëbuan nga vendet e tyre të punës, u helmuan nëpër shkolla dhe u rrahën nëpër stacione policore sepse e mbrojtën dinjitetin dhe identitetin shqiptar.
Ta quash këtë kategori “nostalgjikë të Jugosllavisë” dhe të pretendosh se ata votojnë për ta dënuar “ata që rrënuan Jugosllavinë” është një perversitet politik. Ishte pikërisht kjo mërgatë që e financoi çdo celulë të rezistencës paqësore dhe ushtarake në Kosovë. Pa gjakun, djersën dhe markat e tyre gjermane apo frangat zvicerane, as lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte dritë jete. Por Kastrati, si një zvarranik i zyrave të rehatshme, guxon të tentojë ta rishkruajë historinë për llogari të një agjende që me sa duket e synon përçarjen kombëtare.
Gënjeshtra e Dytë: Projektimi i Xhelozisë dhe Kompleksit të Dështimit
“Ajo pjesë e diasporës që e votoi Albin Kurtin po ashtu ushqehet me frustrimin që pse disa nga ne këtu i kemi bërë punët pak më mirë se sa ata. Është xhelozi primitive kjo... Pastaj është kjo pjesa që ka shkuar pas luftës dhe dështoi me jetën në Kosovë. Ejani dhe ju të hakmerreni për këta që i kanë punët pak më mirë këtu se ju.” - Ardian Kastrati
Në këtë pikë, mjerimi intelektual i Kastratit kalon në sferën e komikes, por mbetet thellësisht i rrezikshëm. Ai pretendon se diaspora jeton në një lloj “xhelozie primitive” sepse dikush në Prishtinë “i ka punët më mirë”.
Kush i ka punët më mirë, o Ardian Kastrati?
Ti dhe kasta jote që u pasuruat brenda natës përmes tenderomanisë, haraçit dhe zhvatjes së pronës publike?
Jetesa dhe mirëqenia e diasporës shqiptare në Gjermani, Zvicër, Britani të Madhe apo SHBA është e ndërtuar mbi themelet e punës së ndershme, meritokracisë dhe dinjitetit njerëzor. Ata nuk kanë pasur nevojë t’i lëpijnë çizmet asnjë shefi partie, as Hashim Thaçit, e as Ramush Haradinajt, e as t’i shërbejnë ndonjë klani kriminal për ta siguruar një vend pune apo një titull akademik. Standardi i tyre i jetesës, siguria sociale dhe liria e tyre intelektuale janë kilometra larg degradimit ku ju e keni zhytur shoqërinë brenda Kosovës.
Dhe kur flet për ata që ikën pas lufte si “të dështuar”, e vërteta ta zë fytin. Ata nuk ikën nga Kosova sepse dështuan me jetën e tyre, ata ikën sepse ju e bëtë Kosovën të pajetueshme. Ata ikën nga PDK-ja e AAK-ja e jote, nga strukturat e SHIK-ut, nga vrasjet e pasluftës2 të gazetarëve, politikanëve dhe komandantëve të ndershëm që refuzuan të bëheshin pjesë e mafies suaj. Njerëzit ikën sepse ju e ndërtuat një sistem ku, nëse nuk ishe pjesë e xhepit të Sami Lushtakut apo Hashim Thaçit, apo Ramush Haradianjt, nuk kishe hapësirë as të merrje frymë. Ikën sepse ju e rikthyet ndikimin ekonomik e politik të Serbisë përmes monopoleve tuaja kriminale, duke e shkatërruar çdo mundësi për biznes të ndershëm.
Për këto krime ti hesht, Kastrati. Hesht sepse frika ta ngrin gjakun. Ti e di mirë se si përfundojnë ata që guxojnë të flasin për zhvatjen industriale të fondeve të luftës si “Vendlindja Thërret”, apo për atentatet si ai ndaj Gazmend Halilajt, në shtëpinë e të cilit dikur mbahej Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Ti ke zgjedh t’i sulmosh viktimat e sistemit tënd vrastarë e kriminal, duke i quajtur të dështuar, ndërsa veten e shpall sukses, thjesht sepse ke arritur ta mbrosh një karrige të ndotur me korrupsion.
Gënjeshtra e Tretë: “Kompleksi i Luftës” dhe Hakmarrja Politike
“Një pjesë e diasporës që e votoi Albinin thjesht është e kompleksuar nga mos pjesëmarrja në luftë dhe Albini i ka paketuar në një paketë politike hakmarrëse të gjithë këto... çlironi nga kompleksi i mosqenien në luftë, sepse do t’i shpallim të gjithë komandantë.” - Ardian Kastrati
Teza se diaspora vuan nga një “kompleks i mospjesëmarrjes në luftë” është kulmi i pafytyrësisë politike. Si mund të ketë kompleks mosqenieje në luftë ajo kategori njerëzish që i la punët, familjet dhe rehatinë në Evropë për t’u rreshtuar në radhët e UÇK-së? Batalioni “Atlantiku” dhe qindra dëshmorë që erdhën nga mërgimi janë dëshmia e gjallë që të përgënjeshtron.
