Një konflikt financiar që përfshin Richard Grenellin, ish të dërguarin e Donald Trumpit për Kosovën dhe Serbinë, ka mbërritur deri në Zyrën Ovale. Në qendër janë një transfertë prej 17,6 milionë dollarësh, një donacion i kontestuar prej 5,6 milionësh dhe interesat ekonomike në Venezuelë. Zbulimet e The New York Times marrin rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, ku KRONIKAT E BARUTIT kanë dokumentuar ndër vite përpjekje për ta përdorur emrin, ndikimin dhe lidhjet politike të Grenellit në operacione dezinformative që lidhen me drejtësinë ndërkombëtare.
Nga redaksia e Kronikave të Barutit
Richard Grenell, një prej bashkëpunëtorëve më të njohur të presidentit amerikan Donald Trump dhe figurë me ndikim në politikën amerikane ndaj Ballkanit, është përfshirë në një konflikt të rëndë brenda rrethit presidencial amerikan, pas akuzave se miliona dollarë të transferuar nga një biznesmen me interesa në Venezuelë nuk kanë përfunduar në destinacionin për të cilin, sipas familjes së biznesmenit, ishin destinuar. Çështja ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, ku këshilltari juridik i presidentit, Will Scharf, është përfshirë në shqyrtimin e pretendimeve. Grenell i ka mohuar kategorikisht akuzat.
Sipas një hulumtimi të gazetarëve Tyler Pager dhe Anatoly Kurmanaev, të botuar nga The New York Times më 15 tetor 2026, Alina Habba Mildon, ish avokate personale e Trumpit, ka shkuar në Zyrën Ovale për t’i paraqitur presidentit akuza kundër Grenellit. Bashkëshorti i saj, investitori turk Turhan Mildon, kishte zhvilluar marrëdhënie me Grenellin gjatë vitit 2025, kur ky i fundit shërbente si i dërguar i posaçëm amerikan për Venezuelën dhe e drejtonte Qendrën Kennedy për Artet Skenike në Washington1.
Konflikti nuk kufizohet në një mosmarrëveshje personale. Ai ngre pyetje për marrëdhëniet ndërmjet funksioneve publike, interesave private dhe qasjes së biznesmenëve te zyrtarët me ndikim në administratën amerikane. Për Kosovën, zhvillimi ka rëndësi për një arsye tjetër. Grenell ka qenë një prej figurave të jashtme më aktive në debatin politik për marrëdhëniet Kosovë dhe Serbi, ndërsa emri i tij është shfaqur në hulumtimet e Kronikave të Barutit mbi operacionet e dezinformimit, lobimin politik dhe përpjekjet për të ndikuar në perceptimin publik ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë2.
Transferta prej 17,6 milionë dollarësh dhe takimi në Zyrën Ovale
Sipas raportimit të The New York Times, Alina Habba Mildon i ka thënë presidentit Trump se bashkëshorti i saj i kishte transferuar 17,6 milionë dollarë në maj të vitit 2025, në një llogari të përcaktuar, sipas saj, me udhëzimin e Grenellit. Nga kjo shumë, 5,6 milionë dollarë besohej se do të ndaheshin për Qendrën Kennedy. Ajo ka deklaruar se fondet nuk kishin mbërritur në institucion.
Gazeta amerikane raportoi se verzioni fillestar i shpjegimit kishte ndryshuar gjatë paraqitjes së tij dhe se pjesa më e madhe e shumës lidhej me një transaksion biznesi, hollësitë e të cilit nuk janë bërë të qarta. Ky është një dallim thelbësor. Shuma prej 17,6 milionë dollarësh nuk mund të përshkruhet e gjitha si donacion i munguar dhe as si pagesë e marrë personalisht nga Grenell. Dokumentet e përmendura nga gazeta lidhen me një transfertë drejt kompanisë TX-AT, një ndërmarrje në Teksas që merret me pajisje të mbrojtjes dhe sigurisë [1].
