Çfarë nuk tregoi Vjosa Osmani në CNN
Në CNN, Vjosa Osmani u paraqit si dëshmitare e krizës së Kosovës. Por në fakt ne e kemi parë se ajo ishte edhe pjesë e vendimeve që e prodhuan atë.
Këto rreshta po i shkruaj nën një qiell të shqyer prej raketave ruse të lundrimit, bombave të rënda të udhëzuara dhe ulurimës së pandalshme të dronëve iranianë që shënjestrojnë civilët ukrainas. Kam kaluar dekada duke raportuar nga rrënojat e zhveshura të Ballkanit, Evropës Lindore, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, një karrierë e ndërtuar duke parë politikanë që gënjejnë në shumë gjuhë. I kam parë tek mbështillen me flamur për ta fshehur hajninë, dhe i kam dëgjuar tek thirren në “vullnetin e popullit”, ndërsa me vetëdije e zhveshin atë nga çdo e drejtë. Por, madje edhe këtu, në mes të një lufte gjithëpërfshirëse për mbijetesë që po e kërcënon stabilitetin e mbarë kontinentit evropian, nuk mund t’i lejoj të kalojnë pa përgjigje deklaratat shkatërruese e revizioniste të ish-Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të dhëna në CNN1.
Ekziston një lloj mashtrimi politik tejet i rafinuar, para të cilit mediat perëndimore dorëzohen rregullisht përballë një teknokrati të lëmuar, të shkolluar në Perëndim, që e flet një anglishte të rrjedhshme, e përdor fjalorin e institucioneve demokratike dhe i trajton studiot ndërkombëtare të lajmeve si lavatriçe për larjen e dështimeve të brendshme.
Paraqitja e fundit e Osmanit në CNN ishte një kryevepër e këtij arti.
Për shikuesin perëndimor të painformuar, Osmani shpërfaqte një figurë fisnike, pothuajse tragjike, një kampion i moderimit i stilit të New York Times, që ngjan me një laureat potencial të Çmimit Nobel për Paqe, i mbetur fillikat në një det mosfunksionimi ballkanik. Ajo i vajtonte zgjedhjet e treta në Kosovë brenda gjashtëmbëdhjetë muajve.
E quante ngatërresën politike “krejtësisht të panevojshme”.
Fliste për “demokracinë që luan me veten”, sikur kriza kushtetuese që aktualisht po e paralizon demokracinë më të re të Evropës të ishte një ngjarje atmosferike e paparashikueshme, një ndëshkim hyjnor ku ajo vetë ishte thjesht një spektatore e lënduar.
Ishte një aktrim bindës. Por, ishte edhe një mashtrim i thellë.
Ajo që Osmani i ofroi CNN-it ishte një mjegullnajë e njohur diplomatike, e dizajnuar për t’ia hequr përgjegjësinë pikërisht personit që e posedonte atë: vetvetes. Tragjedia e asaj interviste nuk është vetëm ajo që zonja Osmani e tha, por ajo që iu lejua ta anashkalonte. Osmani nuk mbërriti te kriza e Kosovës nga jashtë. Ajo nuk ishte thjesht një vëzhguese e zjarrit. Ajo në fakt është autorja e shkëndisë së zjarrit.
Pyetja qendrore dhe djegëse që tani varet mbi paralizën politike të Kosovës është roli i vetë Osmanit në projektimin e saj. Më 6 mars 2026, ishte pikërisht Osmani ajo që e nënshkroi dekretin për shpërbërjen e parlamentit pas dështimit të votimit për president. Ajo e kornizoi këtë si një domosdoshmëri kushtetuese. Por, ne e pamë atë për çfarë ishte në të vërtetë, një manovër e ngutshme, e ngarkuar politikisht, e ekzekutuar në çastin e saktë kur rruga e saj drejt një mandati të dytë presidencial ishte ngushtuar.
Detyra më e lartë e një presidenti është të veprojë si peshë stabiliteti, të tregojë vetëpërmbajtje kur temperatura politike vlon. Në vend të kësaj, Osmani e shndërroi një mosmarrëveshje të zakonshme politike në një thyerje të plotë kushtetuese, duke bërë bixhoz me stabilitetin e një shteti që përballet me kërcënime të vazhdueshme e asimetrike të sigurisë nga Serbia dhe agjitatorët e rreshtuar me Rusinë.
