Reagimet që Konfirmuan Gjetjet Tona Hulumtuese
Kur gazetaria përshkruan një sistem vrastar, reagimi bëhet test. Pas publikimeve tona, kërcënimet dhe delegjitimimi dëshmuan se sistemi vrastar është ende aktiv në hapësirën publike kosovare.
Më 4 shkurt 2026 e publikuam një hulumtim që e dinim se do të kishte peshë më të madhe se titulli i tij. E botuam në anglisht1 dhe në shqip2, jo për ta bërë më të madhe jehonën, por për ta bërë më të qartë gjuhën e asaj që po e thoshim. Nuk shpallëm verdikt penal. Nuk u sollëm si gjykatë. U sollëm si redaksi që i njeh rregullat e ftohta të një vendi ku e vërteta shpesh trajtohet si provokim dhe jo si nevojë.
E quajtëm metodologji. E quajtëm mënyrë pushteti. E quajtëm manual, jo sepse kishim dëshirë për metafora, por sepse, kur i vë rresht pas rreshti ngjarjet, deklaratat, kronologjitë, dëshmitë dhe heshtjet, shfaqet diçka që nuk i ngjan rastësisë. Shfaqet një ritëm. Shfaqet një rend. Shfaqet një lloj logjike që e njeh frikën më mirë se ligjin.
Në atë shkrim unë u detyrova të bëj një lëvizje që gazetaria e mirë e bën gjithmonë, të flas me fakte kur mundem, të flas me dyshim të ndershëm kur nuk mundem, dhe të mos e gënjej lexuesin as me siguri të rreme, as me patetizëm. Thelbi ishte i thjeshtë, edhe pse materiali ishte i gjatë. Pas qershorit 1999, Kosova nuk po ndërtonte vetëm shtet. Po vendoste kush do ta trashëgonte atë. Dhe në atë boshllëk mes luftës dhe rendit, mes armës dhe uniformës, mes komandës dhe institucioneve, burimet tona përshkruanin një mekanizëm të përsëritur. Jo terror masiv. Por, dhunë selektive. Jo për ta frikësuar popullin, por për t’i riorganizuar elitat.
Kur i shikon ato vite nga larg, ato duken si mjegull. Por mjegulla në Kosovë shpesh ka qenë metodë, jo mot. Në atë mjegull, sipas burimeve, vdekja nuk ishte thjesht krim. Ishte sinjal. Ishte mesazh për të tjerët. Ishte mënyrë për t’i mësuar njerëzit se ku mbaron guximi dhe ku fillon çmimi.
Në shkrim u kthyem te një vrasje që shumëkush e përmend si të parën vrasje politike pas lufte, Haki Imeri më 2 nëntor 1999. Nuk pretenduam ta zgjidhim çështjen. E përdorëm si pikë për të shpjeguar një mënyrë veprimi që burimet e përshkruanin me detaje të ftohta. Afrim si bisedë. Takim si ftesë legjitime. Autoritet i inskenuar me shenja lufte. Pastaj faza që mua më duket gjithmonë më e errët se vetë akti, vendosja e fajit. Trupi i lëvizur. Dyshimi i vendosur diku tjetër. Rivaliteti i ushqyer me letër. Sepse një trup të vrarë mund ta varrosësh. Një faj të vendosur diku tjetër mund ta mbash gjallë me vite.
Pastaj erdhi rasti i Xhemajl Mustafës, i vrarë më 23 nëntor 2000, dhe ajo që është më e rëndë se krimi, vakuumi i drejtësisë. Kur askush nuk dënohet, çdo emër mund të hidhet në qarkullim. Kur çdo emër mund të hidhet në qarkullim, atëherë kushdo që e kontrollon insinuatën, e kontrollon edhe frikën. Në Kosovë kjo nuk është teori. Është kulturë.
Në shkrim folëm edhe për Sami Lushtakun, jo si simbol folklori, por si figurë e dokumentuar në disa hallka. Një dënim për vrasje në një proces të EULEX-it në vitin 20153. Një listim sanksionesh nga Shtetet e Bashkuara4. Gjëra që nuk janë gjykim për çdo akuzë, por janë pika të ftohta në hartën e pushtetit, pika që tregojnë se si një aktor i dhunës mund të jetë njëkohësisht aktor i politikës, dhe se si një shoqëri mund të mësohet të jetojë me këtë bashkëjetesë si me një sëmundje kronike.