Avokati i Turhan Mildonit i ka dërguar këshilltarit juridik të Shtëpisë së Bardhë dokumente që synojnë t’i mbështesin akuzat, përfshirë një dëshmi të transfertës bankare dhe mesazhe telefonike. Njëri prej mesazheve, i atribuuar Grenellit, përmban një propozim që Mildoni të bëhej figura amerikane e biznesit në Venezuelë. Grenell e ka mohuar se e ka shkruar atë mesazh.
Grenell ka deklaruar se nuk ka marrë pagesa nga Mildoni dhe se nuk ka kërkuar transferimin e parave në një destinacion tjetër nën pretekstin e financimit të Qendrës Kennedy. Ai ka pranuar se kishte punuar si konsulent për TX-AT gjatë vitit 2024, por ka deklaruar se nuk kishte më lidhje me kompaninë kur pretendohet se u realizua transferta në vitin 2025.
Qendra Kennedy ka njoftuar se po e kryen një hetim të brendshëm të zotimeve financiare dhe fondeve përkatëse. The New York Times ka theksuar shprehimisht se nuk e kishte verifikuar vërtetësinë e akuzave të Alina Habba Mildonit. Deri në këtë fazë, informacionet e paraqitura nuk përbëjnë konstatim gjyqësor të shkeljes së ligjit dhe as provë se Grenell ka përvetësuar fonde.
Venezuela dhe interesat private në politikën e jashtme amerikane
Për ta kuptuar rëndësinë e konfliktit, duhet shqyrtuar marrëdhënia e Grenellit me Venezuelën dhe roli i biznesmenit Turhan Mildon. Sipas The New York Times, Mildoni kishte interesa të konsiderueshme ekonomike në Venezuelë, përfshirë një biznes fitimprurës në sektorin e çimentos. Marrëdhëniet e tij me njerëz të afërt me administratën Trump ishin zhvilluar në një periudhë kur politika amerikane ndaj Venezuelës po ndryshonte dhe kur vendimet e Washingtonit mund të ndikonin drejtpërdrejt në vlerën e kontratave dhe investimeve private.
Një prej marrëdhënieve që e ka tërhequr vëmendjen e zyrtarëve amerikanë, sipas gazetës, është ajo ndërmjet Mildonit dhe Alex Saabit, bashkëpunëtor i afërt i ish presidentit venezuelian Nicolas Maduro. Saab përmendet si personi që ia kishte dhënë Mildonit kontratën në sektorin e çimentos. Gazeta raporton se zyrtarë amerikanë dhe përfaqësues të inteligjencës i kanë shqyrtuar këto lidhje, ndërsa Mildoni përballet me rrezikun e humbjes së biznesit të tij në Venezuelë.
Në këtë kontekst, Grenell dhe Mildon kishin një interes të përbashkët në zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit. Gazeta amerikane i përshkruan përpjekjet e tyre për të ndikuar në politikën e administratës Trump ndaj Venezuelës, përpara se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ta merrte një rol më vendimtar në përcaktimin e saj. Ky zhvillim e vendos konfliktin financiar në një kontekst më të gjerë, ku marrëdhëniet personale, qasja politike dhe interesat ekonomike ndërthuren.
Megjithatë, ekziston një dallim ndërmjet ushtrimit të ndikimit politik, lobimit të ligjshëm dhe një veprimi që mund të përbëjë shkelje penale. Raportimi i deritanishëm ngre pyetje serioze për transparencën e këtyre marrëdhënieve, por nuk përcakton se Grenell ka kryer një vepër penale. Kjo çështje kërkon shqyrtimin e dokumenteve bankare, marrëveshjeve kontraktuale, rolit të TX-AT dhe çdo komunikimi autentik ndërmjet palëve.
Nga Washingtoni në Prishtinë, historia politike e Grenellit
Richard Grenell nuk është një figurë e panjohur për Kosovën. Gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trumpit, ai u emërua i dërguar i posaçëm për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përfshirja e tij në këtë proces u shoqërua me përplasje të forta politike, veçanërisht gjatë krizës që përfundoi me rrëzimin e qeverisë së parë të Albin Kurtit në mars të vitit 2020.
