OVL-ja po Bërtet për ta Mbytur të Vërtetën
UÇK-ja e çliroi Kosovën; Hashim Thaçi e plaçkiti atë; OVL-ja sot po e mbron plaçkën dhe përdhosjen, jo sakrificën, as të rënët, as drejtësinë. Ne nuk do të heshtim.
Më 4 shkurt 2026 ne botuam një hulumtim me një titull që s’e fsheh qëllimin e vet.
“Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit” — Kronika B Hulumtim.
E nisëm nga një incident i prillit 2025, një kurth i ndërtuar si honeytrap1, sepse në Kosovë sot edhe kompromentimi është mjet politik, pastaj e lidhëm me një plagë më të vjetër, me mënyrën si u trashëgua pushteti pas qershorit 1999, si u shpërnda frika, si u mbyllën hetimet, si u mbajtën peng dëshmitarët dhe si u shndërrua lavdia e luftës në liçencë për pandëshkueshmëri.
Ne nuk shpallëm verdikte.
Ne e thamë qartë, kjo është metodologji e përshkruar nga burime, e ndërtuar mbi përputhje, mbi regjistër publik, mbi prova të verifikueshme dhe mbi dëshmi që trajtohen si dëshmi, jo si prova absolute. Kjo e dallon gazetarinë nga propaganda. Propaganda nis me përfundimin dhe pastaj kërkon arsyetimin. Gazetaria nis me faktin, pastaj e mat fjalën.
Më 5 shkurt, OVL-ja doli me një reagim2.
Jo ndaj fakteve, por ndaj një fyerjeje imagjinare.
Ata thanë se shkrimi ynë qenka “përpjekje për ta paraqitur luftën çlirimtare si të papastër”.
Këtu ndodh mashtrimi i parë. Ne nuk e sulmuam luftën çlirimtare. Ne e sulmuam idenë se çdo krim pas lufte mund të lahet duke u mbështjellë me atë luftë. Ka një dallim që një organizatë veteranësh duhej ta dinte me instinkt, sepse instinkti i veteranit është nderi, jo imuniteti për krimin.
Po atë ditë, një portal, Lajmi.net3, e bëri mashtrimin edhe më të trashë. E zëvendësoi argumentin me epitete.
“Propagandues”. “I ashtuquajtur gazetar”. Dhe pastaj, si gjithmonë, e futi edhe etiketën e gatshme, “mbështetës i madh i Vetëvendosjes”.
Ky është mashtrimi i dytë. Kur s’mund ta rrëzosh një fakt, përpiqesh ta rrëzosh autorin. Kur s’mund ta çmontosh një metodë, i vë vulë një emri. Kjo nuk është mbrojtje e UÇK-së. Kjo është teknikë disiplinimi, një policim moral i fjalës, që e ka zëvendësuar për shumë vite policimin ligjor të krimit.
Këtu është pika ku duhet të jemi të ftohtë, madje klinikë. Çfarë bëri OVL-ja. Ajo mori një shkrim që flet për vrasje politike të pasluftës, për dezinformim, për manipulim institucional, për borxhe shantazhi, për një kulturë ku “atmosfera atentati” prodhohet për ta arsyetuar neutralizimin e kundërshtarit, dhe e ktheu në një debat të rremë rreth “pastërtisë së luftës”. Ky është shantazh simbolik. Sepse askush s’ka guxim të duket sikur e fyen luftën. Dhe pikërisht nga ky frikësim ushqehen ata që e përdorin luftën si perde.
Nëse UÇK-ja ishte çlirim, atëherë çlirimi ka një emër tjetër, liri. Dhe liria ka një kërkesë të thjeshtë, llogaridhënie. Kush e do vërtet lavdinë e UÇK-së, nuk e mbron duke i mbyllur sytë para krimit. E mbron duke e ndarë me thikë të ftohtë çlirimin nga përvetësimi. E mbron duke e mbrojtur kujtimin e dëshmorëve nga ata që e përdorin si monedhë për ta arsyetuar plaçkitjen dhe vrasjen sistematike të patriotëve që ishin kërcënim për armikun, Serbinë.
Këtu hyn dallimi që OVL-ja po e fsheh me qëllim. Një çlirimtar është ai që e merr rrezikun mbi vete për t’ia hequr popullit frikën. Një sistem vrasjesh është ai që e merr lavdinë mbi vete për t’ia shtuar popullit frikën. Njëri e hap sheshin. Tjetri e mbush sheshin me zëra të ulët, me dyshime, me varre pa emër dhe me dosje që kurrë s’shpërthejnë në gjyq.
Organizata e veteranëve duhej të ishte gardiane e kujtesës së pastër. Jo roje e një kulti kriminal. Jo zyrë e avokatit për të fuqishmit. Jo tribunë që e kërcënon moralin publik me fjalën “njollosje” sa herë që dikush kërkon të di kush i vrau kundërshtarët politikë, kush i frikësoi hetuesit, kush i uli prokurorët në gjunjë, kush e bëri Kosovën një vend ku as vrasjet e famshme s’kanë fajtor.
