Shpend, padinë bëje. Veç mos harro me i marrë provat me vete.
Shpend, e pashë edhe fotografinë e fundit që e ke publikuar1. Në të, Ramush Haradinajn e ke vendosur me uniformë ushtarake, me kamën mbi qafën e figurës që po përdoret për të më paraqitur mua të shtrirë përtokë. Mbi të ke shkruar se “atyre shkijeve të mëdhenj jau kam shkërdhy radarët, ti je shka i vogël”. Kjo vjen pasi më ke folur për “radarët” e mi, pasi ke thënë se mund t’i “shkërdheje” edhe ata, dhe pasi ke paralajmëruar se një ditë mund të takohemi “rastësisht” për kafe.
Nuk e di nëse ti mendon se kjo më frikëson.
Por po ta them në gjuhën më të thjeshtë që shpellarët sikur ti e kuptojnë.
Nuk keni kaçik ju me ma vu kamën n’fyt. As ti, as Ramush Haradinaj, as fotografia që e ke prodhuar me inteligjencë artificiale.
Unë nuk do ta bëj gabimin tënd dhe të t’shpall vetë se cilën vepër penale e përbën kjo. Do ta ruaj. Bashkë me videon. Bashkë me “radarët”. Bashkë me takimin “rastësisht”. Bashkë me sulmet ndaj prejardhjes sime. Dhe do t’ua dorëzoj autoriteteve britanike që ta vlerësojnë ata. Ti, ndërkohë, vazhdo me postu. Sepse ka një ndryshim të vogël mes nesh që ende ti dhe taborri yt shpellar nuk po e kupton. Ti po e prodhon materialin. Unë po e arkivoj.
Por fotografia është pothuajse pjesa më pak interesante e kësaj historie. Pjesa vërtet e jashtëzakonshme është se ti dole publikisht për të më kërcënuar me padi për shpifje dhe, pa të ardhur ende mirë fryma prej atij paralajmërimi juridik, deklarove se Albin Kurti më paguan “me dhjetëra mijëra euro” që unë, sipas elegancës sate, “të leh”. Asnjë dokument, kontratë, transfertë, faturë, burim apo provë nuk e ofrove. Vetëm një potpuri pretendimesh të rënda, të qëndisura pikërisht me mekanikën e diskreditimit që ne e kemi dokumentuar te “Leptiri”. Dhe ironia është e pamëshirshme, Shpend. Sa më shumë përpiqesh ta përqeshësh analizën tonë, aq më shumë po sillesh si ilustrim i saj.
Kjo, Shpend, është një arritje e rrallë. Me dalë publikisht për të ligjëruar mbi dëmin që shkaktojnë pretendimet e pambështetura dhe, gjatë të njëjtit ligjërim, me prodhu një pretendim të ri faktik të pambështetur për njeriun që po kërcënon me gjykatë.
Prandaj padinë bëje. Seriozisht. Veç mos harro me i marrë provat me vete. Sepse aty mund të na duhet të flasim edhe për “dhjetëra mijëra eurot”.
Kush m’i ka dhënë? Albin Kurti personalisht? Zyra e Kryeministrit? Vetëvendosje? Një ndërmjetës? Kur janë paguar? Sa është shuma? Përmes cilës bankë? Për cilin shërbim?
Nëse e ke provën, publikoje dhe unë do të përgjigjem për të. Nëse nuk e ke, atëherë ndoshta ke zbuluar, në mënyrën më të pakëndshme të mundshme, pse gazetaria serioze nuk funksionon me formulën “unë besoj, prandaj është fakt”.
Dhe këtu arrijmë te “Leptiri”, sepse pikërisht aty metoda jote bëhet interesante.
Në paraqitjen tënde publike për Albin Kurtin, të cilën KRONIKAT E BARUTIT e ka dokumentuar, ti vetë e ke pranuar kufirin e provës sate. Kur e ke ndërtuar lidhjen më të gjerë rreth ngjarjeve të marsit 2004, ke thënë “nuk kam argument”, ndërsa lidhjen e ke shpjeguar përmes “logjikës” sate. E ke përdorur madje edhe heshtjen si dëshmi. Pra, e kemi një njeri që sot e kërkon standardin e gjykatës prej meje, ndërsa dje ishte i gatshëm të ndërtonte akuza politike duke e pranuar vetë se për hallkën vendimtare “nuk kam argument”. Hulumtimi ynë për ju zt Gjocaj gjendet pikërisht brenda dosjes më të gjerë “Leptiri”2.