Pastaj ishte intervista jonë me Gazmend Halilajn. Ai foli në emër të tij, me emër, me fytyrë. Ne nuk e shpërndamë dhimbjen e tij si spektakël. Nuk e bëmë gërmadhë emocionale. E përdorëm për ta shpjeguar një mekanikë. Ai përshkroi jo vetëm një sulm, por një betejë të dytë, betejën e pas sulmit, betejën për ta kthyer viktimën në fajtor, për ta kthyer dëshmitarin në kriminel, për ta kthyer kërkesën për drejtësi në turp. Kjo është forma moderne e asaj që burimet tona e quanin metodë. Në vend që të të vrasin, ta vrasin emrin tënd. Në vend që të të ndalin me plumb, të të ndalin me dosje, me tituj, me përqeshje, me heshtje të organizuar. E nëse asnjëra prej tyre nuk bënë punë, ata të vrasin fizikisht.
Kur e botuam atë shkrim, unë e dija se do të kishte dy lloje reagimesh. Do të kishte njerëz që do ta lexonin, do ta pyesnin veten, do ta shpërndanin, do ta ruanin për lexim më vonë. Dhe do të kishte një pakicë që do të përpiqej të na e kthejë pyetjen në faj. Jo duke sjellë dokumente si dëshmi. Jo duke e rrëzuar një citim. As duke treguar se ku po gabojmë. Por duke na e ndryshuar identitetin. Duke na e veshur një etiketë që e bën çdo fjali të pavlefshme.
Më 5 shkurt, statistikat na treguan një gjë që nuk është thjesht numër. Ishte shpejtësia. Ishte përhapja. Ishte mënyra si materiali u bë ngjarje publike. Postimi i artikullit5 dhe videoja6 shpjeguese u panë qindra mijëra herë në një kohë të shkurtër. Kishte komente, shpërndarje, ruajtje. Ruajtja është një akt i qetë. Është shenja që dikush do ta mbajë atë raportim si provë, si kujtesë, si municion për një debat që nuk mbaron sot.
Po atë ditë ne e shkruam në shqip edhe një analizë7 të asaj vale të vëmendjes publike. Në atë analizë gjetjet i quajta një pasqyrë shoqërore. Sepse kur ti flet për një mekanizëm frikësimi dhe pastaj sheh frikësimin si reagim, nuk e ke më luksin të sillesh sikur po ndodh rastësisht. Aty fillon raportimi i fazës së dytë. Pas botimit vjen prova sociale.
Brenda asaj pakice zhurmuese, unë pashë një gjuhë që nuk kundërshton me fakte. Pashë fjalë që synojnë të të shndërrojnë në objekt të ligjshëm për sulm. Etiketa si “shpijun” dhe “serb” janë formula të vjetra. Ato nuk janë argument. Janë sinjal. Ato nuk janë kritikë. Janë leje. Dhe kur në komente shfaqen nënkuptime dhune, unë nuk kam të drejtë t’i quaj “shprehje figurative” vetëm për të mos e prishur qetësinë. Në Kosovë, figurat shpesh janë prova të një mendësie, jo zbukurime të gjuhës.
Po atë ditë shkruam edhe një tekst tjetër për një reagim publik8 të një zyrtari, Granit Geci, asambleist i PDK-së në Prishtinë. Ai nuk zgjodhi të fliste për dokumente. Nuk zgjodhi të pyesë për burime. Zgjodhi të zhvendosë debatin në familje, në nder, në etni, në fyerje. Unë e shkrova qartë atëherë dhe e them sërish tani, ky nuk është debat. Kjo është teknikë. Kur mungojnë faktet, aktivizohet instinkti. Dhe kur instinkti vjen nga një përfaqësues publik, ai bëhet alarm institucional. Sepse ai i tregon shoqërisë se si duhet të sillet me pyetjen, jo si të përgjigjet, por si ta ndëshkojë.
Në një vend normal, një investigim i tillë do të prodhonte kundër investigim. Do të prodhonte dokumente që na e rrëzojnë atë që ne e kemi publikuar. Do të prodhonte korrigjime të sakta. Do të prodhonte debate të detajuara. Në vend të kësaj, shumë nga zhurma që pamë ishte e tipit tjetër. Ishte përpjekje për ta bërë gazetarin fajtor, që lexuesi të ketë frikë të qëndrojë pranë tij. Ishte përpjekje për ta kthyer pyetjen në tradhti, që dëshmitari të mendojë dy herë para se të flasë.
