Mbrojtja Selektive e Lirisë së Shtypit në Kosovë
Kur thirrjet për vrasje ndaj meje dhe ndërhyrje kriminale kaluan pa reagim, AGK-ja përsëri dështoi ta vendosë vijën minimale etike që e mbron çdo gazetar nga presioni politik e kriminal.
Ka një heshtje që në dukje duket neutrale. Një heshtje që nuk bërtet, nuk fyen, nuk shpërndan video të fabrikuara, nuk thërret për arrestime. Por në histori, sidomos në historinë e shoqërive të vogla që kanë kaluar nëpër luftë dhe pastaj nëpër kapje, heshtja ka qenë shpesh arma më e rafinuar e pushtetit. Ajo nuk lë gjurmë plumbi. Lë boshllëk.
Në Kosovë, pas 4 shkurtit 2026, kur u publikua1 një hulumtim që përshkruante një metodologji pushteti të ndërtuar mbi delegimin e dhunës dhe delegimin e fajit, vendi nuk reagoi me debat2. Reagoi me fushatë3. Brenda pak ditësh, një gazetar u etiketua si tradhtar4, si aset i shërbimeve serbe dhe ruse5, u shënjua vizualisht me shprehje degraduese6, u lidh me lista të paverifikueshme spiunazhi7, u vendos në grafikë ku emri i tij shtrembërohej me qëllim përqeshjeje, u shpall rrezik publik, u kërkua ndërhyrja e organeve të sigurisë, u përdor gjuha e ndalimit, e burgut, e ndëshkimit8.
Në këtë kronologji, një institucion që duhej të fliste, nuk foli.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, AGK, organizata që në teori ekziston për t’i mbrojtur gazetarët nga presioni, frikësimi dhe fushatat e diskreditimit, nuk lëshoi asnjë reagim. Asnjë deklaratë. Asnjë shprehje shqetësimi. Asnjë dënim të gjuhës së dehumanizimit. Asnjë paralajmërim për rrezikun e nxitjes së dhunës. Asnjë kujtesë se gazetaria nuk luftohet me etiketa, por me fakte9.
Në një vend normal, kur një gazetar përballet me një fushatë të koordinuar ku përdoren akuza për spiunazh pa prova, ku transmetohet një segment televiziv që e paraqet komunikimin profesional si skandal10, ku një figurë publike shkruan se ky njeri ka kaluar vijën e kuqe11 dhe se duhet ndalur para se të jetë vonë, organizata përfaqësuese e gazetarëve do të ishte e para që do të fliste.
Në Kosovë, ajo heshti.
Kjo heshtje nuk është teknike. Nuk është harresë. Nuk është mungesë informacioni. Çdo element i fushatës ishte publik, i dokumentuar, i arkivuar, i shpërndarë gjerësisht. Heshtja, pra, është zgjedhje.
Dhe kur një organizatë që mban në emër gazetarinë zgjedh të heshtë përballë një modeli të qartë dehumanizimi dhe thirrjesh për ndalim të një gazetari, ajo nuk po qëndron jashtë konfliktit. Ajo po pozicionohet brenda tij.
Le ta vendosim këtë në rend.
Më 4 shkurt, publikohet një hulumtim që përshkruan një metodologji pushteti, jo një aktakuzë penale, por një model, delegjitimim, izolim, ndërtim atmosfere armiqësie.
Më 5 shkurt, reagimi i parë publik nga një përfaqësues politik nuk ishte kundërshtim faktik, por fyerje familjare dhe zhvendosje etnike.
Më 9 dhe 10 shkurt, fillon faza e artefakteve të fabrikuara dhe listave të paraqitura si dokumente shtetërore pa prejardhje.
Më 22 shkurt, një medium transmeton një segment që e kornizon komunikimin profesional me Dhomat e Specializuara si skandal.
Po atë ditë, një figurë publike kërkon ndërhyrje të organeve të sigurisë dhe deklaron se dikush duhet ta ndalë gazetarin para se të jetë vonë.
Në asnjë nga këto momente, AGK nuk foli.
Çfarë nënkupton kjo në një shoqëri që ende jeton me kujtesën e gazetarëve të vrarë, të kërcënuar, të rrahur, e të përjashtuar?
Çfarë nënkupton kjo në një vend ku shtëpitë e familjeve të gazetarëve janë vandalizuar12, ku sindikata ndërkombëtare e gazetarëve ka reaguar13, ndërsa organizata vendore ka zgjedhur të mos reagojë.