Ata thonë “spekulime e jo fakte”. Mirë. Atëherë të flasim si njerëz që e respektojnë faktin.
A e mohon OVL-ja se Kosova ka vrasje politike të pazgjidhura?
A e mohon OVL-ja se për dy dekada pas lufte u krijua një kulturë ku rasti i madh bëhet zhurmë dhe pastaj bëhet heshtje?
A e mohon OVL-ja se në Kosovë u krijua një sistem ku reputacioni vritet para se trupi të shënjestrohet?
A e mohon OVL-ja se u shpërndanë narrativa të gatshme për ta zhvendosur fajin te rivalët?
A kishte sipas OVL-së vrasje politike në Kosovë?
A u vranë gazetarët?
A u vranë politikanët?
A u vranë aktivistët politikë?
Nëse i mohon këto, atëherë nuk po e mbron luftën. Po e mbron gënjeshtrën.
Dhe tani kujtesa duhet t’i rikthehet kronologjisë që ata do ta prisnin, sepse kronologjia është armiku i mitit. Më 18 maj 20254, OVL-ja iu gjunjëzua Richard Grenellit. Ky është një fakt moral edhe kur ata e mbështjellin me fjalë të ëmbla. Një organizatë që pretendon se e ruan dinjitetin e luftës i shkruan një operatori të huaj të përfshirë në skandal seksual me fëmijë në Serbi5 dhe të lidhur kontraktualisht me aleatët e Moskës ne Evropë i cili verifikueshëm ka punuar për Serbinë kundër Kosovës. Po këtij OVL-ja i kërkon6 t’i minojë Dhomat e Specializuara7, pra një mekanizëm drejtësie të ngritur sepse vetë drejtësia vendore u bë e cenueshme, e frikësuar, e kapur. Kjo nuk është “mbrojtje e veteranëve”. Kjo është mbrojtje e të akuzuarve. Kjo është zgjedhje politike me pasoja historike.
Më 13 janar 2026, ne shkruam për tregun ku shitet “heroi” me frikë8, për monedhën e vjetër të fjalës “hero” që e ka humbur metalin dhe ka mbetur vetëm vulë. Aty është rrënja e reagimit të sotëm. Sepse OVL-ja nuk reagoi se u ofendua UÇK-ja. Reagoi sepse u prek tregu. U prek mekanizmi i shitjes së nderit të të rënëve për mbrojtjen e të gjallëve të paprekshëm.
Në këtë vend, një organizatë veteranësh duhet të kishte një detyrë të shenjtë. Ta thotë këtë fjali të thjeshtë:
“UÇK-ja nuk është pronë. UÇK-ja nuk është mburojë. UÇK-ja nuk është alibi”.
Por OVL-ja e bën të kundërtën. Ajo thotë, “Nëse prek të akuzuarin, e ke prekur luftën”.
Kjo është formula e shndërrimit të lavdisë në mbrojte të krimit, plaçkitjes dhe vrasjeve politike. Dhe kur lavdia bëhet imunitet, ajo pushon së qeni lavdi. Bëhet instrument.
Prandaj reagimi i tyre është i rrezikshëm edhe kur duket patriotik. Sepse ia mëson shoqërisë një zakon të keq, ta ngatërrojë kujtesën me bindjen. Ta ngatërrojë nderimin me heshtjen. Ta ngatërrojë kritikën me tradhtinë. Dhe ky është terreni ku lind një “entitet kriminal” që e vesh uniformën e shenjtë për t’i fshehur duart e pista.
Ne nuk kemi nevojë t’i urrejmë veteranët. Ne kemi nevojë t’i çlirojmë veteranët nga uzurpatorët e emrit të tyre. Sepse veteranët e vërtetë, ata që e dinë ç’është varfëria, braktisja, vetmia e pasluftës, ata nuk fitojnë asgjë nga kjo organizatë që rri në podium sa herë duhet të mbrohet një figurë e fuqishme kriminale. Ata fitojnë drejtësi, pension dinjitoz, shëndetësi, respekt, jo histeri kundër gazetarisë.
Dhe tani, le të kthehemi te thelbi i shkrimit tonë. Ne folëm për një metodë. Për identifikim objektivash, për afrime nën legjitimitet, për delegim dhune, për inskenim faji, për artefakte propagande, për deformim institucional, për media që shërbejnë si megafon. OVL-ja nuk i mohoi asnjë nga këto me një fjali të verifikueshme. Ajo thjesht bërtiti “njollosje”.
Kjo është zbulesa e tyre. Një organizatë që ka argumente, sjell argumente. Një organizatë që ka fakte, sjell fakte. Një organizatë që e mbron nderin e luftës, e mbron edhe të drejtën e shoqërisë për të pyetur. Kurse një organizatë që e mbron një sistem kriminal, kërkon heshtje. Kërkon që fjala të frikësohet.
