Po sikur një operacion i shërbimit sekret serb të mos kishte përfunduar kurrë?
Po sikur “Leptiri”, dokumenti që sipas Prokurorisë Speciale e përshkruante përpjekjen e RDB-së për ta komprometuar dhe rekrutuar Albin Kurtin në burgjet e Serbisë, të kishte mbijetuar jo si dosje, por si metodë?
Po sikur narrativa të ishte zhvendosur nga shërbimi sekret në parlament, nga parlamenti në studio televizive, nga studioja në portal, nga portali në rrjete sociale?
Dhe po sikur disa prej njerëzve që e kanë quajtur Kurtin “spiun”, “tradhtar”, të shantazhuar nga Serbia apo njeri në të cilin Serbia kishte “investuar”, t’i kenë përdorur pikërisht elementet e një operacioni që publiku nuk e njihte ende?
Këto janë pyetjet që shtrohen në këtë hulumtim analitik.
Ne e kemi rindërtuar dokumentin “Leptiri”, deklaratat e Ramush Haradinajt dhe Hisen Berishës, zinxhirin Sheholli-Zeka të përshkruar nga Prokuroria, amplifikimin e narrativave të Berat Buzhalës nga media serbe dhe gjuhën e delegjitimimit të Baton Haxhiut. Pastaj e kemi parë të njëjtën metodë të drejtohej kundër vetë redaksisë sonë.
Ky nuk është një tregim për një flutur.
Është tregim për mënyrën se si një njeri shndërrohet publikisht në armik nëpërmjet një metode fluturuese që me sa duket ka mësuar të flas shqip.
Abonohuni për ta lexuar hulumtimin e plotë.
Gjëja e parë që na tërhoqi vëmendjen te “Leptiri” nuk ishte akuza e fshehur brenda dokumentit. Ishte emri. Në serbisht, leptir do të thotë flutur, ndërsa leptiri do të thotë fluturat. Nuk e dimë pse një strukturë e Sigurimit Shtetëror të Serbisë e zgjodhi pikërisht këtë emër dhe do të ishte e pandershme ta shpiknim një shpjegim. Por pas afro një dekade pune duke i vëzhguar operacionet ruse dhe serbe të ndikimit, luftën psikologjike, kompromatin, propagandën dhe mënyrën se si një narrativë udhëton nga shërbimet e inteligjencës deri në televizion, portal dhe rrjet social, kemi mësuar ta shohim jo vetëm mesazhin, por arkitekturën që e bart atë. Në këtë arkitekturë, flutura është një metaforë pothuajse e përkryer. Ajo e përfaqëson transformimin. Njeriu mbetet ai që ishte, por publikut i mësohet ta shohë si dikë tjetër.
Për ekipin tonë në Londër, kjo nuk është një teori që lindi pasi e lexuam aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit. Për vite me radhë kemi studiuar se si operacionet ruse dhe serbe prodhojnë perceptim, jo vetëm informacion. Kemi ndjekur narrativa nga Beogradi në mediat e rajonit, kemi parë materiale të dyshimta të shndërrohen në “ekskluzive”, kemi krahasuar tituj, kronologji publikimesh, burime, deklarata politike dhe rrjete amplifikimi. Kemi mësuar se operacioni më i sofistikuar nuk është domosdoshmërisht ai që ta imponon një gënjeshtër. Shpesh është ai që e ndryshon pyetjen.
Në vend se publiku të pyesë, “A është e vërtetë ajo që ky njeri po e thotë?”, fillon të pyesë, “Kush është ky njeri në të vërtetë?”.
Në atë çast, argumenti e ka humbur terrenin dhe identiteti është bërë fushëbetejë.
Dokumenti “Leptiri”, siç përshkruhet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, është pikërisht një dritare në këtë filozofi. Sipas aktakuzës, në telefonin e sekuestruar të Fatmir Shehollit u gjet një dokument i përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, RDB, në vitin 2001. Ai e përshkruante një plan operacional për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës kur mbahej në burgjet e Serbisë. Sipas dokumentit parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri” për prodhimin e materialeve komprometuese, me qëllim që mbi Kurtin të ushtrohej presion për bashkëpunim me RDB-në.
Ky është dallimi që duhet mbajtur mend para çdo gjëje tjetër. Dokumenti nuk provon se Kurti u rekrutua. Përkundrazi, ai e përshkruan një përpjekje për ta komprometuar dhe rekrutuar. Viktima e një operacioni nuk bëhet bashkëpunëtor vetëm sepse shërbimi që e ka shënjestruar ka hartuar një plan kundër tij. Por në propagandë, ky dallim mund të përmbyset lehtësisht. Një dokument që tregon se Serbia donte ta rekrutonte një kundërshtar mund të transformohet, me kalimin e kohës, në insinuatën se Serbia e kishte rekrutuar atë. Operacioni kundër objektivit shndërrohet në “provë” kundër tij. Viktima shndërrohet në autor. Pikërisht aty fillon Leptiri si filozofi.
Aktakuza e shton një detaj edhe më të rëndë. Sheholli i tha prokurorit se dokumentin “Leptiri” ia kishte dërguar drejtpërdrejt në telefon Bojan Dimiqi. Ai gjithashtu deklaroi se dokumentin ua kishte përcjellë personave të tjerë. Prokuroria e lidh Dimiqin me BIA-n serbe dhe e trajton shpërndarjen e materialeve si pjesë të një tabloje më të gjerë të kontakteve dhe shkëmbimit të informacionit. Për ne, rëndësia e këtij epizodi nuk është vetëm se një dokument i vitit 2001 mbijetoi deri në një telefon të sekuestruar më shumë se dy dekada më vonë. Është fakti se narrativa brenda tij duket se kishte mbijetuar po aq gjatë.