Kjo është arsyeja pse unë nuk kam nevojë të të quaj agjent të BIA-s. Madje hulumtimi ynë është shumë më i kujdesshëm se gjuha që ti e përdor ndaj meje. KRONIKAT E BARUTIT nuk ka pretenduar se ngjashmëria e narrativave provon se ti, Ramush Haradinaj apo dikush tjetër merrni urdhra nga Beogradi. Hulumtimi ynë për “Leptirin pas zjarrit” e thotë shprehimisht se materialet e dokumentuara nuk provojnë urdhër nga Haradinaj, operacion të AAK-së apo ndërhyrje të Beogradit. Ne e dokumentojmë konvergjencën dhe kërkojmë hetimin e saj. Pastaj ndalemi aty ku ndalet prova3.
Shikoje tash ironinë. Gazetari që ti e quan “spiun”, “tradhtar”, “serbofil” dhe të cilit ia kërkon ADN-në4, shkruan në gazetën e vet se nuk ka prova për të të shpallur pjesë të një operacioni të Beogradit. Ti, në anën tjetër, pa publikuar provë, e shpall se gazetari financohet me dhjetëra mijëra euro nga Kryeministri.
Kush prej nesh po sillet si propagandist këtu, Shpend?
Pastaj e kemi Ramush Haradinajn. Këtu bëhesh edhe më interesant, sepse më akuzon mua se veproj kundër interesit shqiptar pikërisht ndërsa e mbron një politikan, veprimet dhe deklaratat e të cilit ne i kemi futur nën llupën e interesit publik. Dosja jonë “Leptiri” nis pikërisht nga përplasja mes materialit të gjetur në çështjen Fatmir Sheholli dhe retorikës politike që Ramush Haradinaj kishte përdorur kundër Albin Kurtit. Redaksia e ka dokumentuar se çështja nuk është nëse ekzistonte një plan serb për komprometimin dhe rekrutimin e Kurtit. Sipas materialit të trajtuar në dosje, pikërisht ekzistenca e atij plani është thelbi. Pyetja e madhe është se si përpjekja serbe për ta komprometuar Kurtin u shndërrua më vonë në narrativën shqiptare se Kurti qenka rekrutuar nga Serbia5.
Kjo është një pyetje shumë më serioze sesa britmat “tradhtar”.
Hulumtimi ynë i 26 gushtit e përshkroi pikërisht përplasjen mes dokumentit të inteligjencës serbe dhe retorikës së Haradinajt në Kuvend. Dy ditë më vonë, hetimi u zgjerua te rrethi politik i Haradinajt, sepse e njëjta narrativë nuk po shfaqej më vetëm te një politikan. Dosja jonë e 28 gushtit argumentonte se sa më shumë zgjerohej rrethi i njerëzve që përsërisnin variante të kësaj narrative, aq më e nevojshme bëhej të hetohej origjina e saj.
Më 12 shtator shkuam edhe më larg në analizë, por përsëri jo më larg se prova. E dokumentuam një mekanikë që shfaqej vazhdimisht. Kur argumenti bëhej i vështirë për t’u rrëzuar, sulmi zhvendosej te njeriu. Kundërshtari nuk trajtohej më si shqiptar me të cilin nuk pajtohesh, por kontaminohej para publikut si “spiun”, “tradhtar”, “serbofil” apo njeri i Serbisë. Pikërisht këtë ke bërë ti në tri postimet e fundit ndaj meje. Nuk po them se BIA ta ka dhënë manualin, Shpend. Nuk kam provë për këtë dhe nuk më duhet ta shpik. Po them diçka shumë më të sikletshme për ty. Askush nuk ka nevojë me ta dhënë manualin kur ti po na e demonstron vetë mekanikën6.