Por pjesa tjetër e diasporës që nuk e mori armën në dorë, e kreu një mision po aq të shenjtë. Ata ishin logjistika, financat dhe zëri diplomatik i asaj lufte, protestuesit që e këmbonin zërin për liri gjithandej qendrave globale të vendosjes. Pa sakrificën e tyre ekonomike, Kosova do të kishte mbetur një tokë e djegur pa asnjë mundësi ringritjeje. Kurse sot, ju që i vodhët ato fonde dhe që e shndërruat vlerën e luftës në një biznes privat të familjeve tuaja, guxoni t’i mbani ligjërata morale mërgatës shqiptare.
Mërgata nuk voton me inat e as me frustrim. Ajo voton me dinjitet dhe me një kapacitet intelektual e vlerësues që është shumë herë më i lartë se i një kaste politike e kriminale që mendon vetëm për tenderin e radhës. Ata votojnë me vetëdije të pastër politike sepse duan ta shohin Kosovën shtet ligjor, të çliruar nga kthetrat e komandantëve të vetëshpallur që, pasi e dëbuan Serbinë me ndihmën e NATO-s, e trajtuan Kosovën si plaçkë lufte. E kthyen Serbinë në Kosovë.
Kapitullimi Moral i një Kaste në Rrënim
Nuk ka asgjë më primitive se sa xhelozia dhe urrejtja që ju, si elitë e dështuar, e keni ndaj mërgatës. Ju i urreni ata sepse nuk mund t’i kontrolloni. Nuk mund t’i shantazhoni me një vend pune në administratë, nuk mund t’i blini me një ndihmë sociale para zgjedhjeve dhe nuk mund t’i frikësoni me strukturat tuaja parapolitike e vrastare. Ata janë të lirë, janë të pavarur ekonomikisht dhe e kanë parë se si funksionon një shtet i vërtetë demokratik ku sundon ligji e jo klani.
Fjalimi i Ardian Kastratit në Klan Kosova nuk ishte thjesht një analizë e gabuar, ishte një dërdëllisje e turpshme mbi historinë dhe mbi sakrificën e miliona shqiptarëve jashtë vendit. Por kjo dërdëllisje po ju kthehet mbrapa në fytyrë. Rropatjet tuaja televizive nuk janë gjë tjetër veçse ngulfatjet e fundit të një kaste politike që po mbytet në rrjetën e gënjeshtrave dhe të krimeve të veta.
Mërgata shqiptare ka qenë, është dhe do të mbetet mbrojtësja më e madhe e sovranitetit dhe e demokracisë në Kosovë. Dhe asnjë shpifje e një rroktari politik nuk mund ta zbehë këtë të vërtetë monumentale. Koha e llogaridhënies suaj para historisë ka filluar, dhe asnjë studio televizive nuk ju shpëton dot më nga gjykimi i pamëshirshëm i popullit të vetëdijshëm.
Kur Transmetuesit Bëhen Platformë e Shpëlarjes së Historisë
E gjithë kjo shfaqje e mjerueshme televizive nuk do të ishte e mundur pa nji makineri mediale që, në emër të shikueshmërisë, e ka sakrifiku çdo parim të etikës dhe përgjegjësisë publike. Studio si ato të Klan Kosovës po u japin hapësirë të pakufizuar figurave si Kastrati, duke u shndërru nga transmetues të informacionit në bashkëfajtorë të nji tentative monstruoze, rishkrimit të qëllimshëm të historisë sonë. Kjo përpjekje e koordinuar po fshihet paturpësisht pas perdes së nji “opozitarizmi” apo “analize” kundër Albin Kurtit.
Por ky tregim nuk ka të bëjë fare me Kurtin. Ky është nji sulm i mirëfilltë strategjik për ta destabilizu të vërtetën tonë kolektive dhe për ta minimizu, madje edhe arsyetu, gjenocidin e Serbisë në Kosovë duke e fshirë atë nga memoria historike. Janë të njëjtit njerëz dhe të njëjtat struktura që, përmes monopoleve, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit, e kthyen ndikimin ekonomik e politik të Serbisë në Kosovë për dy dekada rresht. Për ta bërë këtë rikthim të suksesshëm dhe të përhershëm, atyre u duhet ta shkatërrojnë kujtesën tonë kombëtare. Ata duan ta bëjnë rezistencën tonë të lavdishme dekadave të tëra kundër Jugosllavisë të duket si nji vajtim banal për shpërbërjen e saj. Kur media e normalizon këtë perversitet, ajo pushon së qeni shtyllë e demokracisë dhe kthehet në nji mjet të spastrimit të historisë.