Kur nisi bllokada, Kosova kishte një hov të vërtetë ndërkombëtar. Duke e zhytur vendin në kaos institucional, Osmani e ngriu këtë hov. E megjithatë, në televizionet ndërkombëtare, ajo sillet si mjeku që e ofron shërimin e sëmundjes, por jo si pacienti që në fakt e përhapi sëmundjen.
Kjo hipokrizi nuk ka kaluar pa u vërejtur nga njerëzit që jetojnë këtu. Në vitin 2021, Osmani erdhi në pushtet përmes një liste të përbashkët reformiste, duke siguruar një mandat historik e kumbues me mbi 300,000 vota personale nga qytetarët e dëshpëruar për t’i thyer kthetrat e rrjeteve të korruptuara, kriminale e vrastare të pasluftës në Kosovë. Në zgjedhjet e qershorit 2026, duke garuar me LDK-në, ajo mori më pak se 10,000 vota2.
Kjo nuk është një luhatje e vogël statistikore, kjo është një kolaps katastrofik i besimit publik. Publiku i Kosovës, i dërmuar nga zgjedhjet e përsëritura, e shikoi gruan që premtonte pastërti institucionale dhe vendosi se ajo ishte bërë pjesë e vetë arkitekturës politike të ngatërresës që pretendon se e urren3.
Edhe më i rëndë është përdorimi i saj si armë i fjalës “kompromis”. Në CNN, ajo e përdori këtë term kundër Kryeministrit Albin Kurti, duke i ftuar shikuesit perëndimorë ta shohin krizën përmes një kornize dembele e të ricikluar me konceptin se kemi të bëjmë me një autokrat kokëfortë ballkanik që refuzon ta ndajë pushtetin me të tjerët. Por në Kosovë, fjala “kompromis” ka një vlerë më të errët, historike. Shpesh është fjala e respektueshme që përdoret për kapjen e shtetit. Kjo nënkupton restaurimin e rrjeteve të diskredituara oligarkike, amnisti për korrupsionin e vjetër dhe lejimin e forcave të refuzuara nga votuesit në kuti të zvarriten prapë në pushtet përmes derës së pasme të domosdoshmërisë procedurale.
Duke e mbrojtur një “kompromis” të papërcaktuar, ndërsa hesht për kontaktet e saj të prapaskenës, përfshirë manovrat e hulumtuara me aktorë rajonalë4 si Edi Rama i Shqipërisë dhe mbetjet e fraksioneve të vjetra politike, Osmani po e luan një lojë të rrezikshme. Ajo po ofron mbulesë ndërkombëtare për rehabilitimin e po atyre rrjeteve që e trajtuan këtë republikë si pronë private për dy dekada, për ata që vranë5 e i rrahën6 intelektualët, patriotët, gazetarët e politikanët tanë.
Në një shtet të brishtë si Kosova, bllokada e brendshme nuk është një komoditet i papërshtatshëm, është një cenueshmëri e sigurisë. Çdo thyerje institucionale lexohet në Beograd dhe shënohet në Moskë. Kur liderët e Kosovës i japin prioritet mbijetesës personale para vazhdimësisë institucionale, ata aktivisht e rrezikojnë rrugëtimin e vendit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Gazetaria ndërkombëtare duhet të ndalojë së ngatërruari rrjedhshmërinë e gjuhës me besueshmërinë. Rrjetet perëndimore nuk mund t’ua lejojnë më komoditetin liderëve të huaj që t’i përdorin platformat e tyre për t’i interpretuar aktet e iluzionit politik. Verifikimi i pretendimeve duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë si ndaj Kurtit, ndaj opozitës, dhe në mënyrë të pamëshirshme ndaj vetë Vjosa Osmanit.
Fundja, fjalia që mungonte në intervistën e Osmanit ishte më e rëndësishmja: “Unë isha pjesë e vargut të vendimeve që e sollën Kosovën në buzë të humnerës.”
Derisa ajo të detyrohet ta thotë këtë, shtypi ndërkombëtar duhet të ndalojë së trajtuari atë si dëshmitare të paqëndrueshmërisë së Kosovës, dhe të fillojë ta hetojë si një nga autoret e saj.