Ne nuk do ta pranojmë këtë.
Sepse Kosova nuk u çlirua që sot të qeveriset nga frika ndaj pyetjes. Kosova nuk u çlirua që sot të shpallet “tradhtar” kushdo që kërkon llogari. Kosova nuk u çlirua që sot një organizatë e veteranëve të funksionojë si gjykatë morale kundër gazetarisë.
Nëse OVL-ja do të ishte ajo që pretendon, do të thoshte,
“Hetoni. Hapni dosjet. Mbroni dëshmitarët. Ndëshkoni krimin, kushdo qoftë”.
Në vend të kësaj, ajo thotë, “Mos e prekni mitin”. Dhe kur një organizatë veteranësh mbron mitin më shumë se të vërtetën, ajo ka ndryshuar natyrë. Nuk është më institucion kujtese. Është institucion i shtypjes.
Prandaj po e themi thjesht, pa maska. UÇK-ja ishte luftë çlirimtare. Por çdo krim i bërë në emër të saj është përdhosje. Çdo sistem vrasjesh i fshehur pas saj është tradhti. Dhe çdo organizatë që i mbron këto duke e sulmuar gazetarinë, nuk po e mbron lavdinë. Po e mbron alibinë e krimit.
Ne do ta mbrojmë shkrimin tonë me të njëjtën gjë që ata e urrejnë, dallimin mes fjalës dhe provës, mes pretendimit dhe dokumentit, mes nderit dhe imunitetit. Ata mund të bërtasin “njollosje”. Ne do të vazhdojmë të pyesim, kush u vra, kush urdhëroi, kush mbuloi, kush përfitoi, kush i mbajti institucionet të verbra. Kush i vrau gazetarët tanë. Kush i varu patriotët tanë. Kush i vrau politikanët tanë. Kush i vrau aktivistët politikë që ishin kërcënim për Serbinë?
Dhe në fund, kjo është pyetja që me sa duket atyre po ju djeg. A jeni organizatë veteranësh, apo jeni mekanizëm mbrojtës i një rrjeti kriminal që e ka shndërruar çlirimin në plaçkë. Nëse doni të quheni veteranë, silluni si veteranë. Ruani dinjitetin e të rënëve duke mos i mbrojtur të paprekshmit. Sepse lavdia e UÇK-së nuk ka nevojë për roje që kërcënojnë. Ka nevojë për njerëz që s’kanë frikë nga e vërteta. Ka nevojë për dinjitet qe me sa duket nuk është në fjalorin tuaj.
Me termin honeytrap nënkuptohet një metodë e njohur e operacioneve të inteligjencës dhe komprometimit politik, ku një objektiv shënjestrohet përmes joshjes personale, emocionale ose seksuale, me qëllim krijimin e materialeve komprometuese ose vendosjen e tij në një situatë të kontrollueshme. Qëllimi nuk është marrëdhënia në vetvete, por prodhimi i varësisë, shantazhit ose diskreditimit publik në një fazë të mëvonshme. Në kontekste politike dhe mediatike, honeytrap-i përdoret për të frikësuar, neutralizuar ose delegjitimuar zëra kritikë, duke zëvendësuar debatin publik me presion personal dhe duke e zhvendosur konfliktin nga faktet te turpi i fabrikuar.
OVL-UÇK reagon ndaj shkrimit propagandeus të ashtuquajturit gazetar Vudi Xhymshiti, e cilëson përpjekje për njollosjen e luftës çlirimtare — Lajmi.net.
Letra e Turpit: OVL e UÇK-së i dorëzohet Grenellit
OVL e UÇK-së i lypi drejtësi armiku të saj. E turpëroi luftën për liri, e përqafoi një propagandist të Beogradit dhe kërkon t’i mohojë viktimat e së vërtetës. — Kronika B Kritikë.
Skandali Seksual me të Mitur në Serbi e shpjegon linjën e Grenellit kundër Kosovës
Skandali seksual me të mitur në Serbi e paraqet Grenellin si figurë të shantazhueshme, duke ndriçuar fushatat e tij agresive dhe ndërhyrjet politike kundër Kosovës. — Kronika B Hulumtim.
OVL-UÇK i dërgon letër Grenellit, kërkon të mbyllet Gjykata Speciale — KOHA Ditore.
Gjykata Speciale ndez polemika në Kosovë: Pranon prova nga Serbia
Pranimi i provave të Serbisë nga Gjykata Speciale në Hagë ndez debat të ashpër në Kosovë, ringjall trauma të luftës, tension politik dhe sfida për drejtësinë tranzicionale. — Kronika B Politikë.
Si Shitet “Heroi” në Tregun e Frikës së Prishtinës
Si u alarmua rrethi mbrojtës i krimit. Ajo që thashë e trembi rrethin e ngushtë të një rrjeti kriminal që mbron një plaçkitës, të cilit padrejtësisht i vishet titulli “hero”. — Kronika B Analizë.