Kush po e Mbron të Vërtetën e këtij Shteti?
Përballë këtij eskalimi të hapur dhe të rrezikshëm të luftës hibride brenda studiove tona, shtrohet nji pyetje urgjente për autoritetet e sigurisë dhe të inteligjencës në Kosovë.
Pse jeni në gjumë?
Ku është mekanizmi ynë institucional për mbrojtjen e të vërtetës shtetërore dhe kushtetuese?
Ku është qeveria, ku janë deputetët dhe ku janë entitetet e panumërta që ligjërisht e kanë për detyrë ta mbrojnë integritetin e këtij vendi nga agresioni informativ?
Nëse mekanizmat ligjorë dhe rregullatorë nuk funksionojnë për t’i ndalu fushatat që i fyejnë hapur themelet e shtetësisë dhe sakrificën kombëtare, çfarë pritet nga qytetarët?
A duhet që njerëzit të marshojnë dhe t’i demolojnë studiot televizive për ta mbrojtë dinjitetin e tyre, apo duhet ende të presim që autoritetet e përgjumura të zgjohen dhe të bëjnë atë që ligji ua kërkon me ngulm?
Heshtja e institucioneve përballë këtij linçimi publik nuk është thjesht paaftësi, është kapitullim i rrezikshëm përpara nji agjende që synon rrënimin e brendshëm të Kosovës.
Nga Bojkoti Popullor tek Veprimi Ligjor
Zgjidhja ndaj këtij degradimi nuk vjen duke pritur reflektim nga ata që ushqehen me këtë krizë, ajo e kërkon nji ndërhyrje kirurgjikale dhe të koordinuar në tri nivele urgjente:
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM): Ky institucion duhet të kalojë menjëherë nga roli i nji vëzhguesi pasiv në nji organ të prerë ligjor. KPM ka për detyrë të aplikojë sanksione të ashpra financiare dhe, në rast të përsëritjes së gjuhës së urrejtjes apo thirrjeve për përçarje kombëtare, t’i pezullojë liçencat e transmetuesve si Klan Kosova. Hapësira publike nuk është pronë private e bizneseve mediale, ajo rregullohet me ligj dhe kushtetutë.
Autoritetet dhe Prokuroria e Shtetit: Organet e rendit dhe të sigurisë duhet ta trajtojnë luftën hibride dhe dezinformimin e koordinuar jo si “liri të shprehjes”, por si nji kërcënim serioz ndaj rendit kushtetues dhe stabilitetit të brendshëm. Prokuroria duhet të nisë hetime të menjëhershme ndaj çdo eksponenti politik që i përdor platformat televizive për të nxitë urrejtje klasore apo për ta sulmuar integritetin e shtetasve tanë jashtë vendit.
Reagimi Qytetar dhe Bojkoti i Mërgatës: Fuqia më e madhe mbetet tek audienca. Qytetarët brenda dhe jashtë vendit duhet t’i ndëshkojnë këto studio televizive duke i bojkotu masivisht ato. Kputni kontratat me këta kriminelë. Kur audienca bie, bien edhe reklamat, e bashkë me to edhe financimi i platformave të helmimit publik. Mërgata e ka fuqinë ekonomike dhe politike që përmes bojkotit të synuar t’u tregojë këtyre mediave se shpëlarja e historisë mbart nji kosto të lartë financiare dhe shoqërore.
Kjo betejë nuk është thjesht nji përplasje narrative, është nji luftë për mbijetesën e të vërtetës sonë historike. Kosova nuk mund të lejojë që liria e saj, e paguar me gjak, të tregtohet nëpër studio televizive për llogari të nji kaste politike vrastare e plaçkitëse që po shembet nën peshën e krimeve dhe dështimeve të veta.
Problemi Nuk Ishte Fjalia e Kurtit. Problemi Ishte Pasqyra e Haradinajt
Për vite, Ramush Haradinaj e quajti Albin Kurtin spiun serb. Ndërkohë, ishte Kurti ai që goditi strukturat serbe që të tjerët toleruan.
DPT Te Fidani, flet Ardian Kastrati, Facebook Post, 19 Qershor, 2026.
Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit
Në prill 2025 redaksia jonë u përball me një përpjekje për të na futur në një kurth të ndërtuar si honeytrap, me synimin për të prodhuar kompromat kundër nesh. Në vend që të tërhiqeshim, hulumtuam ps…