Metoda është e thjeshtë për t’u shpjeguar. Nëse nuk e rrëzon dot argumentin, komprometo njeriun. Nëse nuk e kundërshton dot faktin, sulmo përkatësinë. Mos pyet nëse politika është e drejtë ose e gabuar.
Pyet nëse politikani është “shqiptar i mirë”. Mos u merr me dokumentet e gazetarit. Shpalle gazetarin “serb”, “rus”, “anti-UÇK”, “spiun” ose “tradhtar”.
Mos u përball me një kritikë institucionale. Sugjero se kritiku është kundër Amerikës, kundër luftës, kundër kombit. Kur publiku fillon ta gjykojë se kush je në vend se çfarë ke provuar, transformimi është kryer.
Kjo nuk është shpikje kosovare. Aparati jugosllav i sigurisë e kishte përdorur logjikën e transformimit reputacional në mënyrë shumë më të egër dekada më parë. Më 19 gusht 1991, gjatë Operacionit “Labrador”, strukturat e sigurisë së Ushtrisë Popullore Jugosllave vendosën dhe aktivizuan mjete shpërthyese te Qendra e Bashkësisë Hebraike dhe në pjesën hebraike të varrezave Mirogoj në Zagreb. Studimi akademik i botuar në Review of Croatian History e përshkruan operacionin si ‘false flag’, me synim që Kroacia të paraqitej si antisemitike dhe autoritetet kroate si “profashiste”. Sulmi fizik nuk ishte fundi i operacionit. Ishte lënda e parë prej së cilës duhej prodhuar identiteti politik i armikut.
Në të njëjtën periudhë, struktura e njohur si “Opera” punonte në fushën e propagandës dhe luftës psikologjike. Materiale të manipuluara, trillime, ndërhyrje mediatike dhe përpjekje për t’i bërë ndarjet e brendshme më të thella nuk kishin thjesht qëllim ta bindnin dikë për një gënjeshtër të vetme. Qëllimi ishte të krijohej një ambient ku një përfundim i caktuar të bëhej emocionalisht i besueshëm përpara se të bëhej faktikisht i provueshëm. Një shoqëri e polarizuar e bën gjysmën e punës vetë. Shërbimi vetëm ia jep drejtimin.
Kjo është arsyeja pse studiuesi i inteligjencës Thomas Rid e përkufizon traditën e “active measures Masat Aktive ” si operacione të fshehta ose gjysmë të fshehta të inteligjencës që synojnë t’i formësojnë vendimet politike të kundërshtarit. Rid thekson diçka vendimtare, burimi duhet të fshihet ose falsifikohet. Mesazhi fiton fuqi kur publiku nuk e sheh shërbimin sekret pas tij. Në praktikë, kjo shpjegon pse ndërmjetësi, media lokale, komentuesi, politikani ose një llogari që duket krejtësisht e pavarur mund të jenë më të dobishëm se vetë propaganda shtetërore.
Rusia e ka industrializuar këtë kulturë operative. Christopher Paul dhe Miriam Matthews nga RAND e përshkruajnë modelin modern rus si “firehose of falsehood shtëpia ně zjarrin e gënjeshtrave”, një sistem që prodhon sasi të mëdha materialesh me shpejtësi, përmes shumë kanaleve dhe me përsëritje të vazhdueshme. Nuk është e nevojshme që çdo verzion të përputhet me tjetrin. Madje, kundërthënia mund të jetë funksionale. Qëllimi mund të mos jetë që publiku ta besojë një histori të vetme, por që ta humbë aftësinë për ta vendosur se kujt duhet t’i besojë.
Ballkani Perëndimor është veçanërisht i cenueshëm ndaj kësaj sepse narrativat nuk kanë nevojë të importohen gjithmonë. Ato mund të gjenden të gatshme. NATO StratCom analizoi mënyrën se si narrativat e Sputnik Srbija shfaqeshin në mediat lokale të rajonit dhe arriti në një përfundim shumë të dobishëm për analizën tonë. Studiuesit mund ta vërtetonin përsëritjen e narrativave, por jo gjithmonë nëse Kremlini i kishte orkestruar ato apo nëse Sputnik thjesht i kishte gjetur dhe iu kishte dhënë jehonë narrativave ekzistuese vendore. Raporti dokumenton gjithashtu se kur përmbajtja kalon nga një burim në tjetrin, origjina e saj shpesh humbet. Ky është një paralajmërim metodologjik që ne e marrim seriozisht. Ngjashmëria e narrativës nuk është provë e komandës. Konvergjenca e interesave nuk është automatikisht konspiracion. Por pikërisht kjo paqartësi mund ta bëjë sistemin shumë efikas.
Kur këtë njohuri e vendosëm përballë Kosovës, deklaratat ndaj Albin Kurtit pushuan së dukuri si një grumbull fyerjesh të palidhura.