Në Kosovë, Grenell ka qenë objekt i interpretimeve të kundërta politike. Mbështetësit e tij e kanë paraqitur si një figurë që mund të siguronte qasje të drejtpërdrejtë te administrata Trump, ndërsa kritikët kanë ngritur shqetësime për qëndrimet e tij ndaj qeverisë së Kosovës, marrëdhëniet me Beogradin dhe mënyrën se si interesat amerikane janë përfaqësuar në procesin e dialogut.
KRONIKAT E BARUTIT e kanë shqyrtuar vazhdimisht këtë rol, duke i analizuar lidhjet politike të Grenellit, ndikimin e deklaratave të tij në debatin publik kosovar dhe mënyrën se si figurat vendore e kanë përdorur afërsinë e supozuar ose reale me të për t’i forcuar pozitat e tyre politike. Këto hulumtime kanë një rëndësi të veçantë në kontekstin e zbulimeve të fundit amerikane, sepse e ngrenë të njëjtën pyetje institucionale. Ku përfundon përfaqësimi i interesit publik dhe ku fillon përdorimi i qasjes politike për interesa të veçanta [2]3 ?
Hulumtimi i vitit 2025, kur Kronikat e Barutit refuzuan 5.000 euro për një dokument të fabrikuar kundër Grenellit
Më 7 prill 2025, kryeredaktori Vudi Xhymshiti e publikoi hulumtimin “Brenda Komplotit për Shkatërrimin e Gjykatës Speciale”, i cili dokumentonte një përpjekje për ta nxitur redaksinë të publikonte një material të falsifikuar kundër Richard Grenellit. Rasti kishte filluar në janar të atij viti, kur një llogari anonime në Facebook, me emrin “Laky Laky”, e kishte kontaktuar kryeredaktorin dhe i kishte ofruar 5.000 euro për publikimin e materialit [2].



Redaksia e refuzoi ofertën dhe nisi verifikimin e dokumentit. Hulumtimi, i mbështetur në komunikimet e ruajtura dhe konsultimet me burime të zyrtare dhe gazetarë në Ukrainë, arriti në përfundimin se dokumenti ishte i fabrikuar. Materiali më vonë u shfaq në platformën INFORMATORS, të cilën redaksia e identifikoi si pjesë të një mjedisi informativ të lidhur me propagandën ruse4.
Rëndësia e këtij epizodi qëndron në faktin se redaksia nuk e trajtoi Grenellin si fajtor vetëm sepse materiali e akuzonte atë. Përkundrazi, verifikimi e zbuloi një përpjekje për ta përdorur një dokument të falsifikuar kundër tij. Ky dallim mbetet thelbësor edhe sot, kur Grenell përballet me akuza të reja, kësaj radhe nga njerëz të afërt me presidentin amerikan.
Hulumtimi i prillit 2025 u zgjerua më pas drejt një rrjeti marrëdhëniesh që përfshinte figura politike, ndërmjetës, operatorë mediatikë dhe individë të lidhur, sipas gjetjeve të redaksisë, me operacione dezinformimi kundër institucioneve të drejtësisë në Kosovë. Ndër emrat e shqyrtuar ishin Milaim Zeka, Halit Sahitaj, Berat Buzhala, Baton Haxhiu, Artan Behrami dhe Fitim Çeku. Për secilin, redaksia raportoi veprimtari dhe marrëdhënie të ndryshme, pa qenë e njëjtë pesha e provave për të gjithë.
Një prej elementeve qendrore ishte përpjekja e Grenllit për ta shfrytëzuar konfliktin politik të administratës Trump me ish prokurorin Jack Smith. Smith kishte drejtuar më herët hetime në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, përpara se të emërohej prokuror i posaçëm në Shtetet e Bashkuara. Kjo e kishte bërë figurën e tij një pikë takimi ndërmjet debatit politik amerikan dhe fushatave kundër procesit gjyqësor të ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Milaim Zeka, Halit Sahitaj dhe përdorimi i emrit të Grenellit
Në hulumtimin “Dosja sekrete e Milaim Zekës nga takimet me spiunët rusë te shitja e arkivës së UÇK-së në Serbi”, Kronikat e Barutit i shqyrtuan marrëdhëniet ndërmjet Milaim Zekës, Halit Sahitajt dhe figurave të tjera të përfshira në qarkullimin e materialeve kundër drejtësisë ndërkombëtare. Redaksia e dokumentoi përpjekjen e Sahitajt për ta bindur redaksinë ta publikonte një dokument të fabrikuar që kishte në shënjestër Grenellin [3].