Dhe tash shiko ku ke përfunduar, Shpend. Në vend se ta rrëzosh dosjen “Leptiri”, më quan “shka”. Në vend se ta rrëzosh kronologjinë tonë, e kërkon ADN-në time. Në vend se të tregosh cili dokument është i fabrikuar, e vë para pikëpyetjes “racën” time. Në vend se të tregosh ku gabon analiza jonë, shpik se Kryeministri më paguan me “dhjetëra mijëra euro”. Dhe kur të mbarojnë edhe këto, e publikon një imazh ku Ramush Haradinaj paraqitet me çizmen mbi qafën time. Ti nuk e ke rrëzuar analizën tonë për metodën “Leptiri” o Shpend Gjocaj. Përkundrazi, të kemi kapë me pelë për dore dhe ti, në vend se me e lëshu, po na sjell çdo ditë material të ri për ta dokumentuar edhe më mirë mekanikën që po përpiqesh ta mohosh. Nuk po them se BIA ta ka shkruar tekstin. Po them diçka shumë më poshtëruese për argumentin tënd. Deri tash nuk të është dashur askush me ta shkru.
Kjo u bë edhe më serioze pas zjarrit në shtëpinë e prindërve të mi7. Hulumtimi “Leptiri pas zjarrit” e dokumentoi një kronologji shumë specifike. Pal Lekaj më quajti “spiun” dhe “tradhtar”. Pas publikimit të lajmit për shtëpinë e djegur, Labinot Bislimi e shprehu bindjen se unë e kisha iniciuar vetë zjarrin. Pastaj erdhe ti me teorinë “Plani A”. Redaksia nuk tha se Haradinaj ju kishte urdhëruar. Nuk tha se AAK e kishte organizuar operacion. Nuk tha se Beogradi ju kishte dhënë komandë. Përkundrazi, e shkroi të zezë mbi të bardhë se provat nuk e dëshmonin asnjërën prej këtyre. Ajo që e dokumentuam ishte se brenda 48 orësh gazetari ishte transformuar publikisht nga kritik në “spiun” dhe nga pronar i një shtëpie të djegur në person që pretendohej se e kishte inskenuar vetë zjarrin.
Kjo quhet disiplinë e provës, Shpend. Dhe është pikërisht ajo që mungon kur ti flet për mua.
Prandaj më argëton pak ideja se ti do të ma mësosh gazetarinë përmes një padie. Bëje padinë. Do të jetë një ambient shumë më i mirë se Facebook-u për të dy. Unë do t’i sjell artikujt, burimet, kronologjinë, formulimet tona, kufizimet që ia kemi vendosur vetë përfundimeve tona dhe materialet mbi të cilat i kemi ngritur pyetjet.
Ti ndërkohë sille provën për “dhjetëra mijëra eurot”. Sille provën për pretendimet që ke bërë për udhëtimet e mia. Sille provën për prejardhjen time. Sille provën se unë qenkam “spiun serb” apo “tradhtar”. Dhe, meqë e ke futur vetë në këtë histori, mos harro me e rujt edhe fotografinë e Ramush Haradinajt me çizmen mbi qafën time. Mos e fshi, Shpend. Është bërë një përmbledhje pothuajse perfekte e vendit ku përfundoi argumenti yt pasi nuk arriti ta mundte dokumentin. Fillove duke premtuar prova në gjykatë dhe përfundove duke gjeneruar çizme me inteligjencë artificiale.
Sepse ky është problemi yt, Shpend. Jo se unë të kam fyer. Jo se nuk të kam kuptuar. Përkundrazi, tash të kam kuptuar shumë më mirë.
Ti ke dashur që kjo përplasje të zhvillohet në territorin e patriotizmit të deklaruar, ku fiton ai që bërtet më fort, ai që e ka fotografinë më të mirë me uniformë, ai që e përdor më shpesh fjalën “tradhtar”, ai që pretendon se turma është kombi dhe vetja e tij është zëri i saj.
Unë po ta zhvendos në një territor shumë më të mërzitshëm.
Dokumentin.
Dhe aty, Shpend, as Ramush Haradinaj me çizme të gjeneruar nga inteligjenca artificiale nuk mundet me të ndihmu.
Sepse fotografia mund të ma vendosë kamën n’fyt.
Prova jo.
Prova duhet me qëndru në kamët e veta.

Dhe tash po ta them edhe një gjë, Shpend, sepse këtu mbaron teatri yt i kalbun me uniforma, qen të Haradinajve, ADN shqiptari dhe fotografi artificiale me çizme mbi qafën time.