Më 20 maj 2021, Ramush Haradinaj e pyeti Kurtin në Kuvend nëse ishte “rekrutuar prej shërbimeve serbe” gjatë burgimit dhe nëse Serbia kishte diçka me të cilën vazhdonte ta mbante peng Kurtin. Tre vjet më vonë, insinuata nuk ishte më pyetje. Haradinaj e quajti Kurtin “spiun të Serbisë”, “tradhtar”, “spiun” dhe “agjent”. Ne nuk kemi asnjë provë se Haradinaj e kishte parë dokumentin Leptiri kur i bëri këto deklarata. Nuk kemi asnjë provë se BIA i kishte diktuar ato. Të pretendonim diçka të tillë do të ishte pikërisht lloji i akuzës pa provë që po e kritikojmë. Por përputhja e narrativës është e rëndësishme për një arsye tjetër. Në vitin 2001, sipas Prokurorisë, shërbimi serb kërkonte ta komprometonte Kurtin në burg dhe ta rekrutonte. Dy dekada më vonë, një ish-kryeministër i Kosovës po e pyeste publikisht nëse pikërisht një rekrutim i tillë kishte ndodhur. Narrativa kishte dalë nga dosja dhe kishte hyrë në politikë1.
Hisen Berisha ofron një shembull edhe më të drejtpërdrejtë të mekanizmit që po përpiqemi të kuptojmë. Në seancën e Kuvendit të Kosovës të nëntorit 20232, debati zyrtarisht kishte të bënte me dialogun me Serbinë dhe draftin për Asociacionin, por Berisha e zhvendosi argumentin shumë përtej kritikës së një marrëveshjeje.
Ai e përshkroi sjelljen e Kurtit si “taktika tipike komuniste antishtet” që, sipas tij, i konvenonin “veç Vuçiqit edhe Putinit”.
Më pas shkoi më tej, duke deklaruar se “Serbia të ka pritur ty dhe ka investuar dhe ka punuar për ardhjen tuaj në pushtet”.
Këtu kritika politike kishte ndryshuar natyrë. Pyetja nuk ishte më nëse Kurti kishte negociuar keq me Serbinë. Insinuata ishte se vetë ngritja e tij politike mund t’i kishte shërbyer një projekti serb.
Por pjesa më domethënëse vjen pak më vonë. Berisha rikthehet te burgimi i Kurtit në Serbi, pikërisht hapësira historike ku dokumenti “Leptiri”, sipas Prokurorisë Speciale, e vendos përpjekjen e RDB-së për komprometimin dhe rekrutimin e tij.
Berisha ia kujton Kurtit arrestimin, burgimin dhe torturat, pastaj thotë se ka “shumë frikë se mos këto tortura janë edhe mjet i shantazhimit tuaj”.
Në të njëjtën frymë ngre edhe një mundësi tjetër shantazhimi përmes aferës GEN. Ky është një moment shumë më i rëndësishëm për analizën tonë sesa një fyerje e zakonshme. Pa paraqitur provë se një shantazh i tillë ekzistonte, Berisha e fut në diskursin parlamentar pikërisht pyetjen që një operacion komprometimi synon ta bëjë të pashmangshme, çfarë mund të ketë Serbia mbi objektivin?
Përplasja bëhet edhe më domethënëse kur Kurti i përgjigjet. Kryeministri nuk merret me secilën prej akuzave veçmas, por i kërkon Berishës publikisht të mos takohet më me Fatmir Shehollin, të cilin e quan “bashkëpunëtorin e Serbisë”. Berisha refuzon ta pranojë premisën, duke thënë se Sheholli ishte “qytetar i lirë i Republikës së Kosovës” dhe se, nëse kishte prova kundër tij, Kurti duhej ta padiste dhe ta fuste në burg. Pastaj Berisha kthehet menjëherë te Kurti, i thotë se gjithçka që kishte bërë për vendin ishte “e zezë” dhe përfundon me paralajmërimin se nuk dëshironte ta shihte “duke rrëshqitur në tradhti”.
Ky shkëmbim e merr një peshë krejt tjetër kur lexohet sot. Në vitin 2023, Kurti po e akuzonte publikisht Shehollin si bashkëpunëtor të Serbisë, ndërsa Berisha kërkonte prova dhe e mbronte statusin e tij si qytetar i lirë. Në vitin 2026, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Shehollit për spiunazh dhe, në telefonin e tij, thotë se e ka gjetur pikërisht dokumentin “Leptiri”, planin e RDB-së për komprometimin e Kurtit në burg. Kjo nuk provon se Hisen Berisha ishte pjesë e ndonjë operacioni dhe nuk duhet ta pretendojmë. Por e bën jashtëzakonisht të rëndësishme kronologjinë, sepse para se publiku ta njihte dokumentin, Berisha i kishte vendosur në Kuvend tri elemente të së njëjtës arkitekturë narrative:
Serbia kishte investuar në ngritjen e Kurtit,
burgimi i tij mund të kishte prodhuar material shantazhues dhe
politika e tij po e çonte drejt tradhtisë.
Gjurma që fotografia nuk e shpjegon


Hisen Berisha dhe Fatmir Sheholli në një takim në Prishtinë. Berisha thotë se fotografia ishte rastësore. Burimet e Kronikave të Barutit flasin për kontakte shumë më të gjata.
Pas ngritjes së aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh, Hisen Berisha u paraqit në T7 duke u përpjekur ta reduktojë marrëdhënien e tij me Shehollin në një fotografi rastësore3. Ai tha se nuk e njihte kur fotografia ishte bërë dhe se kontaktet e mëvonshme kishin qenë të papërfillshme. Por ky verzion kërkon një përgjigje shumë më serioze sesa shpjegimi për një kafe, një fotografi apo një përshëndetje kalimtare. Vetë Berisha pranoi në studio se Sheholli më vonë i kishte folur për të kaluarën e tij në UDB, për lidhje me struktura të SHIK-ut dhe për kontakte me institucione e figura politike.