Sipas burimeve të redaksisë në Kosovë, një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës kishte ndërmjetësuar kontakte ndërmjet Zekës dhe Grenellit. Hulumtimi e vendosi këtë marrëdhënie në kontekstin e përpjekjeve për ta shfrytëzuar kundërshtimin politik amerikan ndaj Jack Smithit. Kjo linjë hetimi është e rëndësishme sepse tregon mënyrën se si një konflikt i brendshëm amerikan mund të përdoret për të ndikuar në një proces gjyqësor që zhvillohet jashtë Shteteve të Bashkuara.
Në raportimin e 7 prillit 2025, redaksia publikoi edhe hollësi nga një bisedë e regjistruar me Zekën. Ai kishte folur publikisht për marrëdhënien e tij me Grenellin, ndërsa gjatë bisedës me redaksinë kishte pranuar se takimi i tyre nuk kishte zgjatur më shumë se pesë minuta. Ky dallim ndërmjet paraqitjes publike të afërsisë politike dhe përmbajtjes së një marrëdhënieje të dokumentuar është një element me rëndësi për vlerësimin e pretendimeve të ndikimit [2].
Këto gjetje nuk provojnë se Grenell kishte dijeni për çdo veprim të personave që e përdornin emrin e tij, as se ai kishte autorizuar dokumente të falsifikuara ose operacione dezinformimi. Ato dokumentojnë një mjedis në të cilin emri i tij shërbente si instrument ndikimi politik dhe ku aktorë të ndryshëm përpiqeshin ta lidhnin autoritetin amerikan me objektivat e tyre në Kosovë.
Rrjetet mediatike dhe përforcimi i narrativave politike
Në hulumtimin “Në Zemër të Makinerisë së Dezinformimit”, Kronikat e Barutit shqyrtuan mënyrën se si mesazhet kundër institucioneve të drejtësisë dhe kundër figurave të caktuara politike shpërndaheshin përmes individëve dhe platformave mediatike. Raportimi e përfshinte rolin e Halit Sahitajt dhe Milaim Zekës, si dhe veprimtarinë publike të personave që i përforconin mesazhet e Grenellit në debatin politik kosovar5.
Një prej figurave të shqyrtuara ishte Fitim Çeku, aktiviteti i të cilit në rrjetet sociale përfshinte shpërndarjen dhe mbështetjen e qëndrimeve politike të Grenellit. Redaksia e analizoi gjithashtu rolin e Artan Behramit dhe të figurave të tjera në sulmet publike kundër Jack Smithit dhe institucioneve të Hagës.
Për ta kuptuar mekanizmin e ndikimit, duhet dalluar shpërndarja e një deklarate politike nga koordinimi operacional. Një person mund ta mbështesë publikisht Grenellin pa vepruar sipas udhëzimeve të tij. Përfundimi për koordinim kërkon prova të marrëdhënieve konkrete, komunikimeve, financimit ose udhëzimeve. Pikërisht për këtë arsye, rëndësi kanë materialet origjinale të hulumtimeve dhe jo vetëm ngjashmëria ndërmjet deklaratave publike.
Në shkurt 2026, redaksia publikoi edhe analizën “Pse Faktet Tronditën Median e Kosovës”, ku dokumentoi mënyrën se si materiale të manipuluara dhe përmbajtje digjitale u përdorën kundër kryeredaktorit Vudi Xhymshiti pas publikimit të hulumtimeve mbi vrasjet politike dhe rrjetet e ndikimit. Raportimi e lidhi këtë zhvillim me përpjekjet e mëparshme për ta nxitur redaksinë të botonte materiale të falsifikuara kundër Grenellit6.