Pastaj erdhi reagimi9 i Organizatës së Veteranëve. Unë e lexova atë deklaratë dhe e ndjeva si një tentativë për ta ndërruar temën. Shkrimi ynë fliste për vrasje politike të pas luftës, për dezinformim, për manipulim institucional, për borxhe shantazhi, për “atmosferë atentati”. Deklarata e tyre e ktheu këtë në një debat të rremë për “njollosjen e luftës”. Kjo është mënyra më efikase për ta mbytur të vërtetën në Kosovë, të të akuzojnë se po e prek luftën, sepse askush nuk duhet e nuk guxon të duket sikur po e prek luftën.
Më 6 shkurt iu përgjigja10 OVL-së.
Dhe përgjigjja ime ishte e fortë jo për të bërë zhurmë, por sepse ky është pikërisht mekanizmi që ne po e dokumentojmë. Lufta çlirimtare nuk është alibi. Sakrifica nuk është mburojë për krimin. Nëse dikush e do vërtet dinjitetin e UÇK-së, ai duhet ta dojë edhe drejtësinë, sepse pa drejtësi sakrifica përdoret si valutë për pandëshkueshmëri.
Në atë përgjigje unë e bëra dallimin që, në Kosovë, shumëkush e urren sepse e prish pazarin. Çlirimi është nder. Përdorimi i çlirimit si licencë është përdhosje. Dhe kur një organizatë që thotë se i përfaqëson veteranët zgjedh të bërtasë ndaj gazetarisë në vend se të kërkojë hapje dosjesh, ajo nuk po e mbron më kujtesën. Po e mbron imunitetin, përdhosjen.
Dhe tani vijmë te pika ku ky rrëfim bëhet më i rëndësishëm se vetë kronologjia.
Sepse çfarë po shohim këtu, në ditët pas publikimit, kjo temë nuk është duke u mbyllur. Ky është vetëm fillimi. Kjo, me sa duket është ndezja. Është testim i terrenit. Një gjetjet tona hulumtuese kjo metodë u ekspozua. Pastaj erdhi vala. Pastaj erdhi përpjekja për ta zhvendosur kuptimin. Dhe me sa duket tanimë është nisur përpjekja për ta bërë pyetjen të rrezikshme.
Unë nuk jam i interesuar të shpik skenarë. Jam i detyruar të jem i ftohtë. Nuk mund të them se ka një komandë të centralizuar pa e provuar. Nuk mund të them se ka zinxhir urdhërash pa e dokumentuar. Por unë mund të them diçka që është po aq e rëndë. Kur një shoqëri ka histori vrasjesh politike të pazgjidhura dhe histori frikësimi, atëherë edhe pa një urdhër të shkruar, një mekanizëm mund të funksionojë. Mjafton që njerëzit ta njohin gjuhën. Mjafton që disa aktorë ta dinë çfarë roli u bie. Mjafton që tabutë të jenë të forta dhe dënimi social të jetë i shpejtë.
Kjo është arsyeja pse mbrojtja e burimeve nuk është kapriço. Nuk është retorikë. Është masë sigurie.
Në shkrimin e 4 shkurtit ne e thamë qartë se disa dëshmi dhe disa burime nuk mund t’i zbulojmë sepse rrezikohen. Pas reagimeve të 5 dhe 6 shkurtit, kjo nuk duket më si një fjali standarde që e shkruan çdo redaksi. Kjo duket si një diagnozë e terrenit. Kur reagimi ndaj një investigimi nuk është demantim me fakte, por përpjekje për të prodhuar frikë, atëherë imagjino çfarë i ndodh një njeriu që dyshohet se ka folur.
Unë e di si funksionon kjo. Fillon me insinuatë. Pastaj vjen përfolja. Pastaj vjen izolimi. Pastaj vjen sinjali që disa fjalë që nuk duhen thënë. Nëse një dëshmitar identifikohet publikisht, ai nuk bëhet thjesht person. Ai bëhet mesazh. Dhe në vende ku mesazhet janë vrarë më parë, njerëzit nuk kanë nevojë për shpjegim.
Prandaj kjo kronologji është e domosdoshme.
Më 4 shkurt botuam investigimin dhe e quajtëm valën e vrasjeve politike në Kosovë metodologji.