KRONIKAT E BARUTIT kanë siguruar ndërkohë informacione nga burime me njohuri të drejtpërdrejta në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar, sipas të cilave kontaktet mes Berishës dhe Shehollit nuk kufizohen në epizodin që Berisha e përshkroi në T7. Sipas këtyre burimeve, lidhjet mes tyre shtrihen së paku nga viti 2018 dhe në materialet e vëzhgimit të huaj figurojnë së paku dymbëdhjetë takime ose kontakte të dokumentuara. Këto të dhëna nuk janë publikuar ende në formën e plotë dokumentare dhe redaksia po kërkon verifikim shtesë përpara se t’i paraqesë si përfundim faktik.
Kjo e bën të pamjaftueshme mbrojtjen se fotografia ishte “rastësi”. Fotografitë që redaksia i ka në dispozicion tregojnë më shumë se një rast shoqërimi mes dy burrave, por fotografia, në vetvete, nuk e provon natyrën e marrëdhënies. Pyetja gazetareske është tjetër. Sa herë janë takuar Berisha dhe Sheholli, në çfarë periudhe, për çfarë kanë diskutuar dhe pse Berisha zgjodhi ta paraqiste historinë publike kryesisht si takim të rastësishëm?
Berisha e përmendi “Leptirin”, muaj para se emri të shpërthente në Kosovë.
Nëntë muaj para se emri “Leptiri” të hynte në qendër të debatit publik në Kosovë pas aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit, Hisen Berisha e kishte përdorur tashmë publikisht këtë emërtim.
Gjatë një paraqitjeje në edicionin e lajmeve të MCN TV në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve të dhjetorit 2025 në Kosovë, Berisha hyri në përplasje me mua, duke tentuar të më sulmonte politikisht, ai e përmendi fjalën “Leptiri”. Në atë kohë, emri nuk ishte pjesë e debatit të gjerë publik dhe rëndësia e tij si emërtim operativ nuk ishte e njohur për publikun e zakonshëm.
Sot, kjo deklaratë merr një peshë tjetër. Aktakuza ndaj Shehollit e lidh dokumentin “Leptiri” me material të strukturave serbe të sigurisë dhe me një plan për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit. Vetë Berisha ka pranuar më vonë në T7 se dokumentin e njihte dhe se kishte pasur qasje në të.
Kjo e zhvendos çështjen përtej një fotografie apo një takimi. Si e njihte Hisen Berisha “Leptirin” kaq herët, pse e përdori publikisht në një televizion shqiptar dhe kush ia kishte dhënë materialin?
Në dritën e burimeve të Kronikave të Barutit për kontakte më të hershme mes Berishës dhe Shehollit, përdorimi i “Leptirit” në MCN TV krijon bazë serioze për ta hetuar nëse Berisha ishte thjesht marrës i dokumentit, apo një nga kanalet përmes të cilëve narrativa duhej të futej në qarkullimin politik dhe mediatik shqiptar.
Videoja nuk provon vetvetiu se Berisha ishte “i ngarkuar” me operacionin. Por provon diçka shumë konkrete dhe shumë të rëndësishme. Ai e njihte emrin “Leptiri” para se publiku ta njihte rëndësinë e tij. Nga aty fillon pyetja e vërtetë. Kush ia dha, kur dhe për çfarë qëllimi?
Këtu mbaron rastësia dhe fillon dyshimi serioz. Berisha kishte kontakte me Shehollin, e njihte "Leptirin" përpara publikut dhe përdorte elemente të së njëjtës narrativë kundër Kurtit. Burimet tona flasin për së paku 12 takime të evidentuara mes tyre. Kjo nuk provon se Berisha punonte për një shërbim të huaj, por ngre një pyetje të pashmangshme: a ishte Berisha thjesht marrës i "Leptirit", apo një nga kanalet e shpërndarjes së tij?
Milaim Zeka është një rast tjetër
Pas aktakuzës ndaj Shehollit, rasti i tij nuk mund të analizohet më vetëm përmes retorikës.
Përpara se aktakuza e plotë të bëhej e njohur, redaksia jonë e kishte studiuar prej muajsh metodën e redaksisë së tij “Pa Rrotlla”. Kishim vërejtur publikime ku transkripte të pjesshme, pa audio të plotë të disponueshme për publikun, pa zinxhir të qartë posedimi dhe me boshllëqe të shumta paraqiteshin si bazë për konkluzione të rënda. Ajo që na interesonte ishte metoda redaksionale. Materiali nuk i lihej lexuesit për ta vlerësuar. Ai shoqërohej me një interpretim që i tregonte lexuesit paraprakisht se çfarë duhej të shihte në të4. Ne e konsideruam këtë një model të kurimit selektiv, ku fragmenti përdoret për ta prodhuar një realitet më të madh se prova që e mbështet.
Aktakuza e vitit 2026 e zhvendos këtë çështje në një terren shumë më serioz. Ajo e përmban një transkript të takimit të 30 shtatorit 2025 pranë restorantit Garden, ku Sheholli i thotë Zekës, “Qe ku i ki qetu njëmijë”. Zeka i ka deklaruar policisë se marrëveshja, sipas asaj që i kishte thënë Sheholli, ishte për 2,000 euro për publikim dhe se 1,000 euro i kishte marrë.
