Trashëgimia e Përgjakur e Thaçit Që Po Ringjallet në Media
Para plumbit vjen izolimi narrativ. PDK-ja po e financon propagandën e ‘Jepi Zë’ ku unë etiketohem si spiun, duke e hapur rrugën për vrasje politike.
Më 4 shkurt 2026, ne publikuam një hulumtim mbi atë që e përshkruam si metodologji të dhunës politike të pasluftës në Kosovë1. Nuk e paraqitëm si verdikt gjyqësor. E paraqitëm si model të pretenduar, të ndërtuar mbi burime, dokumente, arkiva publike dhe prova institucionale. Në qendër ishte një tezë e thjeshtë dhe e rëndë, se para dhunës fizike vjen dhuna narrative. Para eliminimit vjen izolimi. Para plumbit vjen fjala që e bën viktimën të pambrojtshme.
Reagimi i portalit Jepi Zë ndaj këtij raportimi duhet lexuar pikërisht në këtë dritë. Arsyeja pse po e shkruajmë këtë analizë nuk është se një portal ka kritikuar punën tonë2. Kritika është pjesë e jetës publike. Arsyeja është se, nga materiali i mbledhur, Jepi Zë nuk shfaqet thjesht si media me qëndrim editorial të afërt me PDK-në e Hashim Thaçit. Në pamjen e parë të dokumentit të publikuar nga një portal i njohur si Zëri i Mitrovicës3, PDK-ja figuron se ka paguar “Pro zë Media shpk”, e lidhur me Jepi Zë, 29.500 euro për sponzorizim postimesh në rrjete sociale. Ky fakt e ndryshon peshën e çështjes. Kur një portal që del si përfitues financiar nga një subjekt politik nis një seri të vazhdueshme shënjestrimi kundër gazetarit që ka botuar gjetje hulumtuese lidhur figurën qendrore të atij subjekti, nuk jemi më para zhurmës së zakonshme mediatike. Jemi para një marrëdhënieje që kërkon shqyrtim publik.
Kronologjia flet vetë. Më 8 shkurt, vetëm pak ditë pas publikimit të hulumtimit tonë, Jepi Zë shpërndau një postim ku Sadri Ramabaja, Luan Krasniqi dhe Gazmend Halilaj paraqiteshin si njerëz me qëndrim “skandaloz” sepse kishin pëlqyer pretendime se Hashim Thaçi kishte organizuar skemë vrasjesh. Mesazhi nuk ishte një kundërshtim i fakteve. Ishte një paralajmërim publik për këdo që guxonte të ndërvepronte me raportimin tonë. Në atë moment, shënjestra nuk isha vetëm unë. Shënjestra ishte edhe rrethi i njerëzve që lexonin, pëlqenin ose shpërndanin çështjet që ne i ekspozuam.
Më 9 shkurt, Jepi Zë më paraqiti si pjesë të një “shërbimi ilegal të spiunazhit” më 2012. Më 11 shkurt, më cilësoi “i dyshuar si agjent i huaj”. Këto nuk janë kundërargumente. Janë etiketa të ndërtuara për të më nxjerrë jashtë komunitetit kombëtar. Në Kosovën e pasluftës, fjala “spiun” nuk është thjesht fyerje. Është një shenjë shënjestrimi. Është një fjalë që historikisht ka shërbyer për ta bërë dhunën të duket e kuptueshme.
Kjo është pikërisht arsyeja pse dosja e Prokurorisë së Specializuar në Hagë është e rëndësishme. Në hyrje të parashtresës përfundimtare, Prokuroria shkruan4 se deklaratat publike “premtonin ndëshkimin e kundërshtarëve”, se rregullat diktonin trajtim të pamëshirshëm dhe se komunikatat kremtonin vdekjet si paralajmërime për të tjerët. Në të njëjtat faqe, Prokuroria thotë se kundërshtarët u rrëmbyen, u ndaluan arbitrarisht, u torturuan dhe në shumë raste u vranë ose u zhdukën. Kjo gjendet në faqen 15 të parashtresës publike.