Ti po përpiqesh me e marrë lavdinë e UÇK-së të para 27 vjetëve dhe me e përdorë si mbulesë për një bilanc politik të pasluftës që duhet kontrolluar me dokumente, jo me këngë patriotike. Lufta jote, nëse ke luftuar me nder, është e jotja dhe askush nuk ta merr. Por ajo nuk është çek i bardhë për Ramush Haradinajn, nuk i fshin vendimet e tij politike dhe nuk ta jep ty të drejtën me e përcaktu kush është shqiptar sipas qejfit tënd. Pikërisht gjatë qeverisjes së Haradinajt, Milan Radoiçiq hyri në Zyrën e Kryeministrit dhe u trajtua si bashkëbisedues politik, ndërsa vetëm pak javë më vonë qeveria e Haradinajt e mbylli Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës8, institucionin që duhej t’i dokumentonte krimet e Serbisë në Kosovë. Këto nuk janë fantazitë e mia. Janë pjesë e kronologjisë që redaksia jonë i ka dokumentuar dhe që ti mund ta kundërshtosh me dokumente kur të duash. Edhe marrëdhëniet politike të Haradinajt me njerëz e rrjete që ne i kemi hetuar, përfshirë Richard Grenellin, nuk zhduken9 duke më quajtur mua “shka” as “spiun” e as “tradhtar”. Përkundrazi, redaksia ime ka refuzuar edhe një dokument të fabrikuar që pretendonte se Grenell merrte para ruse, pikërisht sepse nuk kishte prova10. Pra unë kam refuzuar ta botoj një akuzë kundër një njeriu që e kam hetuar prej vitesh kur prova nuk qëndronte, ndërsa ti më akuzon mua se marr “dhjetëra mijëra euro” nga Kurti pa treguar as edhe një copë letër. Ky është dallimi mes gazetarisë sime dhe nacionalizmit tënd të kalbun. Unë e ndal dorën kur mbaron prova. Ti e vazhdon gojën e pistë kur mbaron argumenti.



Prandaj mos ma sill UÇK-në si avokat të Ramush Haradinajt dhe mos ma valëvit lavdinë e luftës para ftyrës sikur ajo të ishte pronë private e një partie apo e një oborri politik. UÇK-ja është shumë më e madhe se Ramush Haradinaj, shumë më e madhe se AAK-ja dhe, me gjithë respektin për çfarëdo kontributi që mund ta kesh dhënë në luftë, shumë më e madhe edhe se ti. Nëse ke luftuar me nder, ai nder është i yti dhe askush nuk ta merr. Por lavdia e vitit 1999 nuk është çek i bardhë për vitet që erdhën pas tij. Nuk është amnisti politike për pushtetin e pasluftës dhe, mbi të gjitha, nuk është detergjent me të cilin pastrohet çdo vendim sa herë që gazetari e hap arkivin. Pikërisht sepse UÇK-ja është e shenjtë për kaq shumë shqiptarë, është e padenjë me e përdorë lavdinë e saj si mburojë personale për politikanë që duhet të përgjigjen për bilancin e tyre si çdo politikan tjetër. Patriotizmi që ia kërkon ADN-në gazetarit, e quan “shka”, ia shpik financuesit dhe pastaj e publikon një imazh ku politikanin që e mbron paraqitet me çizmen mbi qafën e gazetarit nuk është patriotizëm prej të cilit pranoj leksione. Është nacionalizëm i kalbun nga nevoja për ta shpallur tradhtar këdo që e hap dosjen e pakëndshme. Dhe pikërisht këtu arkivi bëhet problemi yt. Hulumtimet tona mbi “Leptirin” e analizojnë një mekanikë ku, kur argumenti nuk rrëzohet dot, sulmi zhvendoset te identiteti i njeriut. Ti e kishe mundësinë me ardhë e me e rrëzu këtë analizë. Në vend të kësaj, ke ardhë dhe ke fillu me na e demonstru vetë.