Pastaj vjen hallka që na intereson për Leptirin5. Aktakuza përshkruan komunikime ku Bojan Dimiqi pyet Shehollin nëse “Milaimi” e kishte publikuar materialin dhe kërkon që ai të dilte më herët. Sheholli më pas ia përcjell Zekës kërkesën për ta ndryshuar kohën e publikimit. Prokuroria e paraqet këtë si pjesë të një zinxhiri ku Dimiqi jep udhëzime, Sheholli i bart dhe materiali përfundon në “Pa Rrotlla”.
Dhe këtu duhet të jemi po aq rigorozë me faktet sa duam të jenë të tjerët. Milaim Zeka nuk është i akuzuar në këtë aktakuzë. Ai figuron si dëshmitar. Sheholli i tha Prokurorisë se Zeka nuk kishte njohuri se ai po komunikonte me Dimiqin për materialet. Ky dallim është thelbësor. Por pikërisht kjo e bën rastin analitikisht interesant. Një operacion ndikimi nuk kërkon që çdo hallkë ta dijë se kush ndodhet në majë të zinxhirit. Nëse një shërbim arrin ta fusë materialin e vet në një ekosistem mediatik vendas, materiali mund të marrë jetë të re edhe në duart e njerëzve që nuk e dinë origjinën e plotë të tij.
Në këtë kuptim, Zeka e përfaqëson modalitetin e transmetimit. Materiali vjen nga një drejtim, kalon përmes një ndërmjetësi, futet në një media dhe përfundimisht i paraqitet publikut me autoritetin e një “ekskluzive” vendore. Origjina largohet nga pamja. Produkti mbetet. Kjo është shumë afër asaj që studiuesit e operacioneve informative e quajnë pastrim ose larje të narrativës.
Ka edhe një element tjetër që kërkon shqyrtim shumë më të ftohtë. Para arrestimit të Fatmir Shehollit, redaksia jonë ka identifikuar dhjetëra raste në të cilat Milaim Zeka e përdorte publikisht emrin e Bojan Dimiqit për t’ua atribuar atyre që i sulmonte me akuza për lidhje me Serbinë. Edhe unë jam etiketuar në disa raste përmes së njëjtës formulë, si një nga njerëzit sipas Zekës si i lidhur me Serbinë dhe që sipas tij merrnin udhëzime nga Bojan Dimiqi.
Pastaj erdhi aktakuza dhe emri “Bojan Dimiq” pushoi së qeni vetëm një emër që Zeka ua atribuonte kundërshtarëve të tij. Prokuroria Speciale pretendon se Dimiqi ishte pikërisht zyrtari i lartë i BIA-s që e udhëzonte Fatmir Shehollin. Sipas aktakuzës, materialet e siguruara nga kjo linjë iu dorëzuan Milaim Zekës për publikim, së bashku me 1,000 euro, po nga Bojan Dimiqi. Më 1 tetor 2025, sipas komunikimit të transkriptuar nga Prokuroria, Sheholli madje ia përcolli Zekës kërkesën e Dimiqit që materiali të publikohej më shpejt. Zeka përgjigjet duke iu referuar drejtpërdrejt personit për të cilin Sheholli po fliste.
Kjo është pika që kërkon shpjegim. Prokuroria e pyeti drejtpërdrejt Shehollin nëse Zeka e dinte se materialet vinin nga Bojan Dimiqi. Sheholli pretendoi se nuk ia kishte treguar këtë dhe se Zekës i kishte thënë se burimi ishte një ish-punonjës i GIZ-it. Kjo është deklarata e Shehollit, jo një konstatim i Prokurorisë se Zeka nuk e njihte Dimiqin.
Prandaj redaksia jonë nuk mund ta pranojë pa shqyrtim pretendimin se Bojan Dimiqi ishte një emër i panjohur për Zekën. Nëse Zeka e kishte përdorur emrin e Dimiqit dhjetëra herë për t’i akuzuar të tjerët për lidhje me Serbinë, ndërsa më pas Prokuroria dokumenton se ai merrte nga Sheholli materiale dhe para që, sipas saj, vinin pikërisht nga Dimiqi, pyetja është elementare, çfarë dinte Milaim Zeka për Bojan Dimiqin, kur e mësoi dhe nga kush?
Pretendimet e Zekës dhe leximet tona në aktakuzë e krijojnë një mospërputhje që nuk mund të anashkalohet. Emrin e njeriut që Prokuroria e identifikon si drejtuesin e Shehollit në BIA, Zeka e përdorte kundër të tjerëve përpara arrestimit të Shehollit. Pastaj, sipas Prokurorisë, materialet e ardhura nga e njëjta linjë Sheholli-Dimiq përfunduan te vetë Zeka për publikim. Kjo është arsye e fortë për ta pyetur atë se sa dinte realisht për njeriun emrin e të cilit e kishte përdorur kaq shpesh.
Berat Buzhala e përfaqëson një modalitet tjetër.
Te ai, ajo që e kemi dokumentuar nuk është një zinxhir si ai që e përshkruan Prokuroria në rastin Sheholli-Zeka. Është mekanizmi i përsëritjes.
Më 26 qershor 2023, Buzhala shkroi: “Për herë të parë që nga viti 1989, Serbia po e mposht Kosovën”, duke thënë gjithashtu se Kosova po e humbte veriun “me shpejtësinë e dritës”6.