Më 21 dhe 22 shkurt, Jepi Zë kaloi nga etiketa e spiunazhit te lidhja ime me thirrjet për raste të dhunës politike gjatë mandatit të Hashim Thaçit. Portali nuk u mor me thelbin e pyetjes, pse Kosova ende ka vrasje politike të pazbardhura. Ai e zhvendosi çështjen te unë. Më 22 mars, më paraqiti si njeri që “lidhet me Serbinë”. Më 28 mars, e futi edhe Shkëlzen Gashin në të njëjtën kornizë, duke pretenduar se shteti i Kosovës kishte financuar autorë që shkruanin “kundër UÇK-së” dhe ekspozita që “mohonin krimet serbe”. Në këtë gjuhë, hulumtimi nuk është hulumtim. Ai kthehet në tradhti.
Kjo e përsërit modelin që vetë Prokuroria e Hagës e përshkruan për periudhën e luftës. Sipas parashtresës, drejtuesit e UÇK-së dhe PGoK5-së ndoqën një qëllim të përbashkët për të fituar dhe ushtruar kontroll në Kosovë, përmes frikësimit të paligjshëm, keqtrajtimit, dhunës dhe largimit të atyre që konsideroheshin kundërshtarë. Këta përfshinin edhe persona që nuk mbështesnin synimet ose mjetet e UÇK-së dhe PGoK-së, përfshirë njerëz të lidhur me LDK-në. Kjo gjendet në faqet 15 dhe 16.
Më 2 prill, Jepi Zë shkroi se ishte “e pabesueshme” që unë edhe për bastisjen e Shkëlzen Gashit e bëja fajtor Thaçin6. Më 8 dhe 10 prill, portali më vendosi përballë Ramush Haradinajt dhe Ermal Pandurit, duke më paraqitur si dikë që i sulmonte ata që e kritikonin Albin Kurtin ose ata që ishin kundër tij. Kjo ishte një kthesë e rëndësishme. Qëllimi nuk ishte më vetëm të më vendoste si kundërshtar të Thaçit. Qëllimi ishte të më paraqiste si instrument politik, si njeri i një kampi tjetër, pra si gazetar pa autonomi dhe pa legjitimitet.
Më 12 prill, Jepi Zë shkroi se unë “kthehem sërish te Thaçi”, duke e akuzuar atë për vrasje ashtu siç, sipas tyre, e akuzojnë Serbia dhe Gjykata e Hagës. Ky është një ndër konstruktet më të rrezikshme. Ai nuk e kundërshton hulumtimin. Ai e barazon gazetarinë me Serbinë. Në një shoqëri të plagosur nga lufta, kjo nuk është thjesht taktikë redaktuese. Është një teknikë e delegjitimimit moral.
Më 22 prill, portali e paraqiti Fatos Gecin si të mbështetur prej meje, sepse ai kishte thënë se Hashim Thaçin e pret burg i përjetshëm7. Më 4 maj, më lidhi sërish me Gecin, me formulën “Thaçi nuk është Hero, ai është hajdut”. Më 10 qershor, pas veprimit publik8 të Elmi Reçicës, Jepi Zë publikoi se unë “paditem për fyerje, shpifje dhe kërcënime”. Në vetvete, raportimi për një padi mund të jetë legjitim. Por në këtë kronologji, ai shërbeu si vulë institucionale mbi një fushatë të gjatë të shpalljes sime si armik.
Këtu hyn rëndësia e Elmi Reçicës. Ai nuk është komentues anonim. Ai është figurë e lartë e PDK-së dhe emër i lidhur gjatë në kujtesën publike me universin e SHIK-ut. Kur një figurë e tillë më paraqet publikisht si kërcënues dhe shpifës, dhe kur fusha e komenteve poshtë postimit të tij prodhon gjuhë dhune9, atëherë portalet që i japin jehonë kësaj kornize nuk janë thjesht pasqyra. Ato bëhen pjesë e presionit.