E di çka të pengon vërtet, Shpend. Jo se unë nuk e dua Kosovën, por se nuk mundesh ti me m’tregu si duhet ta dua. Nuk më paguan partia jote, nuk më jep rrogë Ramush Haradinaj, nuk më duhet leja e ndonjë kryetari partie për të shkruar dhe nuk më duhet turma jote për të ma dhanë guximin. Kam redaksi, kam burime, kam kredibilitet dhe prvilegjin e besueshmërisë së më shumë se 22 milion lexime në muaj, kam kapacitet profesional dhe e kam pavarësinë financiare që ma mundëson me e mbajtë llupën aty ku pushteti do të donte terr. Prandaj po ta them krejt qetë. Ti dhe njerëzit që i mbron do të vazhdoni me qenë nën radarin tim gazetaresk sa herë që veprimet, lidhjet apo deklaratat tuaja e prekin interesin publik të Kosovës. Jo si hakmarrje dhe jo sepse ju urrej. Si punë. Kjo është politika ime editoriale dhe as ti, as Ramush Haradinaj, as një fotografi e prodhuar me AI nuk keni veto mbi të.
Dhe për fotografinë ku Ramush Haradinaj paraqitet me çizme mbi qafën time, po ta them prap për fund që tê mos e harrosh. Nuk keni kaçik ju me ma vu kamën n’fyt. As ti, as Haradinaj, as krejt oborri që e ngatërron lavdinë e UÇK-së me të drejtën për t’i frikësuar gazetarët. Fotografinë do ta ruaj, sikurse do t’i ruaj fjalët për “radarët”, takimin “rastësisht”, sulmet ndaj prejardhjes sime dhe çdo material tjetër të këtij karakteri. Autoritetet kompetente le ta përcaktojnë rëndësinë juridike të tyre. Çdo akt real dhune ndaj meje do të raportohet dhe ndiqet deri në fund përmes institucioneve të shtetit ku jetoj. Kaq. Nuk kam nevojë me të kërcënu për t’u mbrojtur prej teje dhe nuk kam ndërmend me e imitu gjuhën tënde.
Sepse plumbi nuk e korrigjon dokumentin, çizmja nuk e fshin arkivin dhe britma “tradhtar” nuk e shndërron pretendimin pa prova në të vërtetë. Mund ta gjenerosh edhe njëqind herë Ramush Haradinajn me kamën mbi qafën time. Kur ta fikësh ekranin, dokumentet prapë janë aty. Deklaratat prapë janë në arkiv. Fotografitë prapë ekzistojnë. Kronologjia prapë qëndron. Dhe ti prapë duhet të përgjigjesh në pyetjen prej së cilës ke ikur gjithë këtë kohë. Cilin fakt e kemi gabim? Jo çfarë race jam unë. Jo kush kanë qenë të parët e mi. Jo sa njerëz të duartrokasin ty. Cilin fakt e kemi gabim, Shpend? Merre njërin. Vetëm njërin. Dhe rrëzoje me provë.
Prandaj mbaje fotografinë. Në fakt, të ka dalë shumë më e sinqertë sesa ke menduar. Ti e imagjinon gazetarin nën çizmen e politikanit. Unë e vendos politikanin nën llupën e gazetarit. Ti e do qafën time nën një imazh pushteti. Unë dua pushtetin nën dokument. Ky është krejt dallimi mes nesh. Dhe kur fotografia jote artificiale të harrohet, dokumentet tona do të vazhdojnë të jenë aty, duke pritur përgjigje. Kam përshtypjen, Shpend, se pikërisht kjo është fotografia që të shqetëson më shumë se çdo fotografi që mund ta gjenerosh për mua.
Shnet.
“Leptiri” nuk përfundon te Ramush Haradinaj
Aktakuza ndaj Fatmir Shehollit e ka ndryshuar natyrën e debatit mbi pretendimet e përsëritura se Albin Kurti mund të ishte rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë burgimit në Serbi. Deri më 24 gusht, kët…
“Leptiri” nuk përfundon te Ramush Haradinaj
Sa më shumë zgjerohet rrethi i Haradinajt, aq më pak bindëse bëhet rastësia. Operacioni i BIA-s ‘Leptiri’ po shfaqet si narrativë politike tashmë, jo vetëm si dokument i BIA-s serbe.
“Leptiri” nuk përfundon te Ramush Haradinaj
Aktakuza ndaj Fatmir Shehollit e ka ndryshuar natyrën e debatit mbi pretendimet e përsëritura se Albin Kurti mund të ishte rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë burgimit në Serbi. Deri më 24 gusht, kët…
Leptiri pas zjarrit
Dy ish-kandidatë të pasuksesshëm të AAK-së dhe një figurë e dënuar në rigjykim prodhuan një sekuencë që kërkon analizë serioze, jo përfundime të parakohshme publike.