Nënkupton se mbrojtja e gazetarisë nuk është parim, por kalkulim.
AGK ka reaguar në raste të tjera, shpesh me shpejtësi, kur gazetarë janë përballur me presion, nga zyrtarë të caktuar, nga institucione publike. Kjo është e drejtë dhe e nevojshme. Por parimi i mbrojtjes nuk mund të jetë selektiv. Ai nuk mund të aktivizohet vetëm kur presioni vjen nga një kamp politik dhe të heshtë kur presioni vjen nga një rrjet i lidhur me strukturat e vjetra kriminale të pushtetit.
Sepse atëherë, organizata nuk është më mbrojtëse e profesionit. Është pjesë e ekuilibrit të frikës.
Heshtja e AGK-së në këtë rast është më shumë se mungesë solidariteti personal. Është një sinjal për fushatën. Është një mesazh që thotë, kjo është e lejueshme. Ky nivel dehumanizimi nuk e kalon vijë institucionale. Kërkesat për ndalim, për ndërhyrje të organeve të sigurisë, për izolim, thirrjet për vrasje nuk mjaftojnë për ta detyruar organizatën e gazetarëve të reagojë.
Në këtë kuptim, heshtja bëhet formë legjitimimi.
Nëse manuali i përshkruar në hulumtimin e 4 shkurtit fillon me delegjitimim moral, vazhdon me kontaminim identitar, kalon në sinjalizim pasojash dhe përfundon me pastrim mediatik, atëherë roli i një organizate profesionale është ta ndërpresë këtë sekuencë në fazën e parë.
Të thotë, debatoni me prova. Mos përdorni gjuhë që nxit urrejtje. Mos kërkoni ndalim ose vrasje të gazetarit. Mos e kriminalizoni komunikimin profesional.
AGK nuk e bëri këtë.
Dhe kur një institucion që duhet të jetë gardian i kufirit etik nuk e mbron atë kufi, kufiri zhvendoset.
Në traditën letrare të Ismail Kadaresë, pushteti rrallë paraqitet si bishë që ulërin. Ai paraqitet si administratë, si zyrë, si formular, si komision që hesht. Si dhomë ku vendimet nuk shpallen, por merren. Si gjykatë që nuk dënon, por nuk mbron.
AGK, me këtë heshtje, i ngjan më shumë një dhome të tillë sesa një organizate që rreh zemra e saj me pulsin e gazetarisë së lirë.
Mund të argumentohet se organizata nuk ndërhyn në çdo debat mes gazetarëve dhe figurave publike. Por ky nuk ishte debat. Kjo ishte një fushatë e dokumentuar, me akuza për spiunazh pa prova, me video sintetike, me lista të paverifikueshme, me thirrje për ndërhyrje të sigurisë joformale e kriminale, me gjuhë dehumanizuese. Në çdo manual ndërkombëtar për mbrojtjen e gazetarëve, kjo kategorizohet si presion i koordinuar dhe rrezik i shtuar.
Heshtja në këtë kontekst nuk është neutralitet. Është pozicionim.
Dhe ky pozicionim ka pasoja.
Ai i dërgon mesazh çdo gazetari tjetër në Kosovë që mendon t;i hulumtoj strukturat e vjetra të pushtetit, strukturat kriminale. Mesazhi është i thjeshtë, nëse preket një zonë e ndaluar, nëse dokumentohen mekanizma që ende funksionojnë, organizata që e mban emrin tuaj nuk do të jetë domosdoshmërisht aty.
Ai i dërgon mesazh fushatave të ardhshme se metoda funksionon. Se dehumanizimi nuk shkakton alarm institucional. Se thirrjet për ndalim mund të kalojnë pa u problematizuar nga ata që duhet ta mbrojnë profesionin.
Dhe mbi të gjitha, ky pozicionim i AGK-së e dobëson vetë kuptimin e fjalës gazetari.
Sepse gazetaria nuk është vetëm raportim. Është edhe ekosistem. Është rrjet solidariteti minimal që thotë, mund të mos pajtohemi me përfundimet, por e mbrojmë të drejtën e çdo gazetari për të bërë hulumtime pa u shndërruar në shënjestër.