Më 5 shkurt pamë shpërndarje masive dhe një pakicë që reagoi jo me prova, por me presion.
Po më 5 shkurt dokumentuam se si gjuha e frikësimit u shfaq në hapësirën publike.
Po në këtë ditë e trajtuam reagimin e një zyrtari si rast studimi për zhvendosjen nga faktet te nderi.
Më 6 shkurt iu përgjigjëm një deklarate institucionale që tentonte t’i kthente gjetjet hulumtuese në “njollosje lufte”.
Nëse ky është fillimi i operacionit të mekanizmit vrastar që e kemi detektuar, kjo ndodh sepse kontesti i vërtetë nuk është vetëm për një artikull. Kontesti është për të drejtën e një shoqërie për ta ndarë çlirimin nga pandëshkueshmëria. Kontesti është për të drejtën e dëshmitarëve për të folur pa u shndërruar në shënjestër. Kontesti është për të drejtën e lexuesit për ta lexuar pa u mësuar me frikën.
Në pjesën e zgjeruar të kësaj teme që jemi duke e punuar me studentët dhe ekipin tonë hulumtues në Londër, ne do të shpjegojmë pse anonimati i burimeve tona nuk është zgjedhje estetike, por mbrojtje e jetës. Do të tregojmë si ekspozimi përdoret si armë, si identiteti i njerëzve shndërrohet në objekt sulmi, si rrjeti i insinuatës e bën çdo njeri të rrezikuar pa pasur nevojë për një akuzë penale. Do ta bëjmë këtë me të njëjtën disiplinë që e kërkon gazetaria, ta ndajmë çfarë është e dokumentuar nga çfarë është e pretenduar, të mos e shesim frikën si dramë, por ta tregojmë si mekanizëm.
Sepse, në fund, e vërteta nuk ka nevojë për britma. Ajo ka nevojë për kronologji. Dhe kronologjia, në Kosovë, është ajo që mitet e urrejnë më shumë.
Thaçi’s Assassination Manual
Thaçi’s strategy transformed Kosovo into a coercive state, where “assassination atmospheres” were manufactured to justify neutralising opponents and trapping loyalists in a cycle of debt. — The GPC I Unit.
Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit
Strategjia e Thaçit e shndërroi Kosovën në një shtet vrasës, ku krijoheshin “atmosfera atentati” për ta arsyetuar neutralizimin e kundërshtarëve dhe për t’i futur besnikët në një cikël borxhi. — Kronika B Hulumtim.
The Supreme Court of Kosovo, in a Panel composed of EULEX Judge Krassimir Mazgalov (Presiding and Reporting), EULEX Judge Arnout Louter and Supreme Court Judge Emine Mustafa as Panel members, and EULEX Legal Officer Sandra Gudaityte as the Recording Officer, in the criminal case against, among others, defendants JD, SL, SS — EULEX Court.
Kosovo ‘Drenica Group’ Guerrillas Jailed for Wartime Crimes — Balkan Insight.
Ju mund at verifikoni këtë nëpërmjet web-faqes së Departamentit Amerikan të Shtetit ku Thesari e Publikon Listën e Saj të Zezë — Sanctions List Search - OFAC (LUSHTAKU, Sami).
Postimi në Facebook Post. 4 Shkurt, 2026.
Facebook Video Post. 4 Shkurt, 2026.
Kur e vërteta kthehet në provë kundër pushtetit vrastar të Hashim Thaçit
Publiku e lexoi e shpërndau por një pakicë reagoi me frikë duke e dokumentuar vetë mekanizmin e vrasjeve politike që gjetjet tona hulumtuese e përshkruanjnë. — Kronika B Analizë.
Si Reagon Manuali i Hashim Thaçit Kur Ekspozohet
Reagimet e Granit Gecit pas publikimit të gjetjeve tona aktivizuan manualin e atentateve politike të Hashim Thaçit, fyerje, dehumanizim, zhvendosje identiteti, presion publik, heshtje faktesh. — Kronika B Hulumtim.
OVL-ja po Bërtet për ta Mbytur të Vërtetën
UÇK-ja e çliroi Kosovën; Hashim Thaçi e plaçkiti atë; OVL-ja sot po e mbron plaçkën dhe përdhosjen, jo sakrificën, as të rënët, as drejtësinë. Ne nuk do të heshtim. — Kronika B Politikë.