Grenell dhe Vjosa Osmani, kur kundërshtimi publik nuk e shpjegon domosdoshmërisht marrëdhënien politike
Më 11 mars 2026, Vudi Xhymshiti e publikoi analizën “Operacioni Simbolik për Pastrimin e Imazhit të Vjosa Osmanit”, duke e shqyrtuar një sulm publik të Grenellit kundër presidentes së Kosovës. Grenell e kishte akuzuar Osmanin se po gënjente dhe kishte kritikuar ashpër udhëheqjen Kurti dhe Osmani7.
Analiza ngriti hipotezën se një përplasje publike ndërmjet dy figurave nuk provon domosdoshmërisht një shkëputje reale politike. Në rrethana të caktuara, kundërshtimi publik mund të prodhojë përfitime të tërthorta për njërën palë, sidomos kur reputacioni i figurës që e kritikon është i kontestuar në një pjesë të opinionit publik.
Kjo mbetet një hipotezë analitike, jo provë e një marrëveshjeje të fshehtë ndërmjet Grenellit dhe Osmanit. Megjithatë, analiza ilustron një problem më të gjerë të politikës kosovare, ku deklaratat publike të figurave ndërkombëtare shpesh përdoren për ta ndërtuar ose dëmtuar legjitimitetin e politikanëve vendas, pa i shqyrtuar gjithmonë marrëdhëniet institucionale dhe interesat që qëndrojnë pas tyre.
Çfarë ndryshon pas zbulimeve amerikane?
Zbulimet e The New York Times nuk provojnë se akuzat e mëparshme politike kundër Grenellit në Kosovë janë të vërteta. Ato nuk vërtetojnë as një lidhje ndërmjet transfertës së kontestuar në Venezuelë dhe veprimtarive të tij në Ballkan. Dy çështjet kanë aktorë, dokumente dhe rrethana të ndryshme. Bashkimi i tyre në një akuzë të vetme do të ishte një përfundim që provat e disponueshme nuk e mbështesin.
Por raportimi amerikan e bën më të rëndësishëm shqyrtimin e një problemi që Kronikat e Barutit e kanë trajtuar prej kohësh, marrëdhënien ndërmjet pushtetit politik, interesave private dhe ndikimit ndërkombëtar. Kur një zyrtar ose ish zyrtar amerikan zhvillon marrëdhënie me biznesmenë që kanë interesa në vende ku ai ushtron ndikim politik, transparenca e këtyre marrëdhënieve bëhet çështje e interesit publik.
Në rastin e Venezuelës, pyetjet lidhen me destinacionin e transfertës, natyrën e marrëveshjes së biznesit, rolin e Grenellit dhe përgjegjësinë e personave që i kanë administruar fondet. Në rastin e Kosovës, pyetjet lidhen me transparencën e marrëdhënieve politike, ndikimin e deklaratave të Grenellit, kontaktet me aktorët vendorë dhe përdorimin e autoritetit të tij në fushata që kanë pasur në shënjestër institucione demokratike dhe gjyqësore.
Një zhvillim i rëndësishëm është edhe fakti se akuzat kundër Grenellit nuk po vijnë nga kundërshtarët tradicionalë politikë të Donald Trumpit. Ato janë paraqitur nga një ish avokate e presidentit, e cila ka pasur qasje të drejtpërdrejtë në Zyrën Ovale. Kjo nuk i bën akuzat automatikisht të besueshme, por shpjegon pse ato kanë marrë vëmendje brenda administratës dhe pse Shtëpia e Bardhë është përfshirë në shqyrtimin e tyre.
Përfundimi i çështjes do të varet nga dokumentet dhe nga çdo veprim i mëtejshëm institucional. Një shqyrtim i brendshëm nuk është hetim penal dhe një akuzë financiare nuk është vendim gjyqësor. Deri në publikimin e provave të tjera, Grenell mbetet subjekt i një mosmarrëveshjeje serioze, pretendimet e së cilës ai i mohon.