Hulumtimi ynë i rindërtoi minutat që pasuan. Kosovo Online e publikoi deklaratën në orën 13.07, Informer në 14.13, Alo në 14.14, Veçernje novosti në 14.29, Telegraf.rs në 15.01 dhe Kurir po atë ditë.
Nuk kemi gjetur provë se Buzhala koordinoi me këto media dhe nuk e kemi pretenduar. Por për një aparat propagandistik serb, deklarata kishte një vlerë që deklarata e një ministri serb nuk mund ta kishte. Serbia nuk po thoshte më se Serbia po fitonte. Një gazetar shqiptar në Prishtinë po thoshte se Serbia po fitonte. Burimi ishte pjesë e mesazhit. Në operacionet e ndikimit, pikërisht ky është momenti kur një opinion i brendshëm mund të bëhet aset i jashtëm pa pasur nevojë që autori i tij të jetë pjesë e ndonjë operacioni.
Hulumtimet tona të mëvonshme mbi Buzhalën na kanë detyruar ta shohim edhe një dimenzion tjetër, transformimin përmes poshtërimit dhe delegjitimimit. Në mars analizuam mënyrën se si ai e zëvendësonte dokumentin me teatrin e konfliktit publik. Në gusht shqyrtuam përdorimin e asociimit me Vuqiçin, Radoiqiçin dhe Serbinë për t’i delegjitimuar kundërshtarët politikë. Në shtator dokumentuam deklaratat e tij ndaj prokurorit Arian Gashi, ku një debat institucional u zhvendos në formulime personale për atë se çfarë do t’i ndodhte Gashit kur Kurti dhe Dejona Mihali “të kenë ikur”7. Asnjë nga këto, vetvetiu, nuk dëshmon lidhje me shërbim të huaj. Ato na interesojnë sepse tregojnë një metodë vendore të ngjashme me logjikën e komprometimit, objekti nuk duhet vetëm të kundërshtohet, duhet të bëhet i papranueshëm.
Baton Haxhiu është modaliteti i tretë, delegjitimimi psikologjik. Historia e tij është më e gjatë, më e ndërlikuar dhe kërkon më shumë kujdes sesa një etiketë. Redaksia jonë ka kaluar më shumë se një vit duke shqyrtuar transkriptet e Hagës, dëshmi dhe historinë e kontakteve të tij me njerëz të aparatit serb të sigurisë. Vetë Haxhiu ka folur publikisht për takimet me Jovica Stanishiqin. Në maj të këtij viti ne e analizuam një deklaratë edhe më të drejtpërdrejtë, kur ai tha për Kurtin, “hiqeni qafe në çfarëdo mënyre”8.
Nuk kemi nevojë ta paraqesim atë fjali si urdhër literal për dhunë që ta kuptojmë efektin e saj. Në gjuhën e luftës psikologjike, një objektiv mund të delegjitimohet gradualisht derisa largimi i tij të duket jo vetëm politikisht i dëshirueshëm, por moralisht i nevojshëm. Kjo është pika ku një kundërshtar nuk konsiderohet më thjesht gabim. Ai bëhet rrezik. Dhe një rrezik, sipas logjikës së tillë, nuk debatohet pafundësisht. Neutralizohet.
Pikërisht këtu Leptiri lidhet me një tjetër punë tonën, “Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit”, botuar më 4 shkurt 20269. Në atë hulumtim argumentuam se rreth disa kundërshtarëve politikë të Kosovës së pasluftës mund të identifikohej një sekuencë. Fillimisht vinte izolimi narrativ. Pastaj delegjitimimi moral. Pastaj dehumanizimi. Dhe më pas ajo që e quajtëm “atmosferë atentati”, momenti kur objektivi ishte përshkruar aq gjatë si armik, tradhtar, spiun ose pengesë saqë ndëshkimi kundër tij mund të fillonte të dukej si mbrojtje e komunitetit.
Ajo që ndodhi pas publikimit na e dha një perspektivë që nuk mund ta kishim marrë nga asnjë manual akademik. Për herë të parë nuk po e studionim mekanizmin vetëm mbi një politikan tjetër. Kësaj rradhe ishim brenda tij.
Organizata e Veteranëve të Luftës nuk nisi duke treguar një dokument të falsifikuar nga ne, një datë të gabuar ose një burim të trilluar10. Hulumtimi ynë u rikornizua si sulm ndaj luftës dhe UÇK-së. Brenda një kohe të shkurtër, debati kaloi nga ajo që e kishim publikuar te ajo që kryeredaktori ynë gjoja ishte. Në publikime, komente dhe materiale që dokumentuam u shfaqën etiketa si “serb”, “rus”, “spiun”, “anti-UÇK”, “mbetje serbe”. Nexhmi Muçiqi qarkulloi material ku na lidhej me Serbinë. Milaim Zeka iu dha jehonë sulmeve të tjera. Më pas, materiale të tjera e lidhnin emrin e kryeredaktorit me struktura të pretenduara spiunazhi.
Ne nuk kemi provë se secili prej këtyre njerëzve ishte pjesë e një operacioni të përbashkët. Nuk kemi provë se OVL-ja vepronte me udhëzim serb. Nuk kemi provë se çdo llogari anonime drejtohej nga një parti ose nga një shërbim. Dhe pikërisht këtu ndodhet pjesa më shqetësuese e Leptirit.
Po sikur operatori të mos jetë më i nevojshëm?