Kur ky rrjet nuk aktivizohet, gazetari mbetet i vetëm përballë një makinerie që e ka mësuar prej kohësh se si të ndërtojë atmosferë. Se si t’i vrasë gazetarët pa u përballur me pasojat e e drejtësisë.
AGK sot përballet me një pyetje që nuk mund ta shmangë pafundësisht.
A është organizatë e gazetarëve, apo organizatë e balancave politike. A e mbron parimin, apo menaxhon rrezikun reputacional për strukturat kriminale.
A reagon kur gazetari sulmohet nga cilido pushtet, apo vetëm kur sulmi vjen nga drejtimi i gabuar politik i cili e kërcënon jetën e strukturave kriminale?
Historia e shteteve të vogla na mëson se liria e shtypit nuk shembet brenda natës. Ajo gërryhet. Me heshtje. Me relativizim. Me fraza se si nuk duam të përfshihemi. Me pritje që stuhia të kalojë vetë.
Por stuhitë që synojnë gazetarinë nuk kalojnë vetë. Ato e testojnë terrenin. Dhe kur gjejnë tokë të butë, kthehen.
Në këtë moment, AGK ka zgjedhur të jetë tokë e butë.
Dhe për këtë, kritika ime nuk është hakmarrje personale. Është akt i domosdoshëm publik. Sepse organizatat që e mbajnë në emër gazetarinë duhet ta mbajnë edhe peshën e saj. Jo vetëm në konferenca, jo vetëm në raporte vjetore, por në momentin kur një gazetar përballet me një sekuencë të plotë delegjitimimi, kontaminimi dhe sinjalizimi pasojash.
Nëse nuk flasin atëherë, atëherë për kë flasin?
Kosova nuk e ka luksin e institucioneve që heshtin kur frika rikthehet në formë moderne. Sepse ne e dimë nga historia jonë se si fillon. Fillon me fjalë. Vazhdon me izolim. Dhe pastaj, shumë vonë, të gjithë pyesin pse askush nuk foli?
AGK ende ka kohë ta rikthejë veten në anën e parimit. Sepse çështja nuk është një gazetar. Çështja është standardi. Nëse një fushatë e koordinuar me etiketime, lista të fabrikuara dhe thirrje për ndalim e vrasje kalon pa reagim, atëherë precedentët nuk janë më teorikë. Ata janë vendosur. Dhe precedentët në demokracitë e brishta rrallë qëndrojnë të izoluar. Ata shumohen.
Por përtej analizës, mbetet një pyetje njerëzore. Çfarë ndjen një gazetar kur sheh se shtëpia e familjes së tij sulmohet, emri i tij shtrembërohet, fytyra e tij vendoset në grafikë armiqësore, dhe organizata që mban fjalën “gazetar” në emër hesht?
Në ato momente, nuk është vetëm karriera që vihet në rrezik. Është ndjenja e përkatësisë. Është besimi se dikush do të thotë, ndal.
Dhe nëse askush nuk e thotë, atëherë gazetari e kupton se nuk po lufton vetëm për një histori. Po lufton për të drejtën për të mos u zhdukur në heshtje.
Albert Kamy nuk është dekori im intelektual, është model mbijetese morale për mua. Kamy nuk ishte vetëm romancier. Ai ishte redaktor i gazetës së rezistencës “Combat” gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai shkroi kundër pushtetit në kohë kur pushteti vriste. Ai e kuptonte se fjalët nuk janë abstrakte; ato janë rrezik.
Kamy ndër të tjera shkroi:
“The only way to deal with injustice is to fight it without becoming what you hate.”
Në dy dekada raportim lufte, duke mbijetuar jo vetëm nga plumbat, por edhe nga strukturat kriminale dhe rrjetet e heshtjes, fjala e tij bëhet busull. Ai e dinte se pushteti nuk kërkon gjithmonë të ta mbyllë gojën me burg. Ndonjëherë mjafton të të izolojë.
Dhe izolimi është forma më e sofistikuar e dhunës moderne. Por unë do ta luftoj edhe nëse më duhet ta bëjë atë i vetëm.
Skema e vrasjeve politike të Hashim Thaçit
Strategjia e Thaçit e shndërroi Kosovën në një shtet vrasës, ku krijoheshin “atmosfera atentati” për ta arsyetuar neutralizimin e kundërshtarëve dhe për t’i futur besnikët në një cikël borxhi. — Kronika B Hulumtim.