Leptiri pas zjarrit
Shtëpia ishte ende e nxirë nga zjarri kur nisi përpjekja për ta ndryshuar historinë. Ende pa u përcaktuar shkaku nga ekspertët, viktima po shndërrohej në të dyshuar.
Dosja Leptiri dhe konvergjenca e frikshme mes BIA-s dhe politikës së Ramush Haradinajt
Prokuroria gjeti te Sheholli planin e BIA-s për diskreditimin e Kurtit. Haradinaj e zbatoi atë duke e akuzuar kryeministrin për spiunazh. Përputhja e këtyre gjetjeve kërkon hetim të menjëhershëm.
Dosja Leptiri dhe konvergjenca e frikshme mes BIA-s dhe politikës së Ramush Haradinajt
Ky nuk është thjesht një debat i zakonshëm politik në Prishtinë. Është një përplasje ku dokumentet e sekuestruara të inteligjencës serbe e takojnë drejtpërdrejt retorikën e foltores së Kuvendit nga Ramush Haradinaj.
Si Mësuan Fluturat e Beogradit të Flasin Shqip
Nga Haradinaj te Berisha, nga Zeka te Buzhala, e njëjta logjikë shfaqet: mos e rrëzo argumentin, komprometo njeriun dhe kontamino identitetin e tij para publikut shqiptar.
Si Mësuan Fluturat e Beogradit të Flasin Shqip
Po sikur një operacion i shërbimit sekret serb të mos kishte përfunduar kurrë?
FRONTLINE MEDIA GROUP: ZJARRI DUHET HETUAR. KRONOLOGJIA NUK MUND TË SHPËRFILLET.
Shtëpia familjare e Vudi Xhymshitit u gjet e djegur pas javësh kërcënimesh. Frontline Media Group kërkon hetim të plotë të zjarrit dhe gjithë kronologjisë.
FRONTLINE MEDIA GROUP: ZJARRI DUHET HETUAR. KRONOLOGJIA NUK MUND TË SHPËRFILLET.
LONDËR, 27 SHTATOR 2026 - Të shtunën, më 26 shtator 2026, një anëtar i familjes së themeluesit dhe kryeredaktorit të The Frontline Media Group, Vudi Xhymshiti, e gjeti të djegur shtëpinë e prindërve të tij të ndjerë në Livoç të Ulët, Gjil…
Si u la në harresë dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë
I krijuar me vonesë dhe i mbyllur në heshtje, Instituti për Krimet e Luftës u bë simbol i dështimit institucional përballë kujtesës së luftës.
Si u la në harresë dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë
I krijuar vetëm në vitin 2011, dymbëdhjetë vjet pas luftës, gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit dhe nën Ministrinë e Drejtësisë së Hajredin Kuçit, Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës hyri në histori jo për fuqinë që pati, por për mënyrën si u la të dobësohej për shtatë vjet rresht. Në gusht të vitit 2018, vetëm pak javë pasi kryeministri
Nga Kremlini te Kosova: Lidhja Grenell-Haradinaj
Ramush Haradinaj pozon me Richard Grenell, një lobues pro-serb me lidhje ruse. A është ky një aleat për Kosovën apo një kërcënim i fshehur?
Nga Kremlini te Kosova: Lidhja Grenell-Haradinaj
Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është përballur sërish me vëmendje mediatike, pasi si figura kryesore e partise së tij AAK, ai synon të rikthehet në postin e kryeministrit…
Brenda Komplotit për Shkatërrimin e Gjykatës Speciale
Si më ofroi një person me nofkën ‘Laky Laky’ 5,000 euro për të botuar një tregim të rremë për Richard Grenell, duke e demaskuar një rrjet të madh të dezinformimit kundër drejtësisë në Kosovë.
Brenda Komplotit për Shkatërrimin e Gjykatës Speciale
Në janarin e ftohtë të këtij viti, një llogari anonime në Facebook me emrin “Laky Laky” tentoi të blinte integritetin tonë editorial. Ofertës prej 5,000 eurosh në ryshfet për të publikuar një dokumen…