Më 18 qershor, Jepi Zë e ktheu shënjestrimin në akuzë gjeopolitike. Postimi pretendonte se po rritej “antiamerikanizmi në Kosovë” sepse postimi im kundër Ambasadës Amerikane ishte pëlqyer nga qindra kosovarë. Pra, edhe pëlqimi publik u kriminalizua. Kjo është polici e simpatisë. Kjo është mënyra se si shënjestrimi kalon nga gazetari te publiku i tij.
Më 22 qershor, pas vdekjes së Sahit Jasharit, Jepi Zë shkroi se unë, “njëjtë si Serbia”, e akuzoja për krime lufte dhe e bëja përgjegjës për “burgun e Likocit”. Edhe këtu, portali nuk u mor me pyetjen nëse faktet e publikuara10 janë të verifikueshme. Ai zgjodhi një mekanizëm të njohur, barazimin e hulumtimit me propagandën serbe. Ndërkohë, parashtresa e Hagës ka seksione të tëra mbi Likoc, përfshirë ndalim të paligjshëm, trajtim çnjerëzor, torturë, vrasje dhe zhdukje të detyruar. Vetë tabela e përmbajtjes e vendos Likocin si kapitull të veçantë nga faqja 321 e dokumentit.
Kjo nuk e provon çdo pretendim tonin. Por e provon se temat që Jepi Zë përpiqet t’i paraqesë si “serbe” janë çështje që ndodhen në zemër të një procesi ndërkombëtar penal. Madje parashtresa e Prokurorisë thotë se të akuzuarit krijuan media të shtypura dhe radiofonike për ta zgjeruar gamën e kërcënimeve, se lëshuan komunikata publike që dënonin, kërcënonin dhe legjitimonin dhunën kundër kundërshtarëve, dhe se dhanë informacione të rreme ose çorientuese ndaj ndërkombëtarëve. Kjo gjendet në faqen 251.
Më 15 tetor 2025, u publikua dokumenti që pretendon pagesën prej 29.500 euro nga PDK-ja për Pro zë Media. Ky nuk është detaj administrativ. Është nyja që e lidh narrativën me financimin. Një portal që merr para nga PDK-ja, pastaj sulmon në mënyrë të përsëritur gazetarin që i hulumton temat lidhur me Hashim Thaçin, nuk mund të kërkojë të trajtohet si vëzhgues neutral pa iu përgjigjur pyetjeve të forta për konflikt interesi, transparencë financiare dhe funksion politik.
Në këtë kuptim, Jepi Zë nuk duket si portal që po bën gazetari kundërshtuese. Duket si komponent i një fushate që synon ta bëjë vrasjen e karakterit tim të pranueshme. Dhe vrasja e karakterit, në Kosovën e pasluftës, nuk është metaforë e lehtë. Ajo është shpesh paradhoma e rrezikut fizik. Parashtresa e Hagës thotë se Thaçi i kishte kornizuar kundërshtarët si kërcënime dhe i kishte paralajmëruar se do të përballeshin me masa ndëshkuese, ndërsa më vonë ka ndikuar qarkullimin e informacionit dhe ka bërë deklarata publike të dizajnuara për të prodhuar frikë, mosbesim dhe urrejtje ndaj kundërshtarëve. Kjo gjendet në faqet 253 dhe 257.
Prandaj pyetja nuk është nëse Jepi Zë ka të drejtë të më kritikojë. Sigurisht që ka. Pyetja është pse një portal i financuar nga PDK-ja, sipas dokumentit të publikuar, ka ndërtuar një kronologji të gjatë ku unë paraqitem si spiun, agjent, anti-UÇK, pro-serb, antiamerikan, shpifës dhe kërcënues. Pyetja është pse kjo ndodh pas publikimit të një hulumtimi që e prek drejtpërdrejt Hashim Thaçin dhe rrethin e tij. Pyetja është pse fushata nuk merret me faktet, por me heqjen time nga komuniteti moral i shqiptarëve.