Kur e vërteta kthehet në provë kundër pushtetit vrastar të Hashim Thaçit
Publiku e lexoi e shpërndau por një pakicë reagoi me frikë duke e dokumentuar vetë mekanizmin e vrasjeve politike që gjetjet tona hulumtuese e përshkruanjnë. — Kronika B Koment dhe Analizë.
Pse Faktet Tronditën Median e Kosovës
Një hulumtim mbi vrasjet politike mjaftoi që rendi mediatik në Kosovë të dridhej, duke zbuluar jo gabimet tona, por mekanizmat e mbrojtjes së pushtetit kriminal. — Kronika B Koment dhe Analizë.
Reagimet që Konfirmuan Gjetjet Tona Hulumtuese
Kur gazetaria përshkruan një sistem vrastar, reagimi bëhet test. Pas publikimeve tona, kërcënimet dhe delegjitimimi dëshmuan se sistemi vrastar është ende aktiv në hapësirën publike kosovare. — Kronika B Lajme dhe Raportim.
Si Reagon Manuali i Hashim Thaçit Kur Ekspozohet
Reagimet e Granit Gecit pas publikimit të gjetjeve tona aktivizuan manualin e atentateve politike të Hashim Thaçit, fyerje, dehumanizim, zhvendosje identiteti, presion publik, heshtje faktesh. — Kronika B Lajme dhe Raportim.
Reagimi që e konfirmoi raportimin tonë
Duke nxitur urrejtjen në vend të debatit, OVL-ja e vërtetoi raportimin tonë. Reagimi i saj aktivizoi një proces presioni dhe delegjitimimi që përputhet me modelin e vrasjeve politike të Hashim Thaçit. — Kronika B Lajme dhe Raportim.
Vehbi Kajtazi dhe Politika e një Liste të Fabrikuar Spiunazhi
Taktika e Vehbi Kajtazit pasqyron manualin e atentateve të Hashim Thaçit, izolo kritikun, ngjit etiketa, mbush hapësirën me rrena për të derisa dyshimi bëhet ambient dhe vrasja tingëllon e pranueshme. — Kronika B Politikë dhe Çështje Publike.
The Violent Reflexes of Hashim Thaçi’s Dying Political Order
By unmasking the “assassination manual,” we triggered a dormant predator. The PDK’s subsequent campaign of dehumanisation is the sound of Hashim Thaçi’s coercive system attempting to survive. — The GPC I Unit.
Kur AGK dhe Mediat Zgjodhën Veten mbi Lirinë Shtypin
Heshtja e AGK-së dhe mediave të mëdha s’ishte neutralitet: ishte llogari. I kam kritikuar publikisht; prandaj këtë javë zgjodhën ta mbrojnë reputacionin e tyre, jo gazetarinë. — Kronika B Koment dhe Analizë.
Skandal: Zedhenesi i Speciales mban raporte me konspiracionistin Vudi Xhymshiti — VOX Kosova YouTube dhe Facebook nga autorja Anduena Bajçinofci.
Xhym-shit Special Zëdhënësi i Speciales mban raporte me konspiracionistin Vudi Xhymshiti
Në tentim për ta përligjur komunikimin me Xhymshitin, Bennet tha se “Unë komunikoj me shumë media, si dhe me persona e organizata të ndryshme”, duke mos pasur parasysh fare faktin se Xhymshiti është shpallur shpifës edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku pretendimet e tij për diplomatin amerikan Escobar i demantojnë duke i quajtur krejtësisht të rreme. — VOX Website Post.
Postimi në Facebook i Gani Kocit, 22 Shkurt, 2026.
DEKLARATË: Sulmi në Kosovë i lidhur me hulumtimet që zbuluan spiunazhin dhe dezinformimin
The GPC konfirmon se sulmi ndaj shtëpisë familjare të Kryeredaktorit Vudi Xhymshiti në Kosovë është hakmarrje e drejtpërdrejtë ndaj hulumtimeve që zbuluan rrjete spiunazhi e dezinformimi në Kosovë. — Kronika B Deklaratë Për Shtyp.
NUJ dënon vandalizmin në shtëpinë e gazetarit Vudi Xhymshiti në Kosovë
Unioni britanik i gazetarëve dënoi vandalizmin në shtëpinë familjare të Vudi Xhymshitit në Kosovë, duke bërë thirrje për një hetim mbi frikësimin që dyshohet se lidhet me raportimin e tij. — Kronika B Lajme dhe Raportim.