Kjo është ajo që e kemi mësuar nga studimi i operacioneve ruse. Operacioni i pjekur nuk ka nevojë ta kontrollojë çdo njeri që e përsërit narrativën. Ai kërkon që narrativa të bëhet e vetë-riprodhueshme. NATO StratCom e ka gjetur pikërisht këtë paqartësi në Ballkan, narrativa të njëjta udhëtojnë mes Sputnik Srbija dhe mediave lokale, por jo gjithmonë mund të provohet kush e inicioi dhe kush vetëm e amplifikoi. Rusia përfiton edhe kur aktori lokal vepron për interesin e vet. Serbia mund të përfitojë edhe kur gazetari shqiptar nuk mendon për Serbinë fare.
Ky është Leptiri që na intereson.
Jo një teori se të gjithë kritikët e Albin Kurtit janë agjentë të BIA-s. Kjo do të ishte absurde dhe do të përbënte vetë një operacion të logjikës Leptiri. Jo ideja se çdo gazetë opozitare është e komanduar nga Beogradi. Jo pretendimi se çdo fyerje është spiunazh.
Leptiri është transformimi i objektivit.
Në një verzion, Ramush Haradinaj e transformon kundërshtarin politik në “spiun të Serbisë”. Në një verzion tjetër, Hisen Berisha e transformon mosmarrëveshjen mbi politikën në “tradhti” me “çmim tradicional”. Te Milaim Zeka, sipas zinxhirit që e përshkruan aktakuza, materiali komprometues kalon nga një sistem i lidhur me BIA-n, përmes ndërmjetësit, drejt një mediaje që e publikon si përmbajtje vendore. Te Berat Buzhala, fjala vendore mund të merret nga aparati mediatik serb dhe të rikthehet si konfirmim se Kosova po humbet. Te Baton Haxhiu, kundërshtari shndërrohet në problem që duhet “hequr qafe”. Te sulmet ndaj redaksisë sonë, gazetari shndërrohet nga njeri që publikon dokumente në njeri që duhet parë si armik i luftës dhe i kombit11.
Fjalët ndryshojnë. Arkitektura mbetet.
Kjo është arsyeja pse Leptiri nuk duhet të bëhet sllogan. Duhet të bëhet test.
Kur një politikan e quan tjetrin spiun, kërko provën e spiunazhit. Kur një gazetar e quan dikë tradhtar, pyet se cili veprim konkret e përmbush këtë akuzë. Kur del një audio, kërko audion e plotë, metadatën, datën, origjinën dhe zinxhirin e posedimit. Kur një portal merr material komprometues, pyet kush e solli, kush e pagoi, kush e kërkoi publikimin dhe pse pikërisht atë ditë. Kur dhjetëra llogari e përdorin të njëjtën frazë, mos supozo menjëherë se janë të koordinuara, por mos e injoro as modelin. Kur mediat e Beogradit e marrin një deklaratë nga Prishtina dhe e shumëfishojnë brenda pak minutash, shiko se çfarë i shtuan, çfarë i hoqën dhe cilin interes e shërben transformimi.
Sepse dallimi mes gazetarisë dhe operacionit të ndikimit nuk është se njëri kritikon dhe tjetri jo. Gazetaria kritikon me prova. Operacioni të mëson kë ta urresh.
Në vitin 2001, sipas Prokurorisë Speciale, RDB-ja hartoi një plan për ta komprometuar një shqiptar të burgosur dhe për t’i ushtruar presion që të bashkëpunonte. Njëzet e pesë vjet më vonë, gjuha politike e Kosovës vazhdon të jetë e mbushur me pretendime se kundërshtari është serb, gazetari është spiun, politikani është tradhtar, kritiku është anti-UÇK dhe qytetari që nuk pajtohet nuk është mjaftueshëm shqiptar.
Pothuajse me siguri, jo të gjitha këto burojnë nga i njëjti operacion. Kjo është pikërisht çështja.
Një operacion ka arritur fazën e tij më të suksesshme kur shoqëria nuk ka më nevojë për operatorin origjinal për ta vazhduar metodën.
Në atë fazë, shërbimi sekret nuk ka pse ta shkruajë çdo status. Nuk ka pse ta telefonojë çdo gazetar. Nuk ka pse ta udhëzojë çdo politikan. Mjafton që kultura politike të ketë mësuar se komprometimi funksionon më shpejt se argumenti, se frika udhëton më shpejt se dokumenti dhe se patriotizmi mund të përdoret si armë për ta përjashtuar kundërshtarin nga kombi.
Dhe atëherë kuptimi i emrit bëhet i frikshëm edhe pa ditur pse RDB-ja e zgjodhi.
Flutura ndryshon formë.
Dokumenti bëhet insinuatë. Insinuata bëhet titull. Titulli bëhet studio televizive. Studioja bëhet status. Statusi bëhet bindje. Bindja bëhet urrejtje. Dhe në fund, askush nuk e kujton më nga nisi.
Njeriu në qendër mund të mos ketë ndryshuar fare.
Vetëm publiku është mësuar ta shohë si dikë tjetër.
Nëse ky raportim ka vlerë për ty, ndihmoje të vazhdojë. Kontribuo sot për gazetari të pavarur, të guximshme dhe në shërbim të publikut.
Dosja Leptiri dhe konvergjenca e frikshme mes BIA-s dhe politikës së Ramush Haradinajt
Ky nuk është thjesht një debat i zakonshëm politik në Prishtinë. Është një përplasje ku dokumentet e sekuestruara të inteligjencës serbe e takojnë drejtpërdrejt retorikën e foltores së Kuvendit nga Ramush Haradinaj.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, Transkript i seancës plenare, 20 maj 2021.