Ky është thelbi. Jepi Zë nuk po e sfidon raportimin tonë me dokumente. Po e ndërton një figurë publike të rrezikshme. Një figurë që publiku duhet ta urrejë. Një figurë që burimet duhet ta shmangin. Një figurë që institucionet duhet ta dyshojnë. Një figurë që, nëse nesër sulmohet, dikush mund të thotë se “e kërkoi vetë”.
Ne nuk po themi se Jepi Zë ka urdhëruar dhunë. Ne nuk po themi se çdo postim është komandë. Ne po themi se fushata e tij, e lexuar kronologjikisht, shërben për ta krijuar atmosferën në të cilën dhuna ndaj një gazetari bëhet më e lehtë për t’u arsyetuar. Dhe në një vend ku gazetarë, politikanë, komandantë dhe dëshmitarë janë vrarë ose frikësuar për dekada, atmosfera nuk është çështje estetike. Është çështje sigurie.
Pas 4 shkurtit, Jepi Zë nuk u soll si media që e kërkon të vërtetën. U soll si instrument që e përkthen hulumtimin në tradhti, pyetjen në spiunazh dhe gazetarinë në kërcënim. Kjo është arsyeja pse kjo analizë është e nevojshme. Sepse kur një portal i lidhur financiarisht me një parti politike merr përsipër ta shpallë gazetarin armik, publiku duhet ta dijë se nuk po sheh debat. Po e sheh ndërtimin e një lejeje morale për linçim dhe vrasje.
Emri i Bardhyl Ajetit Ende Pret Drejtësi
Më 3 qershor 2005, Bardhyl Ajeti u qëllua në rrugën drejt Prishtinës. Më 25 qershor, trupi i tij nuk arriti më ta mbante barrën e plumbit dhe ai vdiq në një spital të Milanos. Sot, më 26 qershor 2026…
Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit
Strategjia e Thaçit e shndërroi Kosovën në një shtet vrasës, ku krijoheshin “atmosfera atentati” për ta arsyetuar neutralizimin e kundërshtarëve dhe për t’i futur besnikët në një cikël borxhi. — HULUMTIME
Postimet në facebook të Portalit ‘Jepi Zë’ me Pronar Shkumbin Kajtazi.




















Hashim Thaçi dhe të tjerët — Dhomat e Specializuara
PGoK është shkurtesë për Provisional Government of Kosovo, ose Qeveria e Përkohshme e Kosovës, strukturë politike e shpallur gjatë luftës dhe e lidhur me udhëheqjen e UÇK-së, të cilën Prokuroria e Hagës e trajton si pjesë të arkitekturës së pushtetit dhe kontrollit politik të asaj periudhe — Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Fryma e Thaçit në prokurorinë e sotme
Prokurori Bekim Kodraliu e ka përdorur dorën e shtetit për ta goditur hulumtuesin Shkëlzen Gashin, duke i ringjallur kështu metodat e vjetra të Hashim Thaçit mbi kontrollin e mendimit. — KOMENT/Analizë
MAKIJAZHI DIPLOMATIK I NJË KANIBALI POLITIK
Drejtësia po e çmonton trashëgiminë e përgjakur të Thaçit dhe Lushtakut ku komunikata 59 shërbeu si dënim me vdekje për patriotët që refuzuan nënshtrimin ndaj mafies politike. — KOMENT
Përplasja publike mes Elmi Reçicës dhe Vudi Xhymshitit kalon në rrugë ligjore
Reçica pretendon se është kërcënuar nga gazetari Xhymshiti, e ky i fundit i hedh poshtë akuzat dhe argumenton se kemi të bëjmë me një përpjekje për viktimizim politik përballë fakteve të publikuara. — RAPORTIM