Për Kosovën, mësimi institucional është më i gjerë se fati politik i një diplomati amerikan. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ngatërrohen me marrëdhëniet personale me një individ të administratës amerikane. Po kështu, ndikimi i një figure ndërkombëtare nuk duhet të shërbejë si zëvendësim për provën, ligjin dhe përgjegjësinë institucionale.
Kronikat e Barutit do të vazhdojnë t’i vëzhgojnë zhvillimet në Washington dhe marrëdhëniet e dokumentuara të Grenellit me aktorët politikë në Kosovë. Pyetja që mbetet e hapur nuk është vetëm nëse akuzat financiare kundër tij do të provohen, por edhe nëse transparenca që kërkohet sot në Shtëpinë e Bardhë do të zbatohet me të njëjtin seriozitet ndaj marrëdhënieve politike dhe ekonomike që kanë ndikuar në Ballkan.
Tyler Pager dhe Anatoly Kurmanaev, “Behind a White House Feud That Is Bitter Even by Trump-Era Standards”, The New York Times, 15 tetor 2026.
Vudi Xhymshiti, “Brenda Komplotit për Shkatërrimin e Gjykatës Speciale”, Kronikat e Barutit, 7 prill 2025.
Vudi Xhymshiti, “Dosja sekrete e Milaim Zekës nga takimet me spiunët rusë te shitja e arkivës së UÇK-së në Serbi”, Kronikat e Barutit.
https://www.kronikab.uk/p/dyfytyresia-nje-gazetar-nje-ndermjetes
Publikimi i materialit të falsifikuar tek ‘INFORMATORS’
Vudi Xhymshiti, “Në Zemër të Makinerisë së Dezinformimit”, Kronikat e Barutit, 2025.
https://www.kronikab.uk/p/ne-zemer-te-makinerise-se-dezinformimit
Vudi Xhymshiti, “Pse Faktet Tronditën Median e Kosovës”, Kronikat e Barutit, shkurt 2026. https://www.kronikab.uk/p/pse-faktet-tronditen-median-e-kosoves
Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit
Në prill 2025 redaksia jonë u përball me një përpjekje për të na futur në një kurth të ndërtuar si honeytrap, me synimin për të prodhuar kompromat kundër nesh. Në vend që të tërhiqeshim, hulumtuam ps…
Vudi Xhymshiti, “Operacioni Simbolik për Pastrimin e Imazhit të Vjosa Osmanit”, Kronikat e Barutit, 11 mars 2026. https://www.kronikab.uk/p/operacioni-simbolik-per-pastrimin
Vudi Xhymshiti, “Kur Gazetaria Përballet me Operatorët, Rasti Zeka, Sahitaj, Çeku”, Kronikat e Barutit, 2026. https://www.kronikab.uk/p/kur-gazetaria-perballet-me-operatoret
Kur Gazetaria Përballet me Operatorët: Rasti Zeka–Sahitaj–Çeku
Sot është shpërfaqur thjesht akti i radhës i një drame të parashikueshme propagandistike. Ky dështim i radhës për ta dëmtuar reputacionin tim nuk përbën asnjë befasí, ai vjen si hakmarrje e hapur fil…
Vudi Xhymshiti, “Kur Gjurmët Digjitale Rrëzojnë Mohimet e Zekës dhe Sahitajt”, Kronikat e Barutit, 2025. https://www.kronikab.uk/p/kur-gjurmet-digjitale-rrezojne-mohimet
Kur Gjurmët Digjitale Rrëzojnë Mohimet e Zekës dhe Sahitajt
Në Ballkanin e turbullt, ku politika dhe shërbimet e errëta shpesh ndajnë të njëjtën tryezë, po zbulohen të dhëna shqetësuese që hedhin dritë mbi përpjekjet e koordinuara për të sabotuar drejtësinë n…
The Daily Beast, “Jaw-Dropping Revelations of MAGA Blood Feud Exposed”, 16 tetor 2026. https://www.thedailybeast.com/jaw-dropping-revelations-of-maga-blood-feud-between-ric-grenell-alina-habba-and-turhan-mildon-exposed