Ramush Haradinaj e pyeti Albin Kurtin: “a je i rekrutuar prej shërbimeve serbe gjatë kohës sa je mbajtur në burg”, duke vazhduar me pyetjen nëse Serbia kishte diçka mbi të me të cilën e mbante “peng”. Kryetari i Kuvendit ndërhyri duke i kërkuar Haradinajt kujdes me fjalorin parlamentar.
https://www.kuvendikosoves.org/Uploads/Data/SessionFiles/2021_05_20_ts_Seanca_Se4pqs2Mhx.pdf
Transkripta e Seancës së Kuvendit të Kosovës Nentor, 2023
“Mendova që ishte mërgimtar” – ish-deputeti Berisha sqaron fotografinë me Fatmir Shehollin — Gazeta Express
Sheholli–Zeka: zinxhiri i dezinformimit
Një operacion dezinformimi i orkestruar nga BIA, përmes Shehollit e Zekës, synoi të ndikojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës me audio të fabrikuara dhe presion.
Sheholli–Zeka: zinxhiri i dezinformimit
Ajo që nisi si një varg “ekskluzivesh” të ethshme në një portal periferik u shndërrua shpejt në një rast kundër-inteligjence me pasoja reale për institucionet ende të brishta të Kosovës. Në qendër që…
Publikimet e Portalit Pa Rrotlla
Milaim Zeka në hallkën mediatike të planit të BIA-s në Kosovë
Në tetor 2025, Kronikat e Barutit identifikoi skemën operative të BIA-s në Kosovë. Aktakuza e gushtit 2026 tani përshkruan atë me përgjime, video dhe para vetë mekanizmin që kërkuam të hetohej.
Milaim Zeka në hallkën mediatike të planit të BIA-s në Kosovë
A është Milaim Zeka thjesht një gazetar i mashtruar nga burimi i tij, apo hallka mediatike që e ktheu një operacion të dyshuar të BIA-s në lajm për publikun e Kosovës?
Tre muaj para Banjskës Serbia e citonte Buzhalën
Pse para sulmeve në Banjskë, mediat serbe të afërta me pushtetin e Vuçiqit e përdorën Berat Buzhalën për ta paraqitur Serbinë fituese dhe Kosovën humbëse para publikut.
Tre muaj para Banjskës Serbia e citonte Buzhalën
Më 26 qershor 2023, Berat Buzhala e shkroi një vlerësim politik jashtëzakonisht të favorshëm për mënyrën se si Serbia mund ta paraqiste krizën në veri.
Prokurori Arian Gashi nën paralajmërim personal nga Berat Buzhala
Videoja e Berat Buzhalës e kthen një debat institucional në paralajmërim personal ndërsa historia e narrativave të tij ngre pyetje të mëdha për sigurinë kombëtare.
Prokurori Arian Gashi nën paralajmërim personal nga Berat Buzhala
Berat Buzhala i tha Arian Gashit se do të mbetej vetëm me ta. Kodi Penal e bën kontekstin institucional veçanërisht serioz për hetim të mundshëm.
Kush Po i Jep Jehonë Beogradit në Prishtinë?
Kur Baton Haxhiu tha në televizion “hiqeni qafe në çfarëdo mënyre”, Kosova nuk dëgjoi thjesht një metaforë politike. Ajo e dëgjoi jehonën e një historie të errët që lidhet me hijet e Beogradit.
Kush Po i Jep Jehonë Beogradit në Prishtinë?
Kur Baton Haxhiu thotë “hiqeni qafe” për kryeministrin e Kosovës, a po e dëgjojmë një analist, apo vullnetin e dikujt që dikur hante bukë me Jovica Stanishiqin?
Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit
Strategjia e Thaçit e shndërroi Kosovën në një shtet vrasës, ku krijoheshin “atmosfera atentati” për ta arsyetuar neutralizimin e kundërshtarëve dhe për t’i futur besnikët në një cikël borxhi.
Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit
Në prill 2025 redaksia jonë u përball me një përpjekje për të na futur në një kurth të ndërtuar si honeytrap, me synimin për të prodhuar kompromat kundër nesh. Në vend që të tërhiqeshim, hulumtuam ps…
Reagimi që e konfirmoi raportimin tonë
Duke nxitur urrejtjen në vend të debatit, OVL-ja e vërtetoi raportimin tonë. Reagimi i saj aktivizoi një proces presioni dhe delegjitimimi që përputhet me modelin e vrasjeve politike të Hashim Thaçit.
Reagimi që e konfirmoi raportimin tonë
Pas deklaratës së Organizatës së Veteranëve të Luftës - (OVL), gjithçka mori formën e një nate që e njeh mirë Ballkani. Nuk ishte nata e errët e frontit, por nata e ekranit, ajo errësirë e bardhë ku …
Pse Faktet Tronditën Median e Kosovës
Një hulumtim mbi vrasjet politike mjaftoi që rendi mediatik në Kosovë të dridhej, duke zbuluar jo gabimet tona, por mekanizmat e mbrojtjes së pushtetit kriminal.
Pse Faktet Tronditën Median e Kosovës
Pas publikimit të deklaratës së Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) në rrjetet sociale, terreni ndryshoi pothuajse menjëherë. Ajo që pasoi nuk ishte një shpërthim spontan mospajtimi, as një deb…











